DSSH 2017: Fjala e shkencës për zhvillimin ekonomik e reformat

Studiues të huaj dhe vendës marrin pjesë në Konferencën Ndërkombëtare në UET mbi zhvillimin ekonomiko-social. Folës kryesorë Reinhard Priebe, ish-drejtor i Komisionit Europian për Politikën e Jashtme dhe Milva Ekonomi, ministre e Zhvillimit Ekonomik 

Cili është roli i shkencës në zhvillimin ekonomik të vendit dhe si mund të nxitet ajo që të ndikojë në këtë drejtim? Kjo ishte pyetja që ngriti paneli me studiues të huaj dhe vendas në sesionin hapës të Ditëve të Studimeve Shqiptare 2017 që u mbajt sot në Universitetin Europian të Tiranës.

“Rimodelimin e reformave për një model të ri të rritjes ekonomike-studimi i Shqipërisë – ekonomia, politika, zhvillimi social, perspektiva e të ardhmes”, ishte tema e zgjedhur për Konferencën Ndërkombëtare e cila do të vijojë edhe të shtunën në panele të ndryshme studiuesish nga universitetet më të mira në Europë, Ballkan dhe vendas. E kthyer në traditë kjo konferencë mbahet në vitin e 4-ët radhazi dhe kishte folës kryesor Reinhard Priebe, ish-drejtor i Komisionit Europian, një njohës i Ballkanit dhe i Shqipërisë dhe Milva Ekonomin, ministre e Zhvillimit Ekonomik.

Priebe: Reforma në Drejtësi dhe anëtarësimi në BE

Priebe, i cili ka mbajtur detyrën e drejtorit të Komitetit të Jashtëm të BE-së, ka qenë gjithashtu përgjegjës për Ballkanin Perëndimor nga viti 2001 deri në vitin 2006. Ai është dhe një njohës i Shqipërisë në rolin e Kryenegociatorit të Komisionit Europian në marrëveshjen e Asocim– Stabilizimit me Shqipërinë në vitin 2005. Gjatë fjalës së tij në sesionin hapës të Ditëve të Studimeve Shqiptare në UET Priebe foli mbi të ardhmen e Bashkimit Europian bazuar mbi axhendën e Romës, ku analizoi problemet me të cilat po përballet BE pas Brexit, krizën e refugjatëve etj. Duke vënë theksin te Ballkani Perëndimor dhe Shqipëria duke e parë anëtarësimin e tyre si një ndryshim të ri që do të pësojë BE si organizëm.

“Në çdo rast me një rinovim të mundshëm të BE-së dhe me Brexit me kalimin e kohës shtetet e mbetura të Ballkanit Perëndimor do të bashkohen, BE-ja nuk do të jetë njësoj siç është sot. Më shumë se në të kaluarën BE-ja është një lloj targeti në lëvizje. Kandidatët kanë çdo lloj interesi për të ndjekur zhvillimet dhe aq më tepër të bashkohen në diskutime për të ardhmen e BE-së.  Aplikimi për t’u bërë pjesë e BE-së dhe kalimi në të gjitha ato proceset të vështira të pranimit është një zgjedhje e lirë e çdo shteti”– tha ndër të tjera ish-drejtori i BE-së i cili është një njohës i mirë i Ballkanit i cili preferoi ta shihte me optimizëm këtë anëtarësim pavarësisht një depresioni kolektiv, siç tha ai, që ka sot Europa.

Duke folur për Shqipërinë, ai vuri theksin tek implementimi i reformës në Drejtësi si një argument i rëndësishëm në progresin e vendit tonë drejt BE-së.

“Nuk mund të shtoj ndonjë situatë të veçantë për Shqipërinë në rrugën e saj për në BE. Shqipëria e ka fituar statusin e kandidatit që në vitin 2014. Vjeshtën e kaluar Komisioni rekomandoi hapjen e negociatave. Shtetet anëtare por presin më shumë progres në reformët kyçe para se të hapen negociatat. Në veçanti progresi kërkohet në implementimin e reformës në drejtësi dhe  më së shumti në  rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në çdo rast, Komisioni ka njohur faktin se Shqipëria ka vijuar të ketë progres gradual për përmbushjen e prioriteteve kyçe për hapjen e negociatave për anëtarësim. Në çdo rast, Komisioni e ka pranuar që Shqipëria vazhdon të bëjë progres bashkë me përmbushjen e të gjithë prioriteteve kyçe për hapjen e negociatave. Ndryshimet kushtetuese u implementuan unanimisht në Korrik të 2016-ës duke lançuar procesin e reformimit të sistemit gjyqësor”.

