Dostojevksi i Nazim Saitit: Bodrumet e diktaturës në një përkthim

Nga burgu i Burrelit, në fshehtësi, Nazim Saiti përkthente “Shënimet nga bodrumi” të Dostojevskit, të shkruar në mesin e viteve ‘800 kur, ishte shkatërruar popullariteti si konservator dhe po i kushtonte vëmendje socializmit utopik, ndërkohë që vuante në burg; një përkim i pazakonte kjo vepër e sjellë në shqip, me përkthyesin e tij duke zbuluar në të njëjtën kohë psikën e errët të njeriut, mungesën e lirisë; Jane tetë vepra të përkthyera të Dostojevskit që Saiti ka lënë trashëgim në standarden e vjetër me bazë gegnishten, ku Shënimet…është përkthimi i parë që po botohet

Në ironi, kur socializmi në Shqipëri ia kishte dalë të bënte realitet “utopinë” e tij, duke krijuar modelin më të egër të diktaturës, në mesin e viteve ‘800, ndërsa po i shkatërrohej popullariteti nga konservatorizmi, Dostojevski i kushtonte vëmendjen të madhe socializmit utopik, dhe vizionit për një jetë të përkryer…Mes kësaj kontradikte Nazim Saiti përkthente, në fshehtësi, me titullin “Shënimet nga bodrumi” të shkrimtarit të madh rus, gjatë kohës kur vuante dënimin për agjitacion e propagandë në Burgun e Burrelit, në gusht të vitit 1978…Dhe duke vazhduar në këtë kapërcim të kohëve, edhe vetë Dostojevksi kishte kaluar vite dënimi në burg, dhe kishte krijuar bindjen mbi psikën dhe shpirtin e njeriut.

Pas një shekulli është e vështirë të perceptohet si gjendjet përkojnë, ashtu siç duhet t’i ketë përkuar përkthyesit me Bodrumin e Dostojevskit duke reflektuar mbi errësirën dhe mungesën e lirisë tek njeriu. Në “Shënime nga bodrumi”, botimet Çabej, prapa historisë së një neuroze mund të rindërtohet lehtë historia e shndërrimit të neurozës vetë në roman. Hyrja e gjatë, e cila i qëndron si premisë pjesës së dytë, rrëfen në fakt historinë e artistit në luftë të vazhdueshme me subjektin e tij.

Ky libër njeh përkthimin e parë të botuar, nga shtatë vepra të përkthyera që janë lënë në dorëshkrim familjes, të përkthyer në standardin e vjetër me bazë gegnishten. Pikërisht mbi “Shënimet nga bodrumi” mbahet sot një diskutim rreth bodrumeve të “njeriut nëntokësor” të Dostojevskit dhe bodrumeve të diktaturës shqiptare, prej të cilave kemi histori të veprave e përkthime mjeshtërore

Prezantimi i librit do të mbahet nga Sait Saiti, i biri i përkthyesit, me një sprovë trajtuese të përkthimit në kushtet e një regjimi totalitar – dhe posaçërisht në realitetin e regjimit komunist në Shqipëri. Për gazetën “Mapo”, Saiti vë në dispozicion një vështrim kontekstual të asaj atmosfere kur u bënë përkthimet duke kujtuar se ishte vetëm 9 vjeç kur më 2001 i ati ndërroi jetë. “Historia e çdo familjeje ka peripecitë e veta, por disa familjeve iu ka rënë për hise edhe më shumë se kaq – është kjo lloj fjalie hyrëse për filmat që më vjen të them kur më duhet të rrëfej diçka mbi të mitë. Falë arkivistit dhe historianit Kastriot Dervishi m’u pat dhënë mundësia të shihja dosjen hetimore të tim eti, tek procesverbalet e marrjes në pyetje nga hetuesi Shyqyri Çoku përcjell të vërtetën e tij mbi pse pati atë qëndrim ndaj regjimit komunist”.

