“Drita e padurueshme e qenies” dhe metoda e realizmit socialist

Një roman kompleks i Milan Kunderës, me titullin “Drita e padurueshme e qenies”, tregon për ngjarjet e periudhës postkoloniale, pra pas Luftës së Dytë Botërore, në zonën e Çekisë, konkretisht Pragës, me vendosjen e një regjimi të quajtur komunist, komprometues, korruptues e censurues ndaj qytetarit, gjë e cila me të drejtë hedh pyetjen, nga pikëpamja e artistit: metoda e realizmit socialist që u aplikua në vendin tonë dhe në shumë vende të Europës Lindore e Qendrore, përfshirë edhe Rusinë, ishte një shpërthim natyral drejt një metodologjie kërkimi dhe riprezantimi në arte apo ishte thjesht një vendosje autoritative e një mënyre operimi letrar artistik, e cila donte të kontrollonte edhe psikikën e artistit dhe lexuesit? 

Nga Doc. Mimoza Ahmeti

Një roman kompleks i Milan Kunderës, me titullin “Drita e padurueshme e qenies”, tregon për ngjarjet e periudhës postkoloniale, pra pas Luftës së Dytë Botërore, në zonën e Çekisë, konkretisht Pragës, me vendosjen e një regjimi të quajtur komunist, komprometues, korruptues e censurues ndaj qytetarit, gjë e cila me të drejtë hedh pyetjen, nga pikëpamja e artistit: metoda e realizmit socialist që u aplikua në vendin tonë dhe në shumë vende të Europës Lindore e Qendrore, përfshirë edhe Rusinë, ishte një shpërthim natyral drejt një metodologjie kërkimi dhe riprezantimi në arte apo ishte thjesht një vendosje autoritative e një mënyre operimi letrar artistik, e cila donte të kontrollonte edhe psikikën e artistit dhe lexuesit?

Sigurisht, ardhja në fuqi e ideologjisë së komunizmit, në një vend ku nuk origjinonte ndonjë traditë ideologjike, aq më pak të asaj filie, mbetet ende për t’u analizuar e datuar me informacione faktike e relacion-formuese; por ajo që njohim nga shkenca e logjikës është se, një ideologji në fuqi, mbetet gjithmonë adresa ku referohen të gjitha nënsistemet ideo-sociale, përfshirë dhe artin në diskursin e vet.

Normalisht, krijimi i një metode pasqyrimi do të ishte krijesë e një burimi të vetëmjaftueshëm për dalje të re, pra një ngopje apo thirrje e kushteve sociale për një ri-interpretim. Ndërsa, çka për të cilën përpiqemi të gjejmë gjenezën, metoda e realizmit socialist, është një shtrydhje shtrëngimi, është një deformim i perceptimit, që duke lënë një mori (të quajtura) veprash të saj nëpër hapësirën publike, gjë që pa të drejtë ka bërë që shikuesit tanë apo të huaj të mendojnë se ky lloj arti është një pjesë e identitetit tonë.

Besojmë se identiteti duhet të jetë diçka që rrjedh prej elementeve dhe relacioneve, materiale dhe shpirtërore, që konstituon me rrezen e vet. Por dalim në përfundimin që ka edhe identitet prej shtrëngimi. Pjesa identike e vetes me veten mbetet e pazbuluar, nga syprina e rrudhur e shfaqjes sociale.

Me të drejtë Kundera në librin e tij “Drita e padurueshme e qenies”, thotë: “Në një shoqëri të drejtuar nga terrori, asnjë prej qëndrimeve të çfarëdo lloji nuk mund të merret seriozisht. Ato janë të gjitha të shtyra, dhe është detyra e çdo njeriu të ndershëm t’i injorojë ato”.

Format për vendosjen e Metodës së realizmit socialist ishin disa: së pari, ajo ishte një metodë që u adresohej artistëve nga Partia shtet dhe në konstituimin e saj ndalonte pasqyrimin e realitetit me nota jo optimiste. Ajo kërkonte të pasqyrohej jeta e klasës punëtore dhe objektiviteti përfshinte aspektin dogmatik të ideologjisë dhe jo implikimin e mendimit në lidhje me të.

Një Zyrë vepronte në Komitetin Qendror, e cila censuronte veprat para botimit, dhe në përgjithësi të gjitha zhanret para se ato të publikonin apo performonin.

Një shtresë e madhe e artistëve dhe intelektualëve të mirëfilltë të traditës u deklasuan dhe u zëvendësuan me të tjerë, inkompetentë.

Shumë piktorë dogjën apo grisën seritë e tyre të nudove. Por nuk u mjaftua me kaq: ka artistë që mirëfilli janë dënuar për veprën e tyre. Po përmend disa të arteve vizive, piktorë, si: Maks Velo, afro dhjetë vjet dënim politik; Edison Gjergon, pothuajse po aq; Vangjush Tushin, i cili ndërroi jetë në burg; Abdulla Cangani; por ka me dhjetëra emra të tjerë, të zhanreve të tjera të artit që pësuan fat të ngjashëm.

