Drejtësia, një revani në tepsinë e Ramës

Nga Lisander Hoxha

Të gjitha pritshmëritë për një reformë funksionale, e cila u prodhua nga konsensusi historik i Korrikut 2016 me 140 vota pro, kanë filluar të zbehen. Vetë Reforma në Drejtësi u perceptua në publik si fundi i halleve të tyre dhe filluan edhe njerëzit të artikulojnë me terma të padëgjuar më parë si VETTING, KLP etj. Kjo reformë, në fakt, që në nisje u pri drejt mosbesimit ndaj palëve dhe krijoi disa precedentë të çuditshëm, si: letër-porositë e komisionit të ligjeve pa njoftimin e opozitës, kërcënimet antisovraniste të Ambasadorit Lu me viza të kuqe, mashtrimi me përkthimin e dokumentacionit të EURALIUS dhe së fundmi me një agjendë të fshehtë LGBTI, e cila pritej të kalonte me heshtje nën zhurmën e Reformës në Drejtësi.

Është e kotë të kthejmë kokën pas sepse të gjithë e dimë se vetëm insistimi i opozitës, edhe me koston e drejtimit të padenjë të gishtit si frikacak ndaj drejtësisë së pavarur, bëri që reforma të hynte në shinat e Komisionit të Venecias, i cili njihet botërisht për vlerat që përcjell në fushën e jurisprudencës. Por, pikërisht aty fillon dhe mbaron Reforma në Drejtësi. Kjo reformë nuk ishte konceptuar sipas Venecias dhe nuk duhej të përfundonte aty. Ishte investuar shumë në shoqata, media dhe në njerëz që kjo reformë të ishte në duart e Kryeministrit. Të gjithë kujtojmë të hetuarin për trafik ndërkombëtar droge, ish-ministrin Tahiri përkrah Donald Lu kur bënte deklarata për një byro kombëtare hetimi nën varësinë e Kryeministrit. Apo tentativat e shoqatave neokomuniste dhe liberale pranë të majtës që vulosnin çdo propozim si të pavlefshëm nëse dilte jashtë agjendës. Edhe sot po mbahen peng propozimet për anëtarin e shoqërisë civile në KLP “Këshillin e Lartë të Prokurorisë” duke mos u dërguar asnjë propozim prej dy vitesh. Kjo do të pengonte Edi Ramën që të zgjidhte Arta Markun në shkelje të Kushtetutës si Kryeprokurore. Kjo do të pengonte mbylljen e dosjeve në sirtar për Tahirin, Balilin, Habilin, Beqajn, Gjiknurin, Toyota Yaris, Bananet me drogë, pastrimin e parave të krimit etj. Ja pra që reforma duhej sabotuar me çdo kusht që të kemi një drejtësi si revani në tepsinë e Ramës.

E gjitha kjo ngjan si një teori e madhe konspiracioni, por nëse ngjarjet i shohim në mënyrë analitike do të kuptojmë se e vërteta është shumë e dhimbshme. Sot po shohim produktin post sabotim dhe po konstatojmë edhe disa çudira nga komisioni i Vettingut, i cili produktin e ka po aq qesharak dhe banal sa ç’është katandisur vetë reforma. Sot kemi asgjësim total të punës së gjykatave dhe në veçanti të Gjykatës Kushtetuese. Nuk njoh asnjë vend demokratik që ka kaluar apo po kalon një krizë të ngjashme. Si quhen vendet ku shumica prodhon çdo marrëzi që do me forcën e kartonit dhe opozita apo shoqëria nuk kanë asnjë vend ku të ankimojnë ligjin si antikushtetues? Quhen diktatura!

Po jetojmë mes propagandës, arrogancës dhe shtypjes sepse kemi asgjësuar drejtësinë. U kap politikisht në mënyrë antikushtetuese institucioni i akuzës dhe sot kemi kapjen e gjyqësorit me çdo kusht. Produkti i Komisionit të vlerësimit po nxjerr në pah peshën e Ramës në përzgjedhjen e atyre që e kalojnë klasën dhe atyre që nuk duhet të kalojnë klasën. Kemi plot raste kur Prokurorë dhe Gjyqtarë me pasuri të pajustifikuar dhe me integritet të ulët profesional e kalojnë Vettingun dhe kemi të ngjashëm që nuk e kalojnë atë.

