Dritan Egro polemizon me librin “Sandwich” të Mustafa Nanos

Vetëm pak ditë më parë, në Universitetin Europian të Tiranës, publicisti Mustafa Nano promovoi librin e tij “Sandwich; A është mirë me qenë shqiptar?”. Një libër me një titull provokues, që tenton të japë një përfytyrim mbi shqiptarët përmes vlerësimeve e përshkrimeve të udhëtarëve të huaj që kaluan nëpër Shqipëri. “Unë në këtë libër merrem me një sandwich: grekët, shqiptarët, sllavët, dhe fakti që shqiptarët janë në mes të sandwich-it, ka krijuar në vijimësi asosacionin e viktimës, e dobësisë, e vuajtjes.

Ndër ne shqiptarët, ka një opinion ‘mainstream’ që ne shqiptarët këtu në Ballkan jemi gjëja më e mirë, më e shtuar, më pozitive, ne jemi ‘the good guys’, kurse fqinjët tanë janë të ligjtë. Ata janë ‘The bad guys’. Ne themi që jemi të pafat, sepse pikërisht fati ka dashur që të kemi ca fqinjë që janë shumë të këqij, në raport me ne. Kjo është një tezë që ha shumë diskutim.

Sigurisht që fati mund të ishte shumë bujar me ne, se mund të na kishte dhënë fqinjë më të mirë, por nga ana tjetër, nuk duhet që të harrojmë që të njëjtën gjë e mendojnë edhe serbët, edhe grekët, por jam i sigurt që edhe serbët, edhe grekët duhet që të mendojnë se ne do të kishim pasur një fat më të mirë, nëse do të kishim pasur fqinjë, që mos të quhen shqiptarë”, do të shprehej Mustafa Nano, në prezantimin e librit. 

Si specialist i fushës, historiani Dritan Egro nuk mund të jetë indiferent e të mos i thotë nja dy fjalë rreth kësaj vepre, që tenton të rrëfejë shqiptarët në raport me veten dhe fqinjët. Përmes një shkrimi-replikë, historiani tregon se ku gabon Mustafa Nano në librin e tij dhe në “besimin” e treguar ndaj udhëtarëve të huaj mbi rrëfimet e të cilëve ka ngritur gjithë veprën e tij. Sipas Egros, në librat e këtyre “udhëtarëve” nuk ka asgjë ekzotike siç pretendohej, por është shprehje e politikave të Fuqive të Mëdha mbi Ballkanin. al.mi

NGA DRITAN EGRO

Libri më i ri i M. Nanos “Sandwich” (A është mirë me qenë shqiptar?) risjell edhe një herë në vëmendje të opinionit të gjerë shqiptar “udhëtarët” europianë dhe ato që ata kanë thënë e shkruar për shqiptarët dhe ballkanasit e tjerë në shek. XIX. Kur e lexon këtë libër, të duket sikur ke të bësh me një version rrëfimi të “udhëtarëve” europianoperëndimorë të shek. XIX; madje në çdo aspekt.

Aq i ngjashëm është ky libër me to, sa autori tekstin e ka ndërtuar dhe referimet i ka përdorur njëlloj si “udhëtarët” europianë të një shekulli më parë. Madje, aq i magjepsur është ai pas tyre, sa edhe paraqitjen grafike e ka përshtatur në mënyrë të tillë sa mund të ngatërrohesh nëse po lexon “udhëtarin” M. Nano të harruar në shek. XIX apo ndonjë të tillë britanik apo francez të asaj kohe. Libri është një tour në historinë moderne të shqiptarëve me fokus të veçantë aspektet e formimit të identitetit dhe kombit modern shqiptar.

Gjykimet e tij autori i ka ngritur ekskluzivisht mbi apo përmes opinioneve të udhëtarëve europianë, pasi në themel të këtij libri qëndrojnë konstatimet e tyre. Në këtë shkrim relativisht të gjatë, por të çlirët historik, kemi të bëjmë më shumë me një rrëfim të stilizuar sesa me një studim historik sistematik; pra, autori parashtron një version të çlirët të historisë moderne shqiptare dhe raportet e tyre me fqinjët serbë e grekë, por pa u shtrirë më tej në rajon.

