Drejt Epsilonit të Eridanit, dhe një histori e munguar e letërsisë së fanta-shkencës

 

Një analizë e romanit “Drejt Epsilonit të Eridanit” me autor Arion Hysenbegasi, i cili e vendos historinë e letërsisë fantastiko-shkencore tek ne në një nivel bashkëkohor që në fillim të viteve 80-të. “Tani ndodhem në qytetin “Zjarri i Akullt”, që më ka pëlqyer gjithmonë, sepse është qyteti i ndryshimeve të mëdha dhe e meriton plotësisht emrin e tij. Ai jeton midis akujve të Arktikut, pa u dredhur aspak nga e ftohta polare. Ka një arkitekturë të vetën dhe brenda tij jetohet si në zonën subtropikale, falë energjisë atomike. Kështu, ndërsa nëpër kafenetë e tij pihen pije freskuese dhe punojnë kushtëzues të fuqishëm të ajrit nëpër rrugët e drejta e të gjëra rrëshqasin automjete të shpejta të vetëdrejtueshëm që mbartin qytetarë të veshur si në verë, ndërsa nëpër pishina njerëzit notojnë e bëjnë banja dielli me rreze ultraviolet, nëpër shtëpitë e banimit, qëndrat e punës e kudo, njerëzit presin me kënaqësi flladin e erës së krijuar artificialisht, përreth tij e ftohta polare forcon akujt e përjetshëm , era polare fërshëllen, duke marrë me vete grimca e pluhur akulli…”.

Rreshtat e mësipërm janë shkëputur nga prologu i romanit “Drejt Epsilonit të Eridanit” me autor Arion Hysenbegasi. Një roman i cili e vendos historinë e letërsisë fantastiko-shkencore tek ne në një nivel bashkëkohor që në fillim të viteve 80-të. Nëse lexuesit i kanë përjetuar udhëtimet në univers apo oqeanin galaktik përmes leximeve të autorëve të huaj për fanta-shkencën, shpesh përmes përkthimeve, ky libër është një “udhëtim shqiptar”, përmes një anije kozmike fotonike me një ekuipazh kozmonautësh, të sprovuar e të guximshëm në bord të cilët përshkojnë hapësira të pafundme…

Një aventurë që shoqërohet me rreziqe e zbulime, për të arritur drejt një planeti që sillet rreth yllit Epsilon të yllësisë së Eridanit… I bazuar tek shkenca, pasi autori vjen nga një formim në Shkencat e Natyrës ky libër na fton në një udhëtim të paharrueshëm nëpër galaktikë. Arion Hysenbegasi është autor i një vargu artikujsh shkencorë. Ai krijoi dhe drejtoi (gjatë viteve 1993-1997) revistën “Gjithësia”, një revistë e përmuajshme enciklopedike (shkencë, art). Botimi i romanit nga “Aleph” 2018, sjell dhe versionin e plotë të këtij romani, gati 35 vjet nga botimi i tij i parë. I përfunduar si dorëshkrim në vitin 1979, romani fantastiko-shkencor “Drejt Epsilonit të Eridanit” u botua për herë të parë nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” më 1983.

Megjithëse (siç veprohej rëndom në atë kohë) për botimin e romanit, media nuk bëri asnjë paraqitje dhe shtëpia botuese vetëm përmendi titullin përkatës në një listë të botimeve të saj, i gjithë tirazhi përkatës u shit brenda një kohe fare të shkurtër pas ditës së shpërndarjes së tij. Ky roman është i pari roman i mirëfilltë fantastiko-shkencor i letërsisë shqipe. Në vitin 1991 autori do të botojë një tjetër roman të kësaj gjinie “Lundrimi i parë”,( 1991). Ashtu si gjinitë e tjera dhe fanta-shkenca shqiptare ka historinë e saj pothuajse të panjohur nga kritika.

Autorë si Arion Hysenbegas kanë dhënë një kontribut në këtë gjini me disa libra, që dhe pse të shkruar gati tre dekada më parë, janë po aq interesant për nga tematika dhe rrëfimi për lexuesin. Subjekti i romanit e fut lexuesin në një përvojë të rrallë, duke i dhënë jo vetëm një udhëtim letrar por dhe informacione të rëndësishme mbi shkencën. Për autorin toka nuk është e përjetshme dhe dukuri shkatërrimtare mund ta sulmojnë planetin… Duke përdorur të vërtetat e shkencës për një aventurë imagjinare , udhëtimi përmes rrëfimeve në këtë libër në univers lë mbresa që mbeten gjatë tek ty.