Duke përfunduar fjalën e tij mbi axhendën e Romës për BE-në, Priebe tha se “projekti i integrimit europian ka qenë i suksesshëm me arritjet që kanë lënë gjurmë në histori. Në Romë BE ka ngritur një axhendë për të parë përballuar ngjarjet e tanishme dhe sfidat e të ardhmes. Perspektiva e zgjerimit për Ballkanin perëndimor është konfirmuar. Qartësisht progresi është në të dyja anët, nga BE dhe nga Ballkani Perëndimor. Optimizmi ka qenë një nga forcat më të mëdha e atyre që kanë punuar për Europën. Na lini të kapërcejmë momentet e depresionit kolektiv dhe të shikojmë përpara me optimizëm”. 

Në panelin hapës të Ditëve të Studimeve Shqiptare u diskutua mbi sfidën që ka akademia sot për të qenë prezente në zhvillimin ekonomik të vendit me anë të studimeve dhe kërkimit të mirëfillte shkencor në këtë drejtim. Presidenti i UET-it, prof. dr. Adrian Civici, në fjalën e tij i mëshoi këtë fakti duke theksuar rolin e rëndësishëm që ka shkenca për zhvillimin ekonomiko-social të vendit.

Civici vuri theksin te rëndësia që UET i jep kërkimit shkencor, që sipas tij, “ka arritur një fond të destinuar  për kërkimin shkencor në nivelet e 750.000 eurove në vit, që është pothuajse i barabartë me fondin kombëtar që ka Shqipëria për kërkimin shkencor në total”.

Studiues dhe profesorë të universiteteve më të njohur në Europë do të reforojnë gjate DSSH-se, si Nico Carpentier  dhe Vaia Doudaki nga Uppsala University, Paul Nixon nga Hague University, Dr. Anikó Kelemen-Erdős nga Óbuda University, Bozidar Todorov, CEO i Investment Bank Albania etj. Brenda objektivit dhe filozofisë së DSSH si një festival idesh gjatë dy ditëve të konferencës diskutimet dhe studime shkencore i kushtohen ekonomisë dhe zhvillimit social të vendit dhe reformave në kuadër të rritjes ekonomike. Gjatë ditës së dytë të kësaj konference do të shqyrtohen problemet dhe sfidat aktuale dhe të ardhshme të Shqipërisë në lentet analitike akademike dhe shkencore për të nxjerrë në pah arritjet kyçe, por gjithashtu për të vënë në dukje mundësitë e humbura.

Ka ardhur koha që ekonomia shqiptare të kërkojë këndvështrimin shkencor

Nga Henri Çili*

Është viti i katërt që ne e ndërmarrim këtë iniciativë “Ditët e Studimeve shqiptare”, si një përpjekje e integruar në kuadrin e një jave pak më ndërkombëtare. Doja të shtroja një lloj pyetje e cila në kuptimin tim ka rëndësi sot, pas edhe një përvoje  tonën gati 11 vjeçare në administrimin e edukimit të lartë, por dhe në kuadrin e ciklit ekonomik në Shqipëri. Pyetja retorike që dua të ndërtoj është: “A ka ardhur koha që ekonomia shqiptare të kërkojë këndvështrimin shkencor ose ekspertizën shkencorë për të kaluar në një fazë të re pas një ezaurimi të inercisë strukturuese të sistemit tonë ekonomik? Apo anasjelltas komuniteti i kërkuesve shkencorë  ka nevojë për një financim më të mirë nga ekonomia shqiptare pasi kanë kaluar ato fazat e vështira të strukturimit të korporatave me rëndësi në Shqipëri për të kontribuar në zhvillimin e vendit?”. Unë mendoj që janë të dyja, por njëra është e sigurt. Unë do të thoja që sistemi ynë ekonomik ka mbetur disi i shkëputur nga pjesëmarrja e kërkuesve shkencorë dhe bashkë me këtë shkëputje ai ka ngecur në një fazë ku pasi janë ezauruar burimet parësorë të rritjes, burimi i tregjeve, adoptimi i produkteve kombëtare të shpikur nga qendrat e këtyre kapitaleve ose modeleve ekonomikë, në një farë mënyre ka ardhur koha e një zhvillimi krijues dhe këtu kemi ngecur. Ndoshta këtë mund ta thonë CEO-t e korporatave të mëdha, korporatat e mëdha në vend që e ndjejnë atë pulsin e një lloj stopimi të saturimit të tregjeve dhe aty ku kërkuesit shkencor mund të hynin për kërkime të reja tregu, për inovacione, për gjetje të reja, për rritjen e tregjeve, etj..