Kam parasysh që në rrëfim nuk janë përfshirë bullgarët dhe marrëdhëniet shqiptaro-bullgare. Përtej kësaj, po t’i hedhësh një sy historisë moderne të bullgar- ëve dhe marrëdhënieve të tyre të po asaj kohe me fqinjët grekë dhe serbë, do të gjesh disa fenomene dhe procese mjaft interesante; p.sh., grekët dhe serbët reaguan shumë ashpër edhe ndaj themelimit të Kishës Bullgare (1870) dhe i qëndruan kundër procesit të pavarësimit të Bullgarisë në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX. Por autori, në mënyrë preferenciale, ka mbetur vetëm në arealin e Ballkanit Perëndimor.

* * *

Për t’iu përgjigjur pyetjes, a është mirë me qenë shqiptar, mendoj se autori, së pari, duhej të na kishte treguar se cili është shtrati ku është ngjizur identiteti shqiptar në të gjitha dimensionet e tij dhe cili ka qenë mainstreami dhe linjat që e kanë ushqyer historinë moderne shqiptare, dhe që së bashku kanë formëzuar shqiptarin e sotëm, me të mirat dhe me kusuret e tij.

Përdorimi si “absolutisht i vërtetë” i çdo konstatimi europian për shqiptarët dhe Shqipërinë e asaj kohe nga publicisti Mustafa Nano, mendoj se metodologjikisht në mënyrë të padrejtë i hap udhë një parashtrimi të çuditshëm të historisë moderne të shqiptarëve, madje dhe të gjithë rajonit, kur kanë kaluar afro dy shekuj qëkurse “udhëtarët”, përmes pasqyrës së tyre, u mësonin ballkanasve të shiheshin aty dhe të njihnin vetveten. Autori nga pozita thjesht intelektuale, por jo hulumtuese, ecën “i sigurt” në udhën e udhëpërshkruesve, madje guxon të gjykojë se cili ishte i miri dhe cili i keqi në historinë moderne të Ballkanit. Dhe këtë e bën në dekadën e dytë të shek. XXI!

Qysh në dekadat e para të shek. XVII Lady Montag-u, bashkëshortja e ambasadorit britanik në Stamboll, ka shprehur rezerva të forta ndaj shkrimeve europiane të deriatëhershme për Perandorinë Osmane, pjesë integrale e së cilës ishin edhe shqiptarët. Ajo më shumë se një herë pohon se realiteti europian ishte shumë i ndryshëm nga ai osman dhe se duhej të bëheshe pjesë e këtij realiteti pa të mësoje se si pulsonte jeta në Perandorinë Osmane.

Të njëjtin shqetësim, pra që konstatimet për shqiptarët të mos bëheshin kalimthi “nga xhadeja” e ka pasur edhe J. G. von Hahn-i në mes të shek. XIX, sërish në raport me udhëtarët europianoperëndimorë që kishin kaluar këtyre anëve para tij. Me Mustafa Nanon ndodh krejt e kundërta: aq shumë është magjepsur nga udhëpërshkruesit dhe diplomatët perëndimorë të shek. XIX, sa sot ai, gati dy shekuj pas shkrimit të tyre, vazhdon t’i marrë kryekëput për të vërtetë!

Edhe pas leximit të këtij libri, personalisht vazhdoj të mendoj se është jo vetëm gabim, por edhe paradoks logjik dhe metodologjik që një realitet të caktuar historik dhe kulturor të përpiqesh ta shpjegosh duke u besuar verbërisht vizitorëve që vijnë nga jashtë apo kalojnë përmes tij, pa përdorur fare apo pa i dhënë prioritetin që i takon dokumentacionit “zyrtar” dhe burimeve dytësore të shtetit që e sundonte atë, madje jo për pak kohë, por për shekuj të tërë.

