Drama e ‘Astirit’ është se legalizimet janë përdorur për blerje votash

Nga Enton Palushi 

Edhe te drama e ndërtimeve pa leje te zona e Astirit, sërish do të fshihet nga pas problemi i manipulimit të zgjedhjeve

Kur Frans de Waal, një primatolog holandez, kreu një prej eksperimenteve më interesante të dekadave të fundit, pati një vërshim analizash dhe komentesh nga mbarë bota. Antropologë, ekonomistë, filozofë nisën të shkruajnë për përfundimet e eksperimentit. Thuhet se një filozof i shkroi se majmunët nuk mund të dinë se çfarë është e ndershme, pasi sensi i së drejtës është zbuluar gjatë Revolucionit Francez. De Waal e thotë me të qeshur se një tjetër filozof i kishte shkruar një analizë të gjatë për moralin e kafshëve, duke theksuar se do ta besonte përfundimin e eksperimentit, nëse majmuni që mori rrushin, do ta refuzonte.

Por çfarë është ky eksperiment që ka bërë kaq shumë bujë?

Dy majmunë kapuçinë u vendosën në dy kafaze të ndryshme dhe u trajnuan për të kryer një detyrë të thjeshtë. Sa herë e kryenin këtë detyrë, merrnin një shpërblim. Në këtë rast merrnin nga një fetë kastravec. Çdo majmun, që vinte nga e njëjta tufë, duhej të sjellë një guralec për të marrë shpërblimin.

Krejt papritur, trajneri ndryshon lojën. Njërit majmun i jep si shpërblim një fetë kastravec, tjetri merr një kokërr rrushi. Në botën e majmunëve kapuçinë, kastraveci ‘shtyhet’, por rrushi është i mrekullueshëm. Majmuni që merr kastravecin fillimisht nis të shohë ‘shtrembër’ dhe më pas sa herë majmuni tjetër merr rrushin, ai ia hedh kastravecin trajnerit dhe nis të bëjë zhurmë të fuqishme në kafaz plot zemërim. Edhe majmunët e dinë se çfarë është e drejtë dhe e ndershme.

Eksperimenti në fjalë na mëson se edhe në botën e kafshëve njihet koncepti i drejtësisë. Ndërsa për njerëzit, disa eksperimente kanë sugjeruar se edhe bebet 12-muajshe dinë të preferojnë të drejtën nga e padrejta.

***

Në mesin e të ftohtit të nëntorit, një grua u lidh drejtpërdrejt me një nga studiot e shumta televizive ku po transmetohej live një debat politik për çështjen e prishjes së ndërtimeve pa leje në Unazën e Re. Për gruan, shqetësimi më i madh ishte fakti se banesa përpara shtëpisë së saj, por edhe ajo anash, ishin të legalizuara dhe do e marrin dëmshpërblimin. Kurse për të, mundi i një jete do të shkojë dëm për shkak të një procesi më së paku të pandershëm. Duket se ajo grua, si shumë banorë të tjerë të zonës së Astirit, nuk është e shqetësuar se komshiu i saj ka bërë loto, pallat pesëkatësh, biznes apo diçka tjetër, siç mundohet të ndezë gjakrat qeveria. Për të nuk ka rëndësi pabarazia, por padrejtësia. Ajo dhe shumë të tjerë nuk ndihen se po trajtohen ndershëm në procesin e legalizimeve, që ka prodhuar shumë dramë, por edhe padrejtësi. Dhe siç thoshte një juriste amerikane që vizitoi Shqipërinë shumë vite më parë, thelbi i problemit në vendin tonë është padrejtësia.

***

Ajo grua mund të quhet pushtuese, zaptuese, shpellare e çfarëdo, por është pjesë e thuajse gjysmës së shqiptarëve, që sipas të dhënave, kanë një ndërtim pa leje. Pa përmendur këtu edhe faktin e rëndë që shumë prej pallateve e godinave me leje, nuk është e thënë se i plotësojnë kushtet për të qenë në rregull, por mbrohen pas një cope letre që ua ka dhënë dikush teksa shkel ligjin. Për thuajse gjashtë vite, kjo qeveri tha se u mor me çështjen e legalizimeve, por ligjërimi i godinave në mënyrë selektive dhe preferenciale e ka bërë problemin më të rëndë. Përse duhet që disa godina në atë zonë të jenë të legalizuara e të tjerat jo? Përse për gjashtë vite, kjo qeveri që erdhi me flamurin e ‘edukimit’ të qytetarëve dhe drejtësisë, të mos bënte legalizime të plota të zonave? Përse u dashka pritur gjashtë vite për t’u thënë banorëve se keni zënë ‘shtratin’ e Unazës (vini re as theksohet fjala ‘shtrat’)? Një qeveri nuk vjen kurrë në pushtet për të treguar ‘dhëmbët’, por për të bërë drejtësi. Por që të kuptosh se përse është bërë legalizimi selektiv, duhet të prekësh atë që është problemi më i madh i Shqipërisë: Zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