Nazim Saiti, siç na tregon i biri ka përshkruar itinerarin e burgjeve në Burrel, Spaç e në fund në Qafë Bari. “Im át kishte bërë një vit shkollë në Bashkimin Sovjetik (kohë kur tregon në hetuesi se qe diziluzionuar, 1959-’60), më vonë pësoi fërkimin e këtushëm që patën autoritetet për të ardhurit nga Rusia dhe më pas u riinkuadrua në marinën tregtare. Duke u përsiatur postum kam menduar ndonjëherë se arsyeja se pse pati zgjedhur të ndërmerrte një veprimtari për të cilën ishte i vetëdijshëm që do të dënohej, ishte përveçse një bindje e sprovuar nga përvoja duke krahasuar me mendje të lirë botën e jashtme me vendlindjen, arsyeja ishte edhe ngushtësisht familjare dhe intime: prania e vëllait të vogël në burg. Axha i vogël, Shuajpi, u arratis në Jugosllavi më 1966 dhe mbasi u kap nga autoritetet e atjeshme, u kthye mbrapsht për t’u dënuar më pas, dhe burgosur. Më 1973 pas pjesëmarrjes aktive në Revoltën e Spaçit, ridënohet dhe për më tepër, në mënyrë të përsëritur nuk bindej që të punonte në minierë dhe përfundonte në izolim – gjë për të cilën, pas afro 24 viteve burg, pati pakçka prej mushkërive të veta funksionale. Hamendja ime më shpie të mendoj që vëllai i vogël, më i pabinduri ndër shtatë vëllezërit – siç e kemi edhe arketipin nga përrallat – ishte nakli i vëllait të parafundit”.  Në Burgun e Burrelit, Saiti i ri thotë se i ati ka përkthyer tetë vepra të Dostojevskit, ku shtatë prej tyre i ka përkthyer në distancë kohe prej 2 apo 3 muaj, dhe nuk dihet se si këto vepra mund t’i kenë rënë në duar, ndoshta duke ndihmuar ndonjë bashkëvuajtës për përkthim. “Kam dëgjuar fjalë se ka pasë debate, me Dom Nikollë Mazrrekun – një emër që më është thënë – për çështjen e përkthimeve nga rusishtja. Gjithmonë postum e mirëkuptoj padren, i shquar për temperamentin e tij që me një kundërpërgjigje që i dha Cordignano-s, që mund ta ketë pa rusishten si gjuhën e investitorëve madhorë për krijimin e regjimit komunist në Shqipëri, mirëpo im át nuk fajësonte gjuhët për çka kishin sjellë rrethanat historike. Aq e vërtetë është kjo, saqë dashamir i gjuhëve siç ishte, hyri në burg duke ditur 3 gjuhë dhe doli me njohje së paku teorike edhe për tre të tjera. Për të cituar Arshi Pipën në një intervistë të bërë nga Visar Zhiti, bashkëvuajtës i babës po ashtu, për një pjesë që përkon me t’im át: e ka marrë burgun si universitet”.

Pse janë mbajtur kaq gjatë, dhe s’është botuar më herët Dostojevksi i Saitit? “Sepse kur iu kam thanë njerëzve që asht në standardin e vjetër të shqipes tu folë shkodrançe në mënyrë të pakompleksueme, u jam dukë si ndoj mbetje e antikitetit, për ma tepër që jam 27 vjeç, dhe kam ba pak kohë me krijue lidhjet”, thotë Saiti i ri. Është një përpjekje për t’i botuar më herët përkthimet, duke kujtuar një letër, thjesht një pusullë, pa përmbajtje, ku shkruhej thjesht emri: z.Ardiani. Por, Saiti mendon se bëhet fjalë për një letër që i ati mund t’ja ketë dërguar përkthyesit Ardian Klosi, por e ka një hamendje, pasi përkon me kohën kur në 1993 Klosi botonte “Quo Vadis”. Ky është minimum prej mundiumit të tij, mbyll bisedën tonë, i biri përkthyesit, Saiti. Përgatiti: V.Murati

 

Kur im atë më përkthente lirshëm “me kenë a mos me kenë” 

Nga Sait Saiti

Përkthimi në regjimet totalitare të vendeve a kombeve të vogla ka qenë ndër mjetet e para intelektuale që ka hy në mekanizmin e propagandimit të ideologjisë. Vendet në të cilat u aktualizue një realitet totalitar kishin propagandën asetin ndoshta ma të fuqishëm në amortizimin e impaktit të mbivendosjes së një totalitarizmi modern. Në fillim krejt përkthehen idetë, akomodohen, diskutohen, mbledhin ithtarë – krejt kjo si premisë e ndërtimit të strukturave totalitare.