Për të zbuluar në është mirë apo jo me qenë shqiptar, mendoj se duhet që, ndryshe nga M. Nano, gjithçka e shkruar deri më sot të shihet dhe të vlerësohet me sy kritik, për sa kohë që ekzistojnë burime arkivore e bibliotekare alternative, madje edhe teza apo hipoteza të ndryshme nga ato që njohim deri më sot, të cilat kanë fuqinë ta sfidojnë, pse jo dhe ta ndryshojnë, atë histori që apriori e kemi mësuar për të vërtetë në shkollat e një sistemi politik të caktuar apo nën ndikimin e drejtpërdrejtë të një konjukture të caktuar ndërkombëtare. Dhe që sot qorrazi e përsërisim rëndom përmes formulave cliché.

Ndaj do të ishte më me interes që M. Nano të përfshihej në debatet për këto çështje, se sa të na “shiste” për të reja dhe të pasfidueshme rrëfenjat e shek. XIX. Shpjegimi i historisë moderne të shqiptarëve apo edhe ballkanasve të tjerë nuk duhet të mbetet peng apo të kushtëzohet nga asnjë prej konjukturave politike kombëtare apo ndërkombëtare nëpër të cilat ka kaluar apo që po kalon rajoni.

Çdokush që ulet në tavolinë dhe dëshiron të shkruajë për çështje që kanë të bëjnë me historinë dhe kulturën shqiptare, qoftë edhe në nivel publicistik, të vërtetat historike që kemi trashëguar deri më sot si të tilla, duhet t’i testojë duke mos lënë jashtë vëmendjes me ose pa dashje asnjë burim të asnjë kancelarie, na pëlqen ajo ose jo, dhe vetëm më pas mund të hedhë hapa të sigurt në shpjegimin e fenomenit të komplikuar të formëzimit të identitetit të një populli, qoftë ky edhe shqiptar.

Në të kundërt, pashmangshmërisht do të kemi rastin të lexojmë (krye)vepra par excellance naiviteti të rrëfimit historik. Në këtë libër rrëfimi na shfaqet si një radhitje citimesh, një kompilim, ku udhëpërshkruesit janë zgjedhur sipas “midesë” së autorit. Aty mungojnë udhërrëfyesit apo edhe diplomatët e shtetarët osmanë dhe ata rusë, të cilët ofrojnë një panoramë historike të ndryshme nga ajo që na ofrojnë “udhëtarët” europianoperëndimorë.

Njohja e të gjithëve, jo në mënyrë preferenciale, do të na ndihmonte për të njohur jo vetëm problemet me të cilat u përballën shqiptarët, por të gjithë popujt e Ballkanit, por edhe situatën dhe zhvillimet gjeopolitike në Euroazi. Ka ardhur koha që, për t’i dhënë fund qasjes se cili është i miri dhe cili i keqi, apo për të kuptuar kur shqiptarët kanë qenë të mirë dhe qëkur filluan të bëhen të këqij, madje deri sa të vetëdeklaroheshin edhe vetë si të tillë, duhet të shkruhet një libër gjithëpërfshirës se si është ndërtuar imazhi i shqiptarëve në Europë nga shek. XV e deri në fillim të shek. XX; pra, si të tjerët i kanë parë shqiptarët.

Frika e Europës nga rreziku real osman në shek. XV-XVI bëri që Skënderbeu dhe shqiptarët e shek. XV të ngriheshin në piedestal dhe të konsideroheshin si qëndrestarët e Europës ndaj invazionit osman. Kurse në shek. XIX ishin pikërisht udhëtarët europianë që, falë përshkrimeve të tyre, drejtpërdrejt apo tërthorazi, u hapën udhë gjykimeve se cili ishte europian dhe cili jo nga popujt e Ballkanit shumëshekullor nën sundimin osman. Çfarë kishte ndodhur? Shqiptarët veçse kishin kaluar masivisht në besimin islam; po a i kishte ndryshuar ky realitet i ri shqiptarët “për keq”?

Që nga ky moment ata filluan të përshkruhen si tjetri, jo të njëjtë me udhëpërshkruesit europianë që filluan dendur të kalonin këtyre anëve. Po a ndiheshin të tillë vetë shqiptarët? Vetëm për kujtesë: kalimi në besimin islam shqiptarëve nuk ua fshiu kujtesën historike. Ishte Mahmut Pashë Bushatlliu ai që qysh në vitin e hershëm 1787, emrin e Skënderbeut e përdori si një nga armët e tij të forta në përpjekjet për t’u shkëputur politikisht nga Perandoria Osmane dhe për të krijuar shtetin e tij dinastik.

