Dr. Pinguli merr titullin Misionar i Paqes “Nënë Tereza e Shenjtë”

Vlerësohet edhe si biznesmen dhe publicist në fushën e ekonomisë e albanologjisë

Dr. Stefan Pinguli, biznesmeni, publicisti, eksperti i ekonomisë dhe aktivisti i njohur shoqëror është nderuar këto ditë me titullin honorifik të misionarit të paqes “Nënë Tereza e Shenjtë” akorduar nga Misioni Diplomatik “Paqe dhe Prosperitet”, një titull i shoqëruar edhe me medalje të artë.

I përzgjedhur mes rreth 80 kandidaturave nga hapësira shqiptare, dr. Pinguli është vlerësuar për angazhimin e madh dhe kontributin e çmuar në fushën kërkimore për ekonominë, për frymëzim, kohezion social dhe paqe ndërkomunitare, si biznesmen i suksesshëm dhe ndërtues, si administrator i kompanisë Stefani & Co, si një lider i shquar i shoqërisë civile në Ballkan, si President i Fondacionit shqiptar “Illyricum Sacrum”, si botues dhe publicist, si misionar i paqes, si aktivist i mirënjohur i të drejtave njerëzore dhe si promotor i misioneve të ardhme që sjellin paqe dhe prosperitet për gjithë shoqërinë njerëzore.

Urdhri është firmosur nga Kryetari Honorifik i Misionit Diplomatik “Paqe dhe Prosperitet”, Ambasador, prof. dr. Madhu Krishan, njëkohësisht Kryetar i Akademisë së Paqes Universale Globale dhe Bishop dr. Jose A. P. Moreno, i Kishës Katolike Anglikane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Misioni Diplomatik “Paqe dhe Prosperitet” është krijuar me iniciativën e ish-ambasadorit amerikan Riçard Hollbruk, si një mision paqeje në Ballkan dhe në mbarë botën, nën idetë e lëvizjes për Paqe dhe Prosperitet të ish-presidentit amerikan Dwight D. Eisenhower. DMPP është një organizatë globale për paqen e mbështetur nga një grup i madh diplomatësh në mbarë botën. Një kontribut i madh për krijimin e këtij misioni është dhënë edhe nga dr. Ibrahim Rugova, ish-Presidenti i Kosovës. Misioni Diplomatik “Paqe dhe Prosperitet” punon për krijimin e lobeve të fuqishme me personalitete botërore në mbështetje të zhvillimeve demokratike të Ballkanit, të atyre të vendeve në zhvillim, sipas parimeve të OKB-së dhe demokracisë amerikane. Ky mision lobon t’u mësojë vendeve në zhvillim se si të vetëqeverisen sipas modelit të demokracisë amerikane. Po kështu, në të njëjtën kohë dr. Stefan Pingulit, biznesmenit, publicistit dhe aktivistit të njohur shoqëror i është akorduar njëkohësisht edhe titulli Doktor “Honoris Causa” për Ekonomi dhe të Drejtat Humane nga Akademia e Paqes Universale Globale, themelues dhe kryetar i së cilës është prof. dr. Madhu Krishan.

Veç kontributeve të tjera, vitet e fundit dr. Stefan Pinguli është dalluar me publikimet e shpeshta në mediat kryesore të shkrimeve që kanë si tematikë ekonominë dhe sidomos albanologjinë, gjithmonë të lidhur me resurset turistike të Shqipërisë, mënyrat më efikase për të payur rezultate në zgjerimin e mbarëvajtjen e turizmit etj. Dr. Stefan Pinguli është edhe autor i librit “Posttranzicioni – dilemat e lirisë ekonomike”, publikuar pak muaj më parë, ku i bëhet një analizë e hollësishme gjendjes aktuale të ekonomisë shqiptare, raporteve të saj me shtetin dhe reformat qeveritare. Në punim jepen gjithashtu edhe ide të përpunuara hollësisht se si ekonomia shqiptare mund të dalë nga tranzicioni i tejzgjatur duke realizuar fitime që mund të kënaqin edhe investitorët edhe shtetin.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

A ka motor ekonomik programi i “Rama 2”?

Premtimi më ambicioz i qeverisë është rritja ekonomike në nivelin 5,5-6 %...
Read More