Drafti në Komision, ja zgjidhja e mazhorancës për vendet e rezervuara

Edi RamaProjektligji parashikon që deri në zgjedhjet e ardhshme, të gjitha institucionet e sistemit të drejtësisë të votohen me 2/3. Pas zgjedhjeve, parashikohet zgjedhja me 3/5

Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi do të tentojë sot që të votojë draftin e ndryshimeve kushtetuese, pavarësisht faktit se ai deri më tani nuk konsensusin e opozitës. Për këtë qëllim, dje, të gjithë anëtarëve të këtij komisioni iu është dorëzuar drafti final, i cili reflekton edhe diskutimet, kundërshtimet dhe një pjesë të lëshimeve që mazhoranca pretendon se ka bërë ndaj kërkesave të opozitës. Kështu, së pari, në këtë draft janë hequr përfundimisht dy institucione nga struktura e sistemit të drejtësisë. Bëhet fjalë për Tribunalin e Lartë Disiplinor dhe Gjykatën e Lartë Administrative. Por ndryshimi më i rëndësishëm prek pikërisht mënyrën e zgjedhjes së katër institucioneve: Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Komisionit dhe Kolegjit të Pavarur i Kualifikimit. Për të 4 këto institucione, drafti i ri parashikon dy mënyra zgjedhjeje, për dy kohë të ndryshme. Drafti final i ndryshimeve kushtetuese parashikon që në përgjithësi anëtarët që nuk vijnë nga sistemi i drejtësisë dhe që votohen nga Kuvendi në këto institucione, zgjidhen me shumicë të cilësuar prej 3/5 e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Por, për të shmangur kapjen e këtyre institucioneve nga mazhoranca aktuale, e cila i ka aktualisht 3/5 e votave, të majtët në këtë draft parashikojnë edhe një zgjidhje, që vjen si pjesë e dispozitave tranzitore.

Më konkretisht, propozohet që deri në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, por jo më vonë se data 1 shtator 2017, zgjedhja e anëtarëve jo gjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve jo prokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, komisionerëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe gjyqtarëve të Kolegjit të Apelimit, sipas Nenit 179/b do të bëhet me dy të tretat e anëtarëve të Kuvendit. Ndërkohë që nëse dështon votimi me 2/3 apo edhe më vonë ai me 3/5, në zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit dhe Kolegjit të Pavarur të Kualifikimit, projektligji që do diskutohet sot ka parashikuar edhe një zgjidhje që kërkon të rrisë besimin e palëve te procesi. Më konkretisht, për plotësimin e këtyre dy institucioneve propozohet që Avokati i Popullit mbledh të gjitha kandidaturat që duan të konkurrojnë dhe pasi bën verifikimin formal ligjor të tyre, i paraqet listën e kandidatëve Kuvendit. Nëse Kuvendi nuk arrin t’i zgjedh me 2/3, atëherë ftohet Presidenti, që të përzgjedh nëpërmjet një shorti publik.

 

Ndryshimet në draftin e ndryshimeve kushtetuese

Neni 33

Këshilli i Lartë Gjyqësor përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga gjyqtarët e të gjitha niveleve të pushtetit gjyqësor dhe pesë anëtarë zgjidhen nga Kuvendi, nga radhët e juristëve jo gjyqtarë.

Anëtari gjyqtar përzgjidhet nga radhët e gjyqtarëve me integritet të lartë moral dhe profesional.

Anëtari jo gjyqtar zgjidhet me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit mbi bazën e propozimeve nga radhët e avokatëve, një anëtar, nga radhët e noterëve, një anëtar, nga trupa e pedagogëve të drejtësisë, një anëtar, nga trupa e pedagogëve jo gjyqtarë ose prokurorë të Shkollës së Magjistraturës, një anëtar, dhe nga shoqëria civile, një anëtar. Për çdo vend vakant organet propozuese i paraqesin Këshillit të Emërimeve në Drejtësi pesë kandidatë të përzgjedhur, sipas një procedure transparente dhe publike. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi bën renditjen e kandidatëve dhe ia dërgon Kuvendit.

Kuvendi voton veçmas për secilin grup kandidatësh. Kur në votimin e parë nuk arrihet shumica prej tre të pestave, Kuvendi voton përsëri brenda 7 ditëve. Në rast se shumica prej tre të pestash nuk arrihet as në votimin e dytë, kandidatët e renditur të parët për secilin grup konsiderohen të emëruar.

Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor zgjidhet në mbledhjen e parë të Këshillit nga radhët e anëtarëve jo gjyqtarë, sipas ligjit.

Neni 43

Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat 7 vjeçar dhe pa të drejtë riemërimi.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë përzgjedh dhe rendit tre kandidatët më të kualifikuar bazuar në një thirrje publike dhe procedurë transparente, dhe ia përcjell ata Kuvendit, sipas ligjit.

Nëse Kuvendi nuk zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve nga paraqitja e propozimeve, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë konsiderohet i emëruar.

Neni 49

Këshilli i Lartë i Prokurorisë përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga prokurorët e të gjitha niveleve të prokurorisë dhe pesë anëtarë zgjidhen nga Kuvendi nga radhët e juristëve jo prokurorë.