Madje edhe termat e strukturave totalitare në Shqipni janë përkthye në mënyrë të fjalëpërfjaltë nga strukturat mëmë që kish synime internacionaliste: bie fjala, Sigurimi në Shqipni vitet e para emnin e tij zyrtar Drejtoria e Mbrojtjes Popullore e kishte identik me organin përkatës jugosllav të OZNA-s, dhe e njëjta vlen edhe për riemërtimin i cili ishte standard i gjithë shteteve të Bllokut Lindor.

Në Shqipninë londineze të mbas ’90s asht ba zakon me u livdue letërsia e përkthyeme në kohën e regjimit komunist. Kjo për arsye të ndryshme: mbas alfabetizimit akut të regjimit komunist, common sense-i  i shumëkujt gjeti tek letërsia shëndoshjen apo ilaçin e marrinave propagandistike që iu kishin mësue/injektue qysh në fjalët e para. Skemë kjo e huajtun nga strukturat religjioze, por kokëposhtë, antropocentrik dhe në mënyrë të pashmangshme për kultin e individit “Parti Enver” e kështu gjatë. Letërsia, klasikët në veçanti, janë bartësit e frymës (pneumatoforë, siç e servir Kuteli këtë term madhështor tek Tatë Tanushi) dhe ishte bash kjo frymë që rifreskonte dhe mbante të njomë dëshirën për t’u ushqye për të bukurën, për të bukrën tjetër – sepse e jona ishte ideologjizue rrugës së institucionalizimit dhe si e tillë, tue mos pasë ushqim tjetër përpos vetes, kalbej dhe shterpëzohej në ripërtypje. Përkundrejt shterpëzimit të organizuem, fryma që përmbante letërsia e huej – prej të cilës, për ironi, përktheheshin klasikë me bollëk – ishte për dashamirësit e saj, njëfarë opozite ku shqipja kryente dorëzaninë ma të hijshme. Autorët e kësaj dorëzanie kanë qenë përkthyes, hem të pajtuem nëpër ndërmarrjet botuese në Tiranë, hem të organizuem në atë që unë përfytyroj «reparte përkthimi» si në Burgun e Burrelit. Herë-herë janë gërshetue: Gjon Shllaku pat përkthye Iliadën në burg, e humbi tue dalë dhe e ripërktheu. Jusuf Vrioni përkthente Kadarenë, por si ish  i përndjekur përndjekja vazhdonte dhe nuk i radhitej emni ndër botimet të titujve të Kadaresë në Francë deri në fillim të viteve ’80. Përkthimi pati pasoja psikotropike në atë realitet politik, por përkthyesit mbetën urtarë që i mbanin urtë. Përkthimi i babës nuk e di në ç’kushte u ba, nuk kam qenë ende në Burgun e Burrelit, nuk njoh ndonjë përkthyes tjetër të atij burgu që ka mujtë me m’rrëfye gja mbi qysh e tekun e ndodhive atje – por me sa mbaj mend prej tij dhe tuj dashtë me interpretue disi psehin e përkthimit të Dostojevskit, ishte forma e tij e të bërtitunit përmes shqipërimit (tek dorëshkrimet shkruen “përktheu, pa pretendimin e shqipërimit…”) përmes letërsisë specifike dhe veprave specifike që ma shumë i jehonin për kushtet në të cilat ishte. Ndër kujtimet e mia, tek më ndihmonte me mësimet, më pat shkrue njëherë një dyfletësh për biografinë e Migjenit të cilën e mbante mend përmendsh – me të vetmet data, atë të lemjes dhe të vdekjes. Momenti kur e shkruente m’asht skalitë dhe kaligrafia e imtë, e ndonëse për shpejt, e hijshme – më jep sot përshtypjen e një njeriu që me shkrimin ka pasë një marrëdhanie, pak randësi ka të gjatë apo prodhimtare, por me përjetim, me prani. Jam përpjekë do vjet me kuptue historikun e ngjeshun të gjuhës sonë dhe vitet e para mbasi u vetëdijësova për randësinë e përkthimit, thoja zellshëm që ishte gegnisht. Por me kohën dhe leximet, kam ushqye idenë se gegnishtja tejet e instrumentalizueme, e ndame mënjanë, politikisht e përdorun për kokë turku – ishte një argument i lodhshëm. Përkthimi i Dostojevskit nga im át asht thjesht shqip, dhe nëse duhet me i dhanë koordinata kohore për hir të pedantizmit, atëherë im át i lemë dhe i rritun në një kohë kur pilotimi i gjuhës nga politika nuk ishte total, u ushqye me tekste të standardit gjuhësor të para 1972. Më 1978, një shkodran 36 vjeçar – vanitetin mënjanë – i mbrujtun kulturalisht e për ma tepër: i dënuem dhe i burgosun, shqipen e kishte ndër të paktat frymëmarrje lirie. Për t’iu rikthye kujtimeve, tek më jepte anglisht në shtëpi dhe m’ilustronte përmes përkthimit (etalon i shqipes në fëmini kisha Mjedën) “to be or not to be” ma përkthente natyrshëm “me kenë a mos me kenë”. Të vërtetat ma të mëdha janë të thjeshta, kurse ndërlikimet tona janë si rrjedhojë e mbivendosjeve e akrobacive historike që na asht dashtë me kalue. Uroj që ky libër të ketë vendin e vet dhe të çmohet për dobinë përkatëse në fushën e pamatë të përkthimeve që kanë ba zejtarët e heshtun të shqipes në kohën e diktaturës.

