Droga, rritja e ‘ofertës’ ka shtuar ndjeshëm numrin e përdoruesve


Të rinjtë gjithnjë e më shumë po bëhen viktima të përdorimit të lëndëve narkotike. Kthimi i vendit në prodhues e trafikues hashashi ka rritur ndjeshëm “ofertën” e brendshme

Krahas kthimit të Shqipërisë në një vend prodhues dhe trafikues të narkotikëve, paralelisht po konstatohet se numri i përdoruesve të drogave të jashtëligjshme po rritet me shpejtësi në Shqipëri, ku më të rrezikuarit janë të rinjtë. Ata rëndom po kalojnë nga përdorimi i hashashit te drogat më të forta, që në pjesën më të madhe janë përzierje jo cilësore me pasoja të rrezikshme. Por për paradox ndonëse numri i përdoruesve është në rritje, ndërsa qendrat e trajtimit të tyre po shkojnë drejt mbylljes, për shkak të mungesës së fondeve.

Shkaqet

Ekspertët ngrenë zërin se faktor për rritjen e prevalencës së përdorueseve po bëhet oferta e lartë në tregun vendas dhe se cilësia tepër e ulët po rrezikon shëndetin e popullatës. Nuk ishte aspak e vështirë të identifikoje që nga larg repartin e toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, ku në dyert e klinikës ishin përplasur të gjithë përdoruesit e heroinës. Metadoni në qendrën jo-fitimprurëse Aksion Plus kanë përfunduar prej ditësh, ndërsa sasia që duhet të vinte që në qershor po vonon, duke lënë në mëshirë të fatit këtë komunitet, që është i varur nga medikamenti qetësues, duke bërë që t’i drejtohen repartit të toksikologjisë në QSUT.

Rastet

Toksikologjia në Tiranë, repart që nuk ka më shumë se 20 shtretër, trajton vetëm pacientët, që vijnë në gjendje akute. Në mesin e tyre qëndronte një vajzë e re, nënë e tre fëmijëve, e cila kërkonte dozën e përditshme të metadonit, ndryshe nuk kujdesej dot për fëmijën, që kishte të shtruar në Spital. Te vajza kishte filluar që të shfaqej sindroma e abstinencës. Ashtu me padurim, ajo hyn në zyrën e doktor Alert Drishtit, duke na ndërprerë bisedën dhe si për të konfirmuar pohimet e doktorit lidhur me rritjen e përdoruesve të narkotikëve vitin e fundit.

Drishti, doktor në repartin e toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, tregon se në ditë të tilla, kur ilaçi mungon, bëhet i vështirë menaxhimi i përdoruesve. Në mungesë të ilaçit ata i rikthehen drogës. Për sa i përket tendencës së rasteve që paraqiten në QSUT, doktor Drishti, thotë se ka një rritje të lartë të numrit të përdoruesve të kokainës dhe shton se përgjithësisht motivi që përplas përdoruesit tek ndihma e specializuar është ai ekonomik.

Përdoruesit

Në të gjithë Shqipërinë numri i personave që marrin trajtim për varësinë nga drogat është 800, prej të cilëve 719 marrin trajtim për varësinë nga heroina, sipas të dhënave nga Aksion Plus. Ndërsa drejtuesit e OJF-së tregojnë se trendi i përdoruesve ka qenë në rritje.

Një gram heroinë kushton në tregun e paligjshëm nga 3 deri në 5 mijë lekë. Ndërsa metadoni shpërndahet falas nga OJF-të. Deri para pak kohësh sasia e metadonit sigurohej me fondet që jepte GlobalFund, por duke qenë se Shqipëria nuk është më në listën e vendeve të varfra, ky fond është ndërprerë.

Genci Muçollari, drejtues i Aksion Plus, thotë se për të plotësuar nevojën me metadon kërkohet një buxhet vjetor prej 30-45 mijë euro. Sasia e metadonit, që merr çdo shtet përcaktohet nga Komisioni Europian.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Rama replikon me Bashën, ekspertët: Rritje çmimesh e falimentime

Kryetari i mazhorancës dhe ai i opozitës e nisën ditën duke debatuar...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.