Drejtësia në dorë të goglave

De jure vendos seanca e të enjtes, por Kuvendi de facto i ka zgjedhur anëtarët që i kërkon ligji edhe pse me kontestime nga ana e opozitës. Nënkomisioni ad hoc përzgjodhi dje me short manual 10 emrat për KLGJ e KLP. PD konteston 7 prej tyre.

Lista e tretë për përbërjen e anëtarëve jogjyqtarë për KLGJ-në dhe joprokurorë për KLP-në e përzgjedhur me short manual nga nënkomisioni ad hoc pas mungesës së konsensusit mes partive ka sjellë automatikisht edhe 10 emrat e parë për dy këshillat.

Në mungesë të kuorumit prej 93 votash, ligji ka paracaktuar mekanizmin zhbllokues duke i dhënë legjislativit vetëm dy herë mundësinë që të gjejë konsensusin. Në rast se edhe lista e tretë nuk kalon me konsensus në seancën e kësaj të enjteje, atëherë në fuqi futet automatikisht lista e fundit e miratuar nga nënkomisioni ad hoc, që është ajo e djeshmja, edhe ajo e miratuar nga goglat e shortit, si dy listat e para.

KLGJ ka një përbërje prej 11 anëtarësh, 6 prej të cilëve zgjidhen nga gjyqtarët e të gjitha niveleve të pushtetit gjyqësor dhe 5 nga Kuvendi, nga radhët e juristëve jogjyqtarë. Edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë përbëhet nga 11 anëtarë, 6 prej të cilëve zgjidhen nga prokurorët e të gjitha niveleve të prokurorisë dhe 5 anëtarë zgjidhen nga Kuvendi, nga radhët e juristëve joprokurorë. De jure vendos seanca e të enjtes, por Kuvendi de facto i ka zgjedhur anëtarët që i kërkon ligji edhe pse me kontestime nga ana e opozitës.

Partia Demokratike ka kundërshtuar të gjithë procesin e kandidimit dhe veprimet e institucioneve të përfshira në procedurën e përzgjedhjes për anëtarë të KLGJ-së dhe KLP-së duke ia faturuar kritikat sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Genc Gjonçaj, i cili në listën e kandidatëve kualifikues të depozituar në Kuvend, ka futur edhe kandidatë të skualifikuar nga Avokati i Popullit, Shoqëria Civile dhe Organizata Ndërkombëtare e Monitorimit (ONM). Nënkomisioni, në asnjë prej tri mbledhjeve të zhvilluara, nuk mundi të sigurojë të paktën katër vota, për të përfshirë në listën e kandidatëve emra që ishin përjashtuar nga sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genc Gjonçaj.

Nuk ndodhi as e kundërta. Deputetët e mazhorancës nuk pranuan që të hiqej asnjë kandidat nga lista “Gjonçaj”, deri dje. I vetmi që bëri përjashtim ishte emri i Kozma Janos që nënkomisioni mori vendim për të mos e përfshirë në votim pas bërjes publike të disa dokumenteve nga ana e PD-së ku, sipas saj, vërtetohej se Jano kishte qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit.

Partia Demokratike ka depozituar gjithashtu në Kuvend një material të hollësishëm për secilin prej emrave që Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit i ka kaluar paraprakisht nënkomisionit ad hoc përmes një raporti të posaçëm. Pjesë e raportit të PD-së janë edhe 7 nga 10 emrat që nënkomisioni kaloi dje me goglat e shortit.

Pas shortit manual të djeshëm, kandidaturat e përzgjedhura për KLGJ në listën e tretë janë: 1) Nga avokatia: Fatmir Luli, Alban Toro; 2) Nga trupa e pedagogëve: Maksim Qoku, Erion Muharremaj; 3) Nga shoqëria civile: Naureda Llagami.

Kandidaturat e përzgjedhura për KLP: 1) Nga avokatia: Nurihan Seiti, Tartar Bazaj;

Nga trupa e pedagogëve: Gent Ibrahimi, Sandër Beci; Nga shoqëria civile: Alfred Balla

Edhe lista e tretë, në argumentimet që jep PD-ja, çalon.