Pse kemi mbetur larg me gjithë përpjekjet e vogla që janë kryer? Ndonjëherë më duket sikur këto sallat tona janë pak të stimuluara pak për marrëdhënie publike, pak për faktin që nuk përfaqësojnë një tendencë të përgjithshme, që janë kryesisht aktivitet që zhvillohen ose thjesht në sektorin privat për shkak të iniciativës dhe dinamizmit ose me ingredient shumë të mëdhenj formalizmi dhe është momenti që vërtet të flasim troç për këtë hendek të madh  midis tregut dhe komunitetit të kërkuesve shkencorë në Shqipëri. Të gjithë mund të  bëjnë diçka. Ne mund të bëjmë një pjesë të kësaj diçkaje dhe unë do të them çfarë kemi bërë në pak fjalë për ta strukturuar këtë marrëdhënie midis komunitetit tonë të kërkuesve dhe tregut lokal në Shqipëri. Në dy 5-vjeçarë radhazi jemi në zhvillim ose në mes të projektit të madh kërkimor “ Shqipëria inovative 2015-2020”, duke ndërtuar 7 projekte të mëdha kërkimore, një numër prej 21 drejtimesh të mëdha kërkimore dhe më shumë se 150 akse kërkimore individuale të cilat duam t’i agregojmë dhe t’i bashkërendojmë për një produkt më rezultativ. E gjithë kjo lëvizje që ka shumë kapacitete të fshehura financiare institucionale bashkë me  atë që ne harxhojmë neto për grantet kërkimore, për botimet, për revistat shkencore, për librat e botimet kap një shumë pak më të madhe se 750.000 euro, përafërsisht 20% të buxhetit tonë si institucion, gati 1.000.000 euro po të llogarisim dhe facilitetet financiare. Është një shifër e lakmueshme për një institucion privat, i cili ka dhe disa sfida të tjera për të mbijetuar në treg por si administrim ne e bëjmë këtë gjë me kënaqësi për shkak të faktit se ne duam të bëjmë diferencën, duam të luajmë rolin që na takon në shoqëri dhe duam që kapacitetet tona akademike ose mësismdhënëse të kenë atë ajkën cilësore të materies gri, të përshtatshme dhe vazhdimisht sfiduese në raport me detyrën kryesore që gjithsesi mbetet mësimdhënia. Ne duam të kalojmë në një fazë të dytë në dy-tri vitet e ardhshme. Deri në përfundim të këtij projekti, jo vetëm plotësimi strukturor i kësaj  që kemi, por edhe me zgjerimin e universitetit, me hapjen e degëve të reja, me ristrukturimin e departamenteve dhe fakulteteve nga tri në pesë fakultete bashkë me fakultetin e ri të mjekësisë dhe të  inxhinierisë që po hapim nga 8 në 14 departamente dhe dy qendra nga një numër total programesh studimore nga rreth 42 ose 43 që kemi hapur dhe akredituar në këto vite në rreth 100 programe në total të ristrukturuara. Ne duam të zhvillohemi në funksion të lidhjes me tregun, tashmë me një strategji të shpallur. “ Universiteti Europian i Tiranës, universiteti i tregut”. Ne duam të ndërtojmë një partneritet me 10 prej korporatave të rëndësishme në Shqipëri sipas fushave krahas programit 250+ me 250 kompanitë më të mëdha në vend. Finalja e të cilave është strukturimi i grupeve të mëdha kërkimore në funksion të gjërave mjaft aplikative për aktorët ekonomik në Shqipëri. Me nisjen e studimeve të grupeve doktorale, ne duam vërtetë të arrijmë një përputhshmëri sa më të madhe midis kërkesave që kanë partnerët tanë strategjik dhe sektorët përkatës. Më shumë se kaq ne duam që të impaktojmë pozitivisht dhe në nivel kombëtar dhe pse disa na e marrin si diçka negative. Pedagogët tanë dhe ekipi ynë është aktiv dhe në strategjitë e ngadalta që po ecin në sektorin e kërkimit në Shqipëri ku doja të thoja të paktën tri elemente. Sigurisht që në Shqipëri bëhet jo aq shumë shkencë në përputhje me nivelin dhe zhvillimin e konomik të vendit, por jo aq pak sa duket. Ne kemi nevojë ta evidentojmë në një mënyrë krejt të re kërkimin shkencor që zhvillohet në Shqipëri. Mendoj se në të gjitha kompanitë që kanë një xhiro mbi 1milion euro ose një numër punonjësish mbi 50 ose 100 të tillë, gjithsesi ka nevojë për kërkime tregu, dhe në mënyrë të tërthortë zhvillohen kërkime tregu. Është e rëndësishme që në sistemin e ri të kërkimit shkencor të “detyrohen” kompanitë ose korporatat me një përmasë të caktuar që sektorin e zhvillimit ta evidentojnë më vete dhe ta shprehim e matin në produktin e përgjithshëm kombëtar se sa shpenzojnë për kërkimin dhe zhvillimin. Kërkim pa zhvillim sigurisht që nuk ka. Së dyti ne kemi nevojë ta shembim sistemin arkaik kombëtar sovjetik të kërkimit shkencor i cili vazhdon të mbetet në fuqi në formën e akademisë së shkencave ose universitetit shtetëror. Shumë prej nesh kemi marrë pjesë në atë sistem në një kohë të caktuar por kjo nuk duhet ta bëjë që të mos e kundërshtojmë me forcë vazhdimin e asaj inercie, e cila jo vetëm nuk është aspak produktive për shoqërinë, por është bërë dhe bllokuese. Sistemi i akademisë së shkencave të universiteteve shtetërore ose reforma e papërfunduar e kërkimit shkencor në Shqipëri, jo vetëm harxhon keq paratë publike por është bllokuese për pjesën tjetër të sistemit, një sistem i cili do të ndërtohej mbi parimin e paritetit dhe parimin e shpërndarjes së buxhetit kombëtar publik për kërkimin shkencor mbi produktin dhe jo mbi vendet e punës, mbi shkencëtarët shtetërorë do të ishte kontributi më i madh që do jepnin në vitet e ardhshme për reformën e kërkimit shkencor. Së fundmi besoj se ne në Universitetin Europian të Tiranës kemi dhënë shembullin modest, duhet t’i drejtohemi shumë më tepër partneriteteve europiane. Ne do të mund të fuqizojmë dhe do të rrisim Know How për të qenë kërkues shkencorë bashkëkohore.