***

Në vitin 2015, misioni i ODIHR për zgjedhjet nuk priti deri në ditën e zgjedhjeve, por duke parë përmasat e ‘epidemisë’ së përdorimit të lejeve të legalizimit për blerje zgjedhjesh, bëri një deklaratë. Sipas tyre, mazhoranca po përdorte legalizimet për qëllime zgjedhore.

Ndërkohë para pak kohësh, një ekspert i KiE e tha qartë se në vitin 2017, legalizimi i banesave në Shqipëri u përdor për të manipuluar votat. Duke folur në Komisionin e Reformës Zgjedhore, Quentin Reed tha: Kur jepet vota për një post në administratë është klientelizëm, qoftë edhe kur paratë për votën jepen në avancë. 20% kanë konfirmuar shitblerjen e votës. Edhe kontratat e legalizimit të banesave janë përdorur për të blerë votat.

Disa preferojnë që të bëjnë debat se sa për qind e votave mund të jenë blerë, duke thënë se vërtet janë blerë disa vota, por kjo nuk cenon integritetin e zgjedhjeve dhe fitoren e qeverisë. Por atëherë pse u dashkan të blejnë zgjedhje? Njësoj si të arrestosh një hajdut e më pas ta lirosh duke thënë se ka vjedhur 20 për qind të një shtëpie.

***

Para pak javësh publikova pjesë të një libri që ka bërë shumë bujë në Perëndim, të titulluar “Si të manipulosh zgjedhjet”, nga studiuesit Nic Cheeseman dhe Brian Klaas. Sipas tyre, manipulimet e zgjedhjeve po bëhen gjithmonë e më të pranishme, aq sa tashmë të gjithë autokratët nuk preferojnë që të mos bëjnë zgjedhje, por i bëjnë pasi është më lehtë t’i manipulosh dhe të legjitimohesh në pushtet. Industria kriminale e manipulimit të zgjedhjeve gjeneron miliarda euro fitime.

Rruga më e zgjuar për të manipuluar zgjedhjet është që ta bësh këtë përpara se të printohen fletët e votimit. Nëse do të manipulosh zgjedhjet me tipa të fortë dhe me kuti të mbushura, ke dështuar. Sot, autokratët më efektivë i vjedhin zgjedhjet përpara se të hapen qendrat e votimit, shkruajnë ata.

“E thënë shkurt, ndërsa në botë po mbahen gjithmonë e më shumë zgjedhje, dhe po ashtu po monitorohen gjithmonë e më shumë zgjedhje për të verifikuar integritetin e tyre, kjo lojë po bëhet gjithmonë e më e komplikuar. Sa herë që vëzhguesit perëndimorë pikasin dhe dënojnë një mënyrë manipulimi, pushtetarët oportunistë ndryshojnë taktikat dhe bëhen më të mirë në fshehjen e manipulimeve”.

***

Kur flitet për rëndësinë e zgjedhjeve, debati duket sikur shuhet. Por koha e ka provuar se në çdo problem të madh që po shfaqet sot në Shqipëri, nga pas fshihet prekja e zgjedhjeve. Të huajt mezi presin të thonë se po bëhet një tjetër reformë zgjedhore. Kurse qeveria mezi pret që të gjejë metodën e radhës për manipulimet. Si me legalizimet. Kurse shqiptarëve nuk u intereson shumë pasi po u shuhet interesi te politika. Dhe kjo prodhon dramën më të madhe. Sa më shumë të besojë qeveria se njerëzit nuk duan të votojnë, aq më e lirë rruga për të prekur diçka që bëhet gjithmonë e më pak e shenjtë në një vend, siç është vota. Sidomos kur në pushtet ke një qeveri që mendon se po ia bën opozitën vetes. Me bindjen se indiferenca e tyre do u bëhet mësim pushtetarëve, qytetarët që nuk votojnë- ose që i shkarravitin fletët e votimit, nuk dinë diçka shumë të rëndësishme: në demokraci nuk ekziston mosvotimi.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ervin Salianji: Ju rrëfej “inkriminimin” tim me botën universitare

“Jam ‘inkriminuar’ për lidhje me universitete dhe është një akuzë që më...
Read More