“…Kandidatet znj. Nurihan Seiti dhe znj. Fatmira Luli kanë qenë pjesëmarrëse, para vitit ’90, në gjyqe politike, respektivisht në rolin e Prokurores dhe gjyqtares. Ligji kërkon që të favorizuarit e sigurimit të shtetit para vitit 1990 duhet të skualifikohen”, thuhet në raportin që PD-ja ka dërguar pak kohë më parë pranë nënkomsionit ad hoc të përzgjedhjes. Po sipas deputetëve demokratë të nënkomisionit, z. Tartar Bazaj (një tjetër kandidat) rezulton të mos ketë plotësuar kriterin e shlyerjes rregullisht të detyrimeve tatimore. Demokratët kanë kontestime edhe për një tjetër kandidate, znj. Naureda Llagami, që sipas tyre nuk plotëson disa kritere. Nga shqyrtimi i dokumentacionit, sipas deputetëve të PD-së në nënkomision, rezulton se një tjetër kandidati, z. Alban Toro i mungon Libreza e Punës, për të provuar se ka ushtruar gjatë 10 viteve të fundit, pa ndërprerje, profesionin e avokatit.

Gent Ibrahimi dhe Alfred Balla janë dy kandidaturat që në raportet paraprake janë skualifikuar edhe nga ONM-ja. Dhe PD-ja jo pa qëllim e vë theksin te ky fakt.

“Konkretisht, në raportet e datës 25 Tetor 2017, ONM ka vlerësuar se kandidati nga radhët e pedagogëve për KLP z. Gent Ibrahimi, nuk përmbush kriteret e parashikuara në shkronjën “c”, të pikës 2 të nenit 134 të ligjit nr. 115/2016 dhe për pasojë duhet të skualifikohet nga kandidimi… Gjithashtu, kandidati z. Gent Ibrahimi, në kushtet e konfliktit të pastër të interesit, po tenton të përfitojë nga një sistem kandidimi, që propozoi vetë në cilësinë e ekspertit drejtues të procesit të hartimit të ligjit…”, thuhet në raportin e PD-së. Edhe kandidatura tjetër Alfred Balla është skualifikuar nga ONM.

“Përveç faktit që ky kandidat nuk i plotëson kriteret e përmendura në ligj vëzhguesit ndërkombëtarë kanë konstatuar se platforma e paraqitur nga ky kandidat është pothuajse plotësisht plagjiaturë e një platforme të paraqitur nga një kandidat tjetër, aplikimi i të cilit u refuzua në fazat e mëparshme të procesit duke qenë se nuk i plotësonte kriteret formale”, thuhej ndër të tjera, jo në raportin e PD-së, por në raportin paraprak të Kuvendit. “Për këtë arsye, vëzhguesit ndërkombëtarë janë të mendimit se ky kandidat nuk ka integritet të lartë moral që shpresohet nga një anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë…”, vijon raporti. Por Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ka sqaruar në anën tjetër se në vlerësimin e tij argumentet e ONM-së nuk përbëjnë kusht për skualifikim pasi platforma e kandidatit është element që i përket fazës së dytë të vlerësimit pasi ai të ketë kaluar fazën e parë të verifikimit të kushteve ligjore.

Balla ishte renditur i katërti nga Shoqëria Civile me 63 pikë në garën e tij për kandidat nga shoqëria civile, ndërsa pas shqyrtimit të dokumentacionit nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Genc Gjonçaj, ai u rëndit i pari me 80 pikë.

Megjithatë, përpos kontestimeve nga ana e opozitës, ONM-së apo edhe një vlerësimi tjetër nga Shoqëria Civile, lista e tretë me kandidatë për anëtarë të KLGJ-së dhe KLP-së pritet të hyjë në fuqi pas një votimi formal, që do të ketë ditën e enjte në Kuvend.

Por puna nuk mbaron këtu. Sepse për ngritjen e KLGJ-së dhe KLP-së nevojiten edhe 12 emra që duhet të vijnë nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Për përzgjedhjen e tyre, deri më tash nuk ka përfunduar as faza e parë që parashikon ligji, ajo e vettingut.

Lista e tretë dhe e fundit e përzgjedhur pas shortit manual

Kandidaturat e përzgjedhura për KLGJ

Nga avokatia:

Fatmira Luli

Alban Toro

Nga trupa e pedagogëve:

Maksim Qoku

Erion Muharremaj

Nga shoqëria civile:

Naureda Llagami

Kandidaturat e përzgjedhura për KLP

Nga avokatia:

Nurihan Seiti

Tartar Bazaj

Nga trupa e pedagogëve:

Gent Ibrahimi

Sandër Beci

Nga shoqëria civile:

Alfred Balla

Kandidaturat e kontestuara nga PD

Fatmira Luli

Alban Toro

Naureda Llagami

Nurihan Seiti

Tartar Bazaj

Genti Ibrahimi

Alfred Balla

Kandidatët e skualifikuar nga ONM

Gent Ibrahimi

Alfred Balla

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Antropologjia si kërkimi i një jete

Nga Tonin Gjuraj Libri i ri i prof. Aleksandër Dhimës u destinohet...
Read More