*Fjala e administratorit të UET-it në sesionin hapës të Ditëve të Studimeve shqiptare 2017

Rimodelimi i BE-së kërkon një treg ballkanik të bashkuar

Nga Milva Ekonomi* 

Modelimi i ri i rritjes ekonomike duhet thënë që ka një qasje që është qasja kombëtare, ka një qasje që është ajo rajonale dhe ka atë globale, ku në një lloj mënyre ne themi që është dhe qasje europiane e rritjes ekonomike të Shqipërisë. Kur mendoj se çfarë ka bërë Shqipëria të paktën në këto tri vite dhe kur ne shikojmë modelin e ri ekonomik që mund të sjellë rritje ekonomike dhe mirëqenie për individët në Shqipëri, unë përpiqem të bëj një rishikim të reformave që janë bërë.

Nëse do t’ju thojë një numër për reformat janë aktualisht 10 që kanë ndodhur që kanë synuar të japin pikërisht rimodelimin e ekonomisë duke u nisur nga investimet e brendshme dhe nga rritja e eksporteve por duke synuar që bizneseve shqiptare t’u japë mundësinë që të operojnë më mirë dhe familjeve shqiptare t’i japë mundësi të rritin  konsumin. Të gjitha këto janë bërë në një qasje gjeografike të ndryshuar nga ajo e mëparshmja. Ne sot kemi më pak komuna dhe ndërkohë janë bërë në një qasje të tillë sociale, ku është munduar të mbështetet ajo klasë shoqërore, e cila ka të ardhura të pakta.

Për sa iu  takon reformave  më të rëndësishme që cenuan të varfrit siç ishte ajo në energji, ku ata që nuk kishin mundësi paguese u subvencionuan nga shteti apo edhe vendosja e pensionit social, e cila bëri që njerëzit të cilët nuk kishin patur kurrë të ardhura për arsye të mosnjohjes së kontributit në punë, të merrej një pension social. Gjithashtu, u ridimensionua edhe ndihma sociale që u shkonte familjeve në nevojë apo dhe individëve pa punë. Natyrisht që ka për të bërë akoma, por rritja ekonomike që tregon shifrat solli një fakt të rëndësishëm. Padyshim Shqipëria ishte një vend që dukej sikur po ia dilte mirë, po impresiononte në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit, por ndërkohë kishte gjithmonë një risk, ai i ngërçit politik. Kjo ishte një gjë që edhe ndërkombëtarët e vunë në shënjestër që duhet të bënim kujdes nëse donim rritje ekonomike të shëndetshme.

