DSSH 2017: Shkenca për reformat dhe modelin e rritjes ekonomike

Studiues të huaj dhe vendës për dy ditë hodhën ide, paraqitën studime dhe diskutuan për reformat dhe modelin e rritjes ekonomike të Shqipërisë. Ditët e Studimeve Shqiptare 2017 të organizuara nga Universiteti Europian i Tiranës në bashkëpunim me disa universitete të njohura në Europë mbajtën edicionin e katërt më 28-29 prill, me temë “Rimodelimi i reformave për një model të ri të rritjes ekonomike, studimi i Shqipërisë – ekonomia, politika, zhvillimi social, perspektiva e së ardhmes”. Studiuesit theksuan nevojën për një mendim shkencor në zhvillimin ekonomik të vendit dhe reformat që ndërmerren

Akademikët nuk e shohin veten si një aneks i veçuar i shoqërisë dhe zhvillimeve që ndodhin në ekonomi, politikë, media etj. Përkundrazi, ata besojnë se ekspertiza e tyre është shumë e vlefshme në këtë zhvillim dhe në debatet me të cilat përballet ekonomia sot. Një diskutim i tillë mbi mundësitë që ka sot shkenca që të ndikojë me ekspertizën e saj në zhvillimin ekonomiko-social të vendit u ngrit në dy ditët e Konferencës Ndërkombëtare Ditët e Studimeve Shqiptare të mbajtur në UET gjatë fundjavës që shkoi, 28-29 Prill. Tema e zgjedhur: “Rimodelimi i reformave për një model të ri të rritjes ekonomike, studimi i Shqipërisë – ekonomia, politika, zhvillimi social, perspektiva e së ardhmes”, ftoi në diskutim studiues të huaj dhe vendës, si dhe dy të ftuar nderi si folës kryesorë në sesionin hapës; Reinhard Priebe, ish-president i Komisionit Europian, një njohës i Ballkanit dhe i Shqipërisë dhe Milva Ekonomi, ministre e Zhvillimit Ekonomik.

Ky ishte edicioni i katërt i iniciativës “Ditët e Studimeve Shqiptare”, i kthyer në traditë nga UET, si një përpjekje për të integruar një debat shkencor rreth reformave dhe modelit të rritjes ekonomike.

Studiuesit theksuan nevojën që ekonomia shqiptare të kërkojë këndvështrimin shkencor ose ekspertizën shkencore si dhe ngritën shqetësimin e mungesës së financimit të shkencës për të bërë punën e saj në këtë drejtim.

Duke marrë rastin e UET-it, një universitet privat me përvojë 10-vjeçare në tregun e Arsimit të Lartë në Shqipëri, administratori i tij, Henri Çili, tha se “të gjithë mund të bëjnë diçka. Ne mund të bëjmë një pjesë të kësaj diçkaje dhe unë do të them çfarë kemi bërë në pak fjalë për ta strukturuar këtë marrëdhënie midis komunitetit tonë të kërkuesve dhe tregut lokal në Shqipëri. Në dy 5-vjeçarë radhazi jemi në zhvillim ose në mes të projektit të madh kërkimor “Shqipëria inovative 2015-2020”, duke ndërtuar 7 projekte të mëdha kërkimore, një numër prej 21 drejtimesh të mëdha kërkimore dhe më shumë se 150 akse kërkimore individuale të cilat duam t’i agregojmë dhe t’i bashkërendojmë për një produkt më rezultativ. E gjithë kjo lëvizje kap një shumë pak më të madhe se 750.000 euro, përafërsisht 20% të buxhetit tonë si institucion”.

Sfidat e shkencës

Në panelin hapës të Ditëve të Studimeve Shqiptare u diskutua mbi sfidën që ka akademia sot për të qenë prezente në zhvillimin ekonomik të vendit me anë të studimeve dhe kërkimit të mirëfillte shkencor në këtë drejtim. Presidenti i UET-it, prof. dr. Adrian Civici, në fjalën e tij i mëshoi këtë fakti duke theksuar rolin e rëndësishëm që ka shkenca për zhvillimin ekonomiko-social të vendit.

“Këtë vit kemi gjetur një temë shumë interesante dhe të domosdoshme për realitetin shqiptar siç janë sfidat e modelit të ri ekonomik dhe zhvillimit ekonomiko-social të vendit të studiuara qartë dhe të analizuara nga një këndvështrim shkencor për të dhënë dhe përgjigje po kaq shkencore. Në këto kohë të bësh shkencë ose të kërkosh të bësh shkencë nuk është aq e lehtë. Ka një opinion që në Shqipëri është e vështirë të bësh shkencë sepse në shumicën e rasteve ajo bëhet formalisht. Ashtu dