Dosja “Tahiri”, si po lëvizin ndërkombëtarët në Tiranë

Një ditë para seancës së Kuvendit, ku do të votohet kërkesa për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, ambasadorët dhe nivele teknike të partnerëve janë vënë në lëvizje. Mediat raportuan një takim mes ambasadorit amerikan dhe atij italian, ndërsa Gjon Juncaj, prokurori federal që asiston njësinë “Task Forcë” në prokurorinë e krimeve të Rënda, mësohet se ka zhvilluar një vizitë në Prokurorinë e Përgjithshme. Një prej temave të diskutuara ka qenë kërkesa e prokurorisë për arrestimin e Tahirit, ndërsa mësohet se Juncaj ka shprehur mbështetjen e tij për prokurorinë.

Kryeministri e bëri të qartë se grupi parlamentar i PS nuk do të votojë arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Por kreu i PD, Lulzim Basha, tha se Rama ka shkelur ligjin e Kushtetutën duke mos i dorëzuar drejtësisë ish-ministrin e dyshuar për trafik droge.

Të vetmit që ende nuk e kanë thënë fjalën e tyre për këtë çështje janë diplomatët e huaj në Tiranë, e veçanërisht, ambasadori amerikan, i cili pak ditë më parë denoncoi situatën e rëndë kriminale në Shqipëri.

Në një deklaratë në Facebook, kreu i PD Basha kërkoi nga BE dhe SHBA t’i bëjnë presion kryeministrit dhe shumicës qeverisëse që të ndërpresin menjëherë këtë fushatë kërcënimesh dhe presioni ndaj drejtësisë.

I pyetur dje për qëndrimin e ndërkombëtarëve rreth kësaj çështjeje, Basha nuk bëri komente, por duket se reagimi i kryeministrit dhe thirrjet e kreut të opozitës kanë vënë në lëvizje diplomatin më të rëndësishëm në Tiranë.

Z. Lu ka shmangur të gjitha komentet publike për këtë çështje, madje duke mos marrë pjesë as në aktivitetin me rastin e 25-vjetorit të Gjykatës Kushtetuese, i cili u zhvillua një ditë pas kërkesës së prokurorisë për arrestimin e ish-ministrit Tahiri.

Por pavarësisht qëndrimit publik, ambasadori amerikan duket se ka zgjedhur rrugën diplomatike.

Mediat dje raportuan një takim mes tij dhe ambasadorit italian në Shqipëri.

Italia dhe SHBA janë dy vende të përfshira direkt në luftën kundër krimit të organizuar, pasi Lu denoncoi ekzistencën e 4 familjeve mafioze, ndërsa prokuroria e antimafies hetoi për 4 vite një organizatë të fuqishme në trafikun e drogës.

Nisur nga këto zhvillime, ambasadori Donald Lu vizitoi dje ambasadën italiane, ku dhe takoi homologun e tij, Alberto Cutillo.

Ndonëse nuk ka asnjë deklaratë për temat e diskutuara, krimi i organizuar mendohet të ketë qenë arsyeja e këtij takimi.

Politikanë dhe analistë të ndryshëm flasin për dosje të tjera dhe denoncime që mund të bëhen shumë shpejt publike nga Uashingtoni dhe Roma, ku do rezultojnë të përfshirë zyrtarë të lartë të Shqipërisë.

Megjithatë asnjë prej dy ambasadave nuk publikoi axhendën e takimit apo diskutimin mes dy ambasadorëve.

Po ashtu, ditën e djeshme, kjo çështje duket se është trajtuar edhe në nivel teknik nga ambasada amerikane në Tiranë.

Gjon Juncaj, prokurori federal që asiston njësinë “Task Forcë” në prokurorinë e krimeve të Rënda, mësohet se ka zhvilluar një vizitë në Prokurorinë e Përgjithshme.

Në cilësinë e ekspertit të OPDAT, misioni i ambasadës amerikane që mbështet prokurorinë, Juncaj është i atashuar pranë Krimeve të Rënda, prokurori e cila po heton dosjen Tahiri.

Por ai ka zgjedhur që këtë çështje ta trajtojë në nivel më të lartë, duke u takuar me drejtues të Prokurorisë së Përgjithshme.

Sipas burimeve mësohet se Gjon Juncaj, prokurori shqiptaro-amerikan ka qëndruar rreth dy orë në institucionin qendror të akuzës, ku ka patur takime me drejtuesit e Prokurorisë.

Një prej çështjeve të diskutuara ka qenë kërkesa e prokurorisë për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, ndërsa mësohet se Juncaj ka shprehur mbështetjen e tij për prokurorinë.

Prej të paktën dy vitesh ai është angazhuar drejtpërdrejt në mbështetje të prokurorisë shqiptare, çka e ka ndihmuar atë të krijojë një ide të qartë për sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

I ftuar në një aktivitet publik rreth një muaj më parë, Juncaj tha ndër të tjera se sistemi i drejtësisë në Shqipëri është lënë të bjerë shumë poshtë.

“Nuk kam parë asnjëherë kaq shumë njerëz viktima të pafajshëm të lënë të pambrojtur nga sistemi i drejtësisë se sa këtu në Shqipëri. Jam veçanërisht i turpëruar sepse nuk ka ndershmëri në sistemin e drejtësisë sepse është lënë të bjerë shumë poshtë”, pati deklaruar prokurori amerikan.

Juncaj shfaqet shpesh në krah të ambasadorit Lu në takime që kanë në fokus drejtësinë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Foto e panjohur: Faik Konica dhe këshilla për librat e mirë

Një fotografi e mrekullueshme e tregonte Konicën duke lexuar mes një grumbulli...
Read More