Dren Abazi: Dy koncertet në Tiranë ishin netë të paharrueshme

 

Pas një suksesi të jashtëzakonshëm në skenat europiane dhe padiskutim në ato shqiptare, Dren Abazi është rikthyer me dy koncerte recitale në Tiranë, duke shijuar dy nga netët më të paharrueshme dhe të realizuara deri më tani.

Këto dy koncerte në Tiranë, të cilat kanë ardhur në kuadër të 10-vjetorit të karrierës së tij, kanë patur një jehonë aq të madhe saqë recitali “Mes Yjesh” ka vijuar edhe më tej në qytet të tjera si Korça dhe së shpejti do të jetë në Shkup dhe më pas në Prishtinë.

Por duket se këto koncerte kanë rikthyer në qendër të vëmendjes projektin e Drenit, “Mbreti i Nates”, i cili është publikuar rreth 4 vite më parë.

Në një intervistë të dhënë për “Top Awards”, kantautori i suksesshëm shqiptar ka treguar për eksperiencën e përjetuar në Tiranë dhe ka dhënë detaje për koncertet e tij të radhës.

Top Awards: Dren na përshkruaj pak eksperiencën e koncertit recital “Mes Yjesh” që ke dhënë dy ditë rresht në Tiranë?

Dren Abazi: Dy koncertet në Tiranë ishin netë të paharrueshme. Mund të them që ishin mbase dy netët më të realizuara që kam bërë deri më tani, gjithë këto vite. Më bëri të lumtur edhe fakti që interesimi ishte shumë i madh dhe dy koncertet ishin “sold out” brenda tre ditësh.

Top Awards: Na zbulo pak pse zgjodhe pikërisht Tiranën për këtë koncert?

Dren Abazi: Tirana gjithmonë ka qënë një shtëpi e dytë për mua. Mbi të gjitha, unë e cilësoj Tiranën si metropol dhe kryeqytet të të gjithë shqiptarëve. 10 vjet më parë unë bëra koncertin e parë me Zig Zag në Prishtinë. Ky tur koncertesh padyshim që duhej të niste nga Tirana.

Top Awards: Këtë koncert e keni dhënë edhe në qytetin e Korçës, ku jeni ndjerë më mirë, me publikun e Korçës apo Tiranës?

Dren Abazi: Me Korçën kam një lidhje të veçantë emocionale. Koncerti në Teatrin e Korçës ishte fantastik dhe pritja ishte shumë e ngrohtë. Sidoqofte, ishte më intim dhe më i vogël se ai në Tiranë.

Top Awards: Së shpejti keni planifikuar një koncert recital në Shkup, nga lindi kjo ide?

Dren Abazi: Në Shkup kam luajtur shumë herë por gjithmonë kam dashur të bëj një koncert të madh, me përmasa si ky i Tiranës, domethënë në sallë koncertale dhe me orkestër të madhe. Duhet thënë që në Shkup gjithmonë kam kaluar për mrekulli. Koncerti në Tiranë, për hir të së vërtetës pati një jehonë të madhe dhe menjëherë më erdhën disa ftesa për të bërë një koncert të tillë në Shkup. Jam shumë i lumtur që ky koncert do bëhet në Teatrin Kombëtar atje sepse ky teatër është një prej teatrove më modern të kohës.

Top Awards: Po në Prishtinë, keni menduar një recital “Mes Yjesh”?

Dren Abazi: Në Prishtinë patjetër që do e bëj. Jam në fazën e përgatitjeve dhe organizimit. Mendoj që nga fundi i Majit “Mes Yjesh” do shfaqet edhe për publikun prishtinas.

Top Awards: Po publikimi i albumit, si ka rezultuar?

Dren Abazi: Pjesa më e madhe e Cd-albumeve janë shitur në koncertet e “Mes Yjesh”. Kështu që i bie që duhet të prodhojmë më shumë Cd. (buzëqesh).

Top Awards: “Mbreti i Nates” është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes, duke u bërë pjesë e “The Top List”, mendoni që koncerti juaj ka ndikuar tek ky sukses?

Dren Abazi: Besoj që “Mbreti i Nates” është nga ato këngët që e kanë rrugën më të gjatë se të qënurit një hit sezonal në Top Listë (buzëqesh).

Shkruar Nga
More from Redaksia

Meta kërkon dialog për çeljen e negociatave: Duhen luftuar lidhjet e krimit me qeverisjen publike

    Intervistë e Presidentit të Republikës, Ilir Meta dhënë gazetës Albanian...
Read More