* * *

Në fund të shek. XVIII, Rusia cariste filloi të vinte në jetë projektet e saj për hegjemoni botërore, realizimi i të cilave parakuptonte copëtimin e Perandorisë Osmane. Kurse Europa, e tëra së bashku, ende nuk e kishte honepsur atë drithërimë që osmanët i kishin shkaktuar asaj dhe qytetërimit të saj, ndaj dëbimi i turqve osmanë nga Europa Juglindore ishte dhe vazhdonte të mbetej objektivi i saj i pandryshueshëm.

Në këtë kuadër objektivash strategjikë, përmbushja e të cilave kërkonte ndryshimin e panoramës politike dhe kulturore të rajonit, udhëtarët diplomatë dhe shtetarët europianoperëndimorë filluan të shpreheshin me shkrim dhe me gojë jo vetëm për shqiptarët, por për gjithë popujt e Ballkanit. Shqiptarët, nga ana e tyre, duke filluar nga mesi i shek. XIX, filluan t’i merrnin seriozisht dhe t’ua vinin veshin gjithnjë e më shumë.

Udhëpërshkrimet, si zhanri dominant i europianoperëndimorëve për popujt dhe territoret osmane, në fakt janë vepra të cilat i kanë dhënë formë procesit të njohjes së opinionit të gjerë europian mbi popujt “ekzotikë” të Ballkanit, që tashmë kishin një të kaluar disashekullore nën sundimin e një shteti mysliman. Këto vepra përgjithësisht disavolumëshe, në fakt, i adresoheshin opinionit europian dhe janë shkruar duke pasur parasysh pritshmëritë e tij në përputhje me projektet e mëdha gjeopolitike që këto fuqi të mëdha do të vinin në jetë në shek. XIXXX.

E thënë ndryshe, këto udhëpërshkrime e raportime nga terreni përpunuan opinionin europian në lidhje me hapat e mëtejshëm politikë që do të merreshin kundër Perandorisë Osmane. Sa për ilustrim po jap dy shembuj: William Eton, hartuesi i një raporti/udhëpërshkrimi të famshëm në kapërcyell të shek. XVIII mbi situatën në Perandorinë Osmane – i cituar edhe nga M. Nano – ka shërbyer në misione tregtare dhe diplomatike në Izmir, Basra, Maltë dhe Odesë, ndërsa mes viteve 1794-1801 ka shërbyer si specialist/këshilltar për Lindjen, i ministrit britanik të luftës së asaj kohe, Henry Dundas.

Kurse, konsulli i Francës në Janinë pranë Ali Pashë Tepelenës, François Pouqueville, marrëdhëniet e tendosura të shtetit që përfaqësonte, Francës, dhe të tijat personale me Ali Pashën, i përcolli në librat e tij. Falë botimeve të tilla në opinionin europian përmes figurës së Ali Pashës dhe pashallarëve të tjerë shqiptarë, u ravijëzua profili i pashait shqiptar, mysliman, por gjakatar e despot oriental.

Që të vëresh se udhëpërshkrimet e europianëve nuk janë vetëm shënime “ekzotike” udhëtimesh, mjafton të lexosh veprën 4-vëllimshe të Ami Bue-së, që fillon me njohjen e Ballkanit nga nëntoka te mbitoka, nga gjeografia e deri te njerëzit që jetonin mbi të; por edhe veprën 3-vëllimshe të J. von Hahnit për të njohur shqiptarët dhe territoret e tyre. Po panorama qartësohet edhe më shumë po të krahasosh udhërrëfimet personale me raportet zyrtare që atasheu ushtarak britanik pranë Ali Pashës Tepelenës, W. Martin-Leake, i ka dërguar Londrës – raporte që sot, për fat të mirë, i kemi edhe në shqip.