Paradoksi është se ka disa vëzhgues që, duke u nisur nga veprat botërore me famë, qeshin me metodën e realizmit socialist dhe e shohin atë si një identitet që u artistik që u përqafua prej Lindjes.

Kështu edhe tentojnë të përcikin emra autorësh, qoftë edhe për një skicë, të cilët nuk e prezantojnë në fakt këtë metodë, për të mjegulluar të vërtetën se, përgjatë këtyre dekadave, arti shqiptar pati prurje të mrekullueshme që nuk i përkasin fare kësaj metode. Pikturat klasike moderne të Maks Velos, ato të Edison Gjergos, Alush Shimës e të dhjetëra autorëve të tjerë, u bënë shkak për akuza në “rrëshqitje në modernizëm”, “mospasqyrim i realitetit” e të tjera.

Dikush mund të supozojë që është e mundur ta shtypësh kuptimin, ta mbash varur atë për një farë kohe…Kjo bëhet e mundur nga jashtë- brenda, nga forma te koncepti, nga signifikanca te mos-signifikanca, si një eko transmetimi. “Ne e quajmë këtë destruksion të pjesshëm të vlerave konstanteve të dallueshme: një subversion” thotë G. Spenser Brown në Librin e tij “Ligjet e formës”.

Kështu një kujtesë artificiale i zë vendin kujtesës fenomenale: shprehja, në dukshmërinë e saj e fsheh kujtesën e cila humb atë pa dalë në sipërfaqe. Dhe kjo është teknika e tjetërsimit të një identiteti. Çfarë signifikon (bën kuptim) bie në kurthin e së papriturës kur tenton të dalë në sipërfaqen e shënimit.

Duke vëzhguar mënyrat se si destruktohej individualiteti, nëpërmjet intrigave, spiunimeve, komprometimeve të vogla poshtëruese dhe bashkuese, personazhi kryesor i veprës në fjalë, të Kunderës, thotë: “megjithëse ai kurrë nuk u kishte dhënë njerëzve shkak të dyshonin në integritetin e tij, ata ishin të gatshëm të vinin bast për pandershmërinë e tij më tepër sesa për virtytin e tij”.

Në ketë roman Kundera paraqet një shoqëri sigurimse, e cila është e bashkuar dhe e nënshtruar nëpërmjet komprometimit. Kjo shoqëri që ai përshkruan është mjaft e ngjashme me tonën, dhe jo vetëm të atëhershmen.

Ai mendon se rishkrimi i teksteve që u shkruan aso kohe është i panevojshëm. Vetë koha paraqitet para tij e mashtruar dhe e mbuluar, e dhunuar.

Duke iu kthyer rish metodës së realizmit socialist dhe veprave të pa art që ajo prodhoi, do të qe e udhës që ajo të mos shihej si një metodë që prezantoi identitetin e vendeve të Europës qendrore e më gjerë, por që kjo metodë ishe një instrument, në krimet që iu bënë vazhdimësisë së perceptimit dhe pasqyrimit, në epokën postkoloniale të vendeve në fjalë, kundër identitetit.

Këto vepra skematike, janë simbole monstruoze, të një dhunimi psikik, të një izolimi të pashoq, që nuk mund të shpjegohet me një përmbajtje të njëanshme, por me raporte.

Në tërësinë totale, diferencimi i diferencës dhe mënyrat e tërthorta të ndërhyrjes mbi të, nxorën në një pikë tepër kritike, funksionin dhe misionin e artit në epokën postkoloniale në vendet e Lindjes Europiane, ku ruptura (ndërprerja) e fortë kundrejt traditës dhe perceptimit kolektiv, krijoi atë kiç, i cili mbetet një enigmë ende dhe sot, përse ngjau dhe që për më shumë, tenton të zgjatojë jehonën dhe aktimin.

Vazhdimësia e kompletësisë, me ndërprerjeje radikale, kundrejt disa identiteteve- (pjesë të veta edhe pse të huaja), është një tregues për natyrën violente të lidhjes së saj, dhe për formulime të cilat duhet të analizojnë dhe gjejnë veten te dëmi i Formës.

Vetëm një vendosje e objektit në horizonte më të gjera, do të mund të ndriçonte jo vetëm njohjen por edhe subjektin vrojtues, duke hedhur dritë drejt fenomenit në fjalë, identiteti i të cilit u formulua kryesisht së jashtmi dhe jo kryesisht së brendshmi, siç e kërkojnë ligjet tokësore dhe hyjnore të parimit grek! Nga kjo pikëpamje, veprat e realizmit socialist, i përkasin një identiteti të padukshëm.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Të varur nga ndërkombëtarët

Nga Ervis Iljazaj Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bërë disa kritika për politikat...
Read More