*titulli është redaksional

 

Dostojevski dhe joracionalja e njeriut

Shënime nga bodrumi  u botua për herë të parë në janar të vitit 1864, në stinën më të murrët të karrierës së Fjodor Dostojevskit. Gazeta që pati themeluar ishte në prag dështimi, e shoqja po vdiste, gjendja financiare sa vinte e përkeqësohej dhe konservatorizmi i tij po ia shkatërronte popullaritetin në sytë e shumicës liberale të publikut lexues, çka e kish bërë shënjestër sulmi në shtypin liberal.

Shënime nga Bodrumi karakterizohet nga fuqia e tonit: ai është i ftohtë, i sertë e madje i hidhur. Rrënjët e hidhërimit që bart romani mund të gjurmohen lehtë te fatkeqësitë e shumta personale që pësoi Dostojevski ndërsa shkruante veprën. Gjithsesi, në tekst, më fort se fatkeqësitë, kjo vepër dhe krejt korpusi letrar që autori do të shkruante më pas, do të ndikohej nga pikëpamjet e reja që ai do të tharmonte gjatë këtyre viteve të vështira si edhe nga largimi përherë e më i skajmë prej nga liberalizmit europian e materializmit të periudhës rinore. Në këto kohë ai i kushtoi vëmendje të madhe socializmit utopik dhe vizionit për një jetë të përkryer e të rregullt.

Ndërsa Dostojevski vuante dënimin në burg dhe më pas në mërgim, në Rusinë e asokohe morën hov idetë e socializmit utopik. Vitet e burgut ndikuan tek autori duke e bërë të kuptonte se shpirti dhe psika e njeriut brendambante më shumë sesa thjesht arsye dhe përndritje. Ai krijoi bindjen se njerëzit ishin po aq të aftë për të paarsyeshmen sa ishin për të arsyeshmen, madje irracionalja ishte vetë njësia bazë e njeriut mbi të cilën racionalja në rastin më të mirë mund të ndërtonte veç një strukturë efemere por përherë të brishtë. Shënime nga bodrumi e shpreh këtë bindje mbi brendinë thelbësore të njeriut më fort se çdo vepër tjetër e autorit.