“Ngjarjet në roman zhvillohen në një kohë kur dija e teknologjitë kanë evoluar në tokë deri në atë shkallë sa kanë bërë të mundur ndërtimin e një anije kozmike që mund të lundrojë me shpejtësi të afërt me atë të dritës. Dhe kështu njeriu e një ekuipazh i zgjedhur kozmonoatësh niset drejt Epsilonit të Eridanit me anijen fotonike Kometa III. Është padyshim një ngjarje e madhe. Epsiloni i Eridanit gjendet 11 vjet dritë larg tokës. Anijes kozmike i duhet të përshkrojë detyra të gjerë të galaktikës, të kapërcejë dukuri natyrore sulmuese…”, thotë autori.

Lexuesi i këtij romani nuk ka moshë, ashtu si historia që është pa kohë. Përtej historisë që e bën më të pazakontë fanta-shkencën, ky botim është një moment reflektimi mbi letërsinë e fanta-shkencës dhe autorët e saj për të cilët flitet shumë pak këto vite. Ne nuk kemi ende një histori tonën të letërsisë së fanta-shkencës, apo një njohje më të thellë të autorëve që e kanë lëvruar këtë gjini. Në botë autorë të fanta-shkencës si është rasti i Artur Klark apo të tjerë janë ndër më të shiturit në librari. “Zhyl Vernët” e kohëve moderne janë ndër autorët më të preferuar të botuesve pikërisht për numrin e garantuar të shitjeve. Pasi çdo lexues pëlqen të humbi përmes fantastikes dhe reales, ku gjen shpesh dhe të vërteta të jetës.

“Megjithëse më është dashur të udhëtoj dhe edhe të qëndroj për periudha të ndryshme kohe në pika të caktuara të sistemit tonë diellor, sa herë kam marrë rrugën e kthimit, sa herë kam parë Tokën mes detit kozmik ashtu të mbështjellë nga një vel i kaltër, sa herë e kam parë të vijë duke u zmadhuar drejt meje dhe gradualisht duke më treguar më qartë e me qartë tiparet e saj të patjetërsueshme, gjithmonë më ka pushtuar të tërin një ndjenjë krejt e veçantë ngazëllimi, një ndjenjë e ngrohtë si në udhëtimin e parë. … në fund të fundit, ç ‘është mosha?! … Ka jetuar shumë ai që e ka jetën të mbushur me ngjarje, me përpjekje në të mire të dijes, të njerëzimit, të vetë jetës dhe ka jetuar pak ai që, pavarësisht nga numri ndoshta i madh i viteve të jetuara, s’ka lënë pas asgjë me vlerë për t’u kujtuar, ka pasur vite boshe…”. E autori ka të drejtë, çdo udhëtim të kthen të ndryshuar, e aq më tepër nëse ke përshkruar kozmosin…

A.Bardhyli

Arion Hysenbegasi lindi në Tiranë më 22 qershor 1943, nga një familje e vjetër intelektuale dhe atdhetare. Në vitin akademik 1963-1964 mbaroi studimet e rregullta universitare dhe u diplomua në degën e Matematikës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti Shtetëror i Tiranës.

Krijimtaria letrare:

“Si plasi një Sulltan”, (Përmbledhje përrallash e tregimesh)
“Drejt Epsilonit të Eridanit”, 1983 (Roman fantastiko-shkencor)
“Lundrimi im i parë”, 1991 (Roman fantastiko-shkencor)

“Matematika dhe muzika”, 1984
“Informatika”, 1987
“Endje nëpër hapësira me “n” përmasa”, 1997
“Matematika në artet figurative”, 2003

Përkthime:

Shopenhauer, “Metafizika e dashurisë”, 1995; botimi i dytë, 1999
Celentano, “Parajsa është një kalë i bardhë që nuk djersit kurrë”, 1998
Patrick Girard, “Këta don Zhuanë që na qeverisin”, 2000
Aldo Fittante, “Kjo është historia”, 2002

Shkruar Nga
More from Redaksia

Liqeni i Viroit i ‘pushtuar’ nga algat, biologët: Pastrimi, nevojë ekologjike

Rikonstruksioni i Parkut të Viroit, një investim i qeverisë shqiptare me vlerë...
Read More