Shqipëria është duke punuar në një treg rajonal. Kur dolën të dhënat e Doing Bussines, diskutuam dhe për bashkëpunimin rajonal të Shqipërisë për atë që ne e quajmë zonë ekonomike rajonale ose tregu i përbashkët ku Shqipëria me të gjitha vendet e rajonit, përpiqet të integrohet në një treg ekonomik të përbashkët duke dashur të zgjidhë disa instrumente ose duke marrë disa masa që mund të lejojnë lëvizjen e lirë të kapitalit, të njerëzve, të mallrave dhe të shërbimeve. Për të bërë një lëvizje më të mirë të mallrave ata që koordinojnë këto veprimtari të lëvizjes së mallrave janë disa organizma rajonalë siç është CEFTA. Vendet e Ballkanit Perëndimor ranë dakord të njehsonin atë që e quanin protokolli i 5-të i CEFTE dhe ky protokoll është miratuar nga qeveria shqiptare.

Ndërkohë po bëhemi gati për një gjë shumë të rëndësishme që është protokolli numër 6 dhe lejon lëvizjen në fushën e shërbimeve që ka të bëjë me profesionistët.

Ne kemi disa profesione të rregulluara në vendin tonë dhe rajon, të cilat rregullohen në bazë të njohjes që vjen nga universiteti, por edhe në bazë të krediteve që marrin gjatë eksperiencës së punës. Në Shqipëri janë 9 profesione të rregulluara, 4 nga këto kanë të drejtë që mbas miratimit të protokollit të 6 të lëvizin lirisht në rajon. Kjo është një punë e madhe e çdo administrate përfshirë dhe atë akademike për të lejuar këtë qasje në rajon. Besoj se rajoni e ka kuptuar tani që rimodelimi i vetë BE-së kërkon që rajoni vetë të ketë energjinë për t’u bashkuar dhe për të kuptuar që tregu ballkanik është një treg që ia vlen të punohet, ka profesionistë që janë të gatshëm dhe ka ndërmarrje që kanë nevojë të internacionalizohen sepse bashkë me përgatitjen e profesionistëve që bëhen gati për të punuar nga një vend në tjetrin në Ballkanin perëndimor, një fakt shumë i rëndësishëm që po del nga diskutimet tona është internacionalizimi i ndërmarrjeve.

Ne në Shqipëri e dimë që numri i ndërmarrjeve që kanë pak punonjë është i madh, është rreth 99% e ndërmarrjeve që janë të vogla dhe nuk kanë mundësi të internacionalizohen sepse kanë njohuri të pakta. Kështu që ka nevojë të vazhdueshme që ndërmarrjet në Shqipëri të kenë mundësi të kenë njohuri për hapjen e tregjeve të tyre përtej vendit, për të shkuar në vende të tjera, për të eksportuar produkte dhe për këtë arsye duhet të marrim një sërë masash që kanë të bëjnë me njohjen e produktit të tyre në treg siç është tregu rajonal. Padyshim që gjëja më e rëndësishme për një produkt është të ketë disa lloj aksesesh në certifikim apo në njohjen e produktit Made in Albania. Në këtë periudhë me mundësitë financiare që ka qeveria, ka punuar fort që ndërmarrjet të kenë mundësi të marrin certifikime për të lëvizur produktet e tyre në këtë treg por gjithashtu të marrin edhe certifikimet e pronësisë industriale. Gjatë tri viteve lajmi i rëndësishëm për t’u ndarë është se 60 produkte shqiptare janë certifikuar Made in Albania, kanë marrë pronësi industriale dhe janë të gatshme të kalojnë në tregun rajonal.

*Fjala e ministres së Zhvillimit Ekonomik në sesionin hapës të Ditëve të Studimeve shqiptare në UET

Shkruar Nga
More from revista mapo

Ligjërimi i të marrëve që vijnë nga media, politika dhe universiteti

Nga Fitim Zekthi, Revista Mapo Niveli dhe përgjegjësia me të cilën artikulohet...
Read More