Në notën hyrëse të librit autori na njofton se protagonisti i këtyre shënimeve ndonëse imagjinar, bart dhe shfaq pashmangësisht tiparet dalluese të kohës së tij. Kështu Dostojevski na tregon se ky narrator, i dobët, hakmarrës, lajkator e sadist, që kënaqet deri edhe me poshtërimet që i shkakton vetvetes, në fakt është prototipi i individit modern dora vetë. Në këtë  thuajse “ditar” Dostojevski formulon për herë të parë “vetëvrasjen logjike”, si rrjedhojë  e kontradiktës zanafillore pas së cilës natyra i jep njeriut aq mend sa për ta kuptuar se ai nuk do ta zbërthejë kurrë qëllimin e jetës. Në shtrirjen e vet, vepra rravgon tema thelbësore si kritika e pastër ndaj idesë se me anë të arsyes qenka e mundur për njerëzimin të krijojë një shoqëri të përsosur dhe të eliminojë vuajtjen.

Jo vetëm Shënimet, por e gjithë vepra e Dostojevskit tejshkohet nga i njëjti fill përbashkues, psikologjia njerëzore dhe humnera e pafundme në të cilën vetë pasqyrohet kush mëton të shohë brenda saj, vjen si lajtmotivi kryesor letrar. Vepra ofron një pamje mjaft perceptuese dhe të thellë të njeriut, nëpërmjet një konstrukti që harmonizon bukur mirë lidhjen mes dy pjesëve (monolog dhe ngjarje). Shënime nga Bodrumi vjen gati si doracak i këtij lajtmotivi dhe i krejt filozofisë së autorit duke u bërë kësisoj vepra që do t’i hapë rrugë romaneve të mëdha të mëvonshme, si Idioti, Krim dhe Ndëshkim apo Vëllezërit Karamazov.

Shumë e kanë patur të vështirë të pranojnë se “njeriu nëntokësor” mund të kishte lidhje me ata vetë. Për rrjedhojë, e kishin më të lehtë ta reduktonin rëndësinë e kësaj pune duke e etiketuar si fantazi ose, në rastin më të mirë, si një studim interesant mbi mendjet e shqetësuara. (Ky ka qenë shumë herë fati i veprave të Dostojevskit). Të tjerë, kryesisht kritikët ekzistencialistë, i kanë caktuar Shënimeve një vend të dalluar jo vetëm ndër veprat e Dostojevskit por në krejt paradigmën e letërsisë botërore. Jean-Paul Sartre ka gjetur në njeriun nëntokësor një paraardhës dhe zëdhënës për filozofinë ekzistencialiste. Për Sartrin, ky libër është thelbësor në analizën e qartë që arrin t’i bëjë natyrës thellësisht joracionale të njeriut, i cili mund të jetë krijues i veprave dhe ndjesive më të larta e në të njëjtën kohë bartës i baltës më të fëlligët.

Botuesi i kësaj vepre në shqip ka bindjen se shì për të shmangur ankthin e përhershëm të ekzistencës, rrëfyesi i këtyre Shënimeve e nxjerr zhveshur mjerimin e vet nëpër rreshta, në mënyrë të tillë që t’i flasë tonit. Ato janë rrëfime të vërteta e të sajuara njëherit; kontradiktën e shoqëron vetëdija e kontradiktës, e në të njëjtën kohë vetëdenigrimi është një kënaqësi e cila nuk arrin dot kurrë ta dlirë individin nga pengjet. Për të liruar nga këto pengje e për t’i dhënë kuptim gjithçkaje lypet një besim i fortë që ky njeri nuk e ka, porse prania e të cilit rri pezull mbi tekst si fantazëm deri në më të mbramen fletë.

*Shënime të botuesit

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Baton Haxhiu: Historinë e Berishës po e vret Shkëlzeni dhe Armina

Gazetari dhe publicisti nga Kosova ishte i ftuar në Forumet UET nën...
Read More