Metodologjikisht, plotësimi i njohjes me burime të tilla shërben si faqe tjetër e një medaljeje që për shekuj e kemi parë vetëm në faqen përballë dhe jo në atë të prapme të saj. Një punë e tillë e krahasuar sot merr një peshë dhe vlerë të veçantë. Fillimi i procesit të shpërbërjes së Perandorisë Osmane eci paralelisht me mbështetjen e Fuqive të Mëdha (Rusi, Britani, Francë) për krijimin e shteteve bërthamë të Ballkanit (Greqi, Serbi, Mali i Zi dhe Rumani).

Nga ana tjetër, ngritja dhe rënia e pashallarëve shqiptarë (Bushatllinjtë e Shkodrës dhe Ali Pashë Tepelena), në një masë të madhe, përcaktoi balancën e fuqisë së shqiptarëve në raport me fqinjët dhe Fuqitë e Mëdha, e për pasojë edhe kurbën e trajektores politike në rënie të shqiptarëve, nëpër të cilën ata do të ecnin përgjatë dy shekujve të fundit. Greqia dhe Serbia, në të njëjtin vit, në 1844, shpallën botërisht doktrinat e tyre nacionaliste (Megali Idea, Naçertanije).

Nga ky moment, de facto Ballkani u shndërrua në fuçi baruti, cilësim që rajoni e mbart mbi supe edhe sot. Ishte realiteti i ri gjeopolitik i shek. XIX ai që shpjegon faktin pse popujt e Ballkanit ndërtuan akademi shkencash, që kanë hartuar dhe vazhdojnë të hartojnë projekte nacionale, dhe jo vetëm një herë, por periodikisht. Në thelb të tyre qëndron ideja se, për t’u “mbrojtur” nga fqinji/tjetri i ndryshëm dhe për t’u zgjeruar sa më shumë territorialisht, fqinji duhej dobësuar në atë masë sa të asgjësohej plotësisht.

Vetëm duke i vendosur në kontekstin e projekteve për ndryshimet e thella gjeopolitike që po përgatiteshin, mund të thuhet shkoqur që udhëpërshkrimet perëndimore për Ballkanin dhe popujt që jetonin në të nuk kishin të bënin fare me “ekzotizëm”, por ishin shprehje e interesave të pastra gjeopolitike, pas së cilave është fshehur versioni se si Fuqitë e Mëdha dëshironin ta shihnin Ballkanin dhe ballkanasit, pasi turqit osmanë të dëboheshin përfundimisht nga ky rajon.

Por, edhe më shumë se kaq: puna nuk ishte vetëm të shtinin në dorë kontrollin e Ballkanit, por edhe se si atë ta përdornin si pikëmbështetje për shtrirje ndikimi në Euroazi. Rivaliteti për sundim në këtë pjesë shumë të rëndësishme të botës kishte të bënte drejtpërdrejt me vendosjen e ekuilibrave të rinj gjeopolitikë.

* * *

Historishkruesit, qofshin këta profesionistë apo publicistë, të gjithë pa përjashtim ngrenë “ngrehinën” e tyre për të shpjeguar realitetin historik e kulturor të kohës për të cilën shkruajnë. Problemi është se cila prej këtyre “ngrehinave” i ka themelet e forta dhe falë studimeve të mirëfillta gjeologjike, me kalimin e viteve, u rezistojnë pyetjeve që shtrohen nga opinioni i gjerë. E thënë më shkoqur, sa këto shkrime historike arrijnë t’i qasen pranë realitetit të kohës, pa e thjeshtëzuar atë, por duke e problematizuar këtë realitet në tërë kompleksitetin e tij.

Si i tillë ai fillimisht duhet kuptuar nga vetë shkruesi e më pas me një gjuhë të thjeshtë, u duhet shpjeguar njerëzve, madje aq thjesht, sa ta kuptojnë edhe fëmijët. Shpjegimi – në se është mirë ose jo të jesh shqiptar – duhet të rrokë mundësisht përgjigjet e pyetjeve për çështjet identitare të çdokujt që sot e quan, apo që e konsideron, veten shqiptar. Askush nuk duhet përjashtuar.

 

Shkruar Nga
More from Redaksia

Toleranca si strategji zhvillimi

Nga Dr. Mirela Oktrova - Stresi i prodhuar nga pragnisja e vettingut...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.