Anëtarët prokurorë përzgjidhen nga radhët e prokurorëve me integritet të lartë moral dhe profesional, sipas një procedure transparente dhe publike që siguron një përfaqësim të drejtë të të gjitha niveleve të prokurorisë. Anëtarët jo prokurorë përzgjidhen nga radhët e juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojë pune në profesion, me integritet të lartë moral dhe profesional. Ata nuk duhet të kenë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit. Kritere të tjera dhe procedura për përzgjedhjen e kandidatëve parashikohen me ligj.

Anëtarët jo prokurorë zgjidhen nga Kuvendi me tre të pestat e të gjithë anëtarëve mbi bazën e propozimeve nga radhët e avokatëve, një anëtar, nga radhët e noterëve, një anëtar, nga trupa e pedagogëve të drejtësisë, një anëtar, nga trupa e pedagogëve jo gjyqtarë ose prokurorë të Shkollës së Magjistraturës, një anëtar dhe nga shoqëria civile, një anëtar. Për çdo vend vakant organet propozuese i paraqesin Këshillit të Emërimeve në Drejtësi pesë kandidatë të përzgjedhur, sipas një procedure transparente dhe publike. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi bën renditjen e kandidatëve dhe ia dërgon ata Kuvendit.

Kuvendi voton veçmas për secilin grup kandidatësh. Kur në votimin e parë Kuvendi nuk arrin shumicën prej tre të pestave, brenda 7 ditëve Kuvendi voton sërish. Në rast se kjo shumicë nuk arrihet as në votimin e dytë, kandidati i renditur i pari nga secili grup konsiderohet i emëruar.

Neni 54

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi kryen verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjore, profesionale dhe morale të kandidatëve jo gjyqtarë për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, kandidatëve jo prokurorë për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi shqyrton dhe rendit kandidatët. Renditja e kandidatëve nuk është e detyrueshme me përjashtim të rastit kur Kuvendi nuk arrin të emërojë kandidatin.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi mblidhet sa herë është e nevojshme.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga nëntë anëtarë të përzgjedhur me short, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore. Ata ushtrojnë detyrën me mandat një vjeçar, që fillon në datën një janar të çdo viti kalendarik. Presidenti i Republikës përzgjedh me short, midis një dhe pesë dhjetorit të çdo viti kalendarik, dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, një gjyqtar të Gjykatës së Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë pranë gjykatave të apelit dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative. Nëse Presidenti i Republikës nuk arrin të përzgjedhë deri në datën pesë dhjetor, Kryetari i Kuvendit përzgjedh me short anëtarët përpara datës dhjetë dhjetor të atij viti kalendarit. Avokati i Popullit merr pjesë si vëzhgues në procedurën e hedhjes së shortit si dhe në mbledhjet dhe veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është anëtari i Gjykatës së Lartë.

Neni 56

Këshilli i Lartë Gjyqësor krijohet brenda tetë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë e përfundojnë mandatin e tyre pas krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, por jo më vonë se zgjedhja e të gjithë anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, sipas ligjit.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë krijohet brenda tetë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Gjatë mandatit të tyre nëntë vjeçar gjyqtarët e Kolegjit të Apelimit, sipas Nenit 179/b, kanë juridiksion disiplinor ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorit të Përgjithshëm dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë emërohet brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Deri në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, por jo më vonë se data 1 shtator 2017, zgjedhja e anëtarëve jo gjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve jo prokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektorit të Lartë Drejtësisë, Prokurorit të Përgjithshëm, komisionerëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe gjyqtarëve të Kolegjit të Apelimit, sipas Nenit 179/b do të bëhet me dy të tretat e anëtarëve të Kuvendit. Zgjedhjet e tjera do të bëhen me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit.

Neni C

Dispozita të përgjithshme për Komisionin dhe Kolegjin e Apelimit

Komisioni përbëhet nga katër trupa gjykues të përhershëm me tre anëtarë secili.

Dy Komisionerë Publikë përfaqësojnë interesin publik dhe mund të paraqesin ankim kundër vendimit të Komisionit.

Avokati i Popullit organizon procesin e hapur dhe transparent të aplikimit për pozicionin e anëtarit të Komisionit, gjyqtarit në Kolegjin e Apelimit, si dhe të Komisionerit Publik. Të gjithë kandidatët paraqesin pranë Avokatit të Popullit aplikimet dhe deklaratat e pasurive, në përputhje me parashikimet e ligjit. Avokati i Popullit harton një listë emërore të kandidatëve që plotësojnë kriteret përzgjedhëse formale dhe ia dërgon atë Kuvendit.

Brenda 30 ditëve nga marrja e listës emërore, Kuvendi me tre të pestat e të gjithë anëtarëve të tij, zgjedh anëtarët e Komisionit, gjyqtarët e Kolegjit të Apelimit dhe dy Komisionerët Publikë nga lista e dërguar prej Avokatit të Popullit, duke marrë parasysh rekomandimet e dhëna nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Në rast se Kuvendi nuk arrin të zgjedhë të gjithë anëtarët, gjyqtarët dhe komisionerët publikë brenda 30 ditëve, në ditën e tridhjetë e pestë Presidenti i Republikës, nga lista emërore e kandidatëve të rekomanduar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, përzgjedh me short publik anëtarët, gjyqtarët ose komisionerët publikë. Emrat e përzgjedhur konsiderohen automatikisht të emëruar. Procedurat e mëtejshme rregullohen me ligj.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Dosja e Sigurimit të Shtetit: Zgjedhjet e para, trakti që bënte thirrje për bojkotin e zgjedhjeve

Opozita e parë shqiptare, Bashkimi Demokratik, për herë të parë në një...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.