Cili është kriteri që një të korruptuar e mbani në sistem dhe një tjetër të ngjashëm me të e hiqni? Përse disa me shkelje groteske në procedurat e dosjeve të tyre e kalojnë me sukses vlerësimin dhe disa të tjerë për kleçka mbeten? Kush e beson më atë institucion? Në rrethin e njerëzve që merren me drejtësinë po flitet hapur për listën Rama edhe pse sot po rezervohen të denoncojnë këtë proces fals nga frika e hakmarrjes së Kryeministrit. Ky është fillimi i revanisë dhe sherbeti i saj do të jetë kapja përfundimtare e institucioneve që do të zgjedhin Gjyqtarët dhe Prokurorët e rinj.

Përse duhet e gjithë kjo betejë për të mbajtur nën thundra drejtësinë? Mjafton të lexosh raportet e DASH (Departamenti Amerikan i Shtetit) për Shqipërinë 2014-2018 për të kuptuar arsyet. Janë miliarda euro nga droga, korrupsioni, PPP dhe allishverishet e tyre që detyrojnë sot Ramën të shkatërrojë përfundimisht drejtësinë në vend. Një drejtësi politike, e cila do të jetë notere e krimeve të Rilindasve. Një drejtësi fasadë, e cila merr urdhra politikë mbi hetimet dhe gjykimet, një drejtësi për derrat dhe gangsterët pranë pushtetit. Një drejtësi private, e cila ka vetëm një detyrë: t’u shpëtojë prapanicat atyre. Ju të tjerët u marrtë lumi! E thënë troç një Ramastan në të cilin ai sundon duke patur në dorë çdo pushtet. Në këto kushte drejtësia për shqiptarin e thjeshtë do vazhdojë të jetë një iluzion, i cili do të shitet si sukses i madh në të gjitha mediat.

Jemi kthyer në një vend qesharak, ku akuzave u përgjigjemi me batuta dhe paaftësisë me çitjane. Ndërkohë po sharrojmë çdo mundësi për statusin e vendit kandidat dhe për integrimin e Shqipërisë në BE. Kjo retorikë e denoncimeve pa pasoja ka lodhur edhe optimistin më të zjarrtë se diçka e mirë do të ndodhte pas Reformës në Drejtësi. Nëse nuk kthehet pas çdo vendim jo kushtetues dhe anti venecia dhe nëse nuk shqyrtohet çdo emërim që është bërë këto kohë në institucionet e reja të drejtësisë duke patur si kriter integritetin profesional dhe moral të të zgjedhurve, shanset që reforma të funksionojë janë zero. Me njerëzit e Ramës nuk ka drejtësi dhe nuk ka garanci që produkti të pranohet nga shoqëria. Një drejtësi e vërtetë është më e rëndësishme se çdo parti politike dhe se çdo personazh i saj, ndaj dhe nuk duhet të lejojmë askënd që barbarisht të përdhosë atë që po na mban peng si vend i pazhvilluar.

Për shkak të sabotimit dhe bllokimeve sot jemi akoma në stadin e fillimit të procesit dhe jemi akoma në kohë për të ndaluar drejtësinë fiktive të paraqitur si sukses nga Rama i 1001 abuzimeve. Është detyrë e çdonjërit prej nesh të refuzojë procesin fals dhe e opozitës të informojë partnerët amerikanë dhe ata europianë mbi këtë telenovelë turke të reformës sonë në drejtësi. Ky është shansi ynë i fundit për të kapur trenin drejt progresit dhe aspiratave tona për integrim në BE. Drejtësia jonë nuk mund të jetë një fetë revanie për tepsinë e Ramës.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Mjaft “bëmë shtet”, të bëjmë ekonominë

Nga Ervis Iljazaj Në mandatin e saj të parë, qeveria e Edi...
Read More