Dosja: Si u rrëzua prokuroria për provat në kompjuterin e Çakos

Një vit nga nisja e hetimeve për skandalin e përgjimeve, prokuroria i kërkoi gjykatës miratimin e sekuestros për të dhënat e gjetura në kompjuterët e Haki Çakos dhe dy vartësve të tij të dyshuar për shpërdorim detyre. Por gjykata e rrëzoi kërkesën duke argumentuar se hetimi i prokurorisë po kryhet për vepra penale që nuk lidhen me fushën e teknologjisë së informacionit. Mbërrin nga Italia letërporosia për “IMSI Catcher”.

Një vit pas nisjes së hetimeve për pajisjen përgjuese “IMSI Catcher”, prokuroria ndodhet në pozitë të vështirë, pasi të dhënat e sekuestruara në kompjuterët e të dyshuarve kryesorë nuk mund të përdoren si prova për llogari të këtij procedimi penal.

Një vendim i Gjykatës së Tiranës rrëzon provat e gjetura në kompjuterët e oficerëve të policisë Artion Duka dhe Ention Xhelilaj, të cilët u arrestuan pas nisjes së hetimeve për pajisjen përgjuese.

Me një kërkesë të pakuptimtë dhe të pasqaruar, prokuroria e Tiranës në fund të muajit të shkuar iu drejtua me një kërkesë gjykatës për sekuestrimin e të dhënave të gjetura në kompjuterët e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako dhe dy vartësve të tij, Artion Duka dhe Ention Xhelilaj.

Konkretisht as gjykata dhe as prokuroria nuk publikon të dhënat e gjetura, por kërkesa e prokurorisë është konsideruar si e pabazuar në ligj nga ana e gjykatës.

Nuk dihet përse prokuroria priti mbi më shumë se një vit që të kërkonte sekuestrimin e këtyre të dhënave, të cilat janë marrë menjëherë pas sekuestrimit të kompjuterëve nëpërmjet një eksperti me njohuri të posaçme në këtë fushë. Prokuroria nuk sqaroi kërkesën, por konfirmoi se kundër këtij vendimi është bërë një ankim në Gjykatën e Apelit Tiranë.

Më herët kjo gjykatë rrëzoi masën e sigurimit “pezullim nga detyra” për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako dhe “arrestin e shtëpisë” për oficerët e policisë Duka e Xhelilaj.

Në vendimin e shkallës së parë argumentohet se prokuroria ka regjistruar procedimin penal për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe pengim të hetimeve, vepra këto që nuk lidhen me fushën e teknologjisë së informacionit.

“Asnjë nga këto vepra penale nuk është në ato vepra të parashikuara në nenin 208/a të Kodit të Procedurës Penale “në fushën e teknologjisë së informacionit”, në mënyrë që të shtrohet hetimi edhe në sekuestrimin e këtyre të dhënave kompjuterike. Vetë ky nen ka përcaktuar në mënyrë taksative që sekuestrimi i të dhënave kompjuterike vendoset nga gjykata vetëm në ato raste kur ka një procedim të regjistruar në fushën e teknologjisë së informacionit”, argumenton gjykata në vendimin për rrëzimin e kërkesës së prokurorisë.

Më tej gjykata sqaron se prokuroria nuk ka parashtruar asnjë argument se çfarë do të provojë sekuestrimi i këtyre të dhënave në hetimin që po kryen.

Ky vendim gjykate mund të konsiderohet si dështim për prokurorinë, e cila prej më shumë se një viti nuk ka mundur të provojë përgjegjësinë penale të të dyshuarve, ndaj të cilëve u kërkua dhe u vendos një masë sigurimi qysh në nisje të hetimeve.

Gjatë kësaj kohe prokuroria ka tentuar disa vendimmarrje, por pa mundur të realizojë asnjë prej tyre. Fillimisht u mendua për veçimin e çështjes sa i takon shpërdorimit të detyrës të zyrtarëve të policisë dhe dërgimin e tyre në gjyq, ndërsa do të qëndronte në pritje të letër-porosisë nga autoritetet italiane.

Por as kjo vendimmarrje nuk u realizua, ndërsa në zyrat e akuzës u diskutua dërgimi në gjyq si të pandehur i drejtuesve të policisë pas përfundimit të procesit zgjedhor.

Edhe ky variant ra për arsye ende të panjohura. Tashmë prokuroria pret letër-porosinë e autoriteteve italiane, përgjigjja e të cilëve ka mbërritur në Ministrinë e Drejtësisë.

Përmbajtja e kësaj letër-porosie nuk bëhet e njohur, por në komunikimet e mëparshme ambasada italiane në Tiranë ka konfirmuar se pajisja ishte sjellë për trajnimin e policisë shqiptare dhe jo për kryerjen e përgjimeve të paligjshme.

Një komision hetimor i iniciuar nga opozita zbuloi se pajisja IMSI Catcher ishte përdorur disa herë pa autorizimin e prokurorisë, duke u futur në disa burgje të vendit.

Edhe rezultatet e përmbledhura në raportin e këtij komisioni u vunë në dispozicion të prokurorisë, e cila sërish nuk ka mundur t’i japë zgjidhje një prej çështjeve më të bujshme që përfshiu në debat të gjitha palët politike për rreth një vit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

‘Piari’, agjitpropi modern i qeverisë

Kryeministri Edi Rama dhe zyra e madhe e piarit, që po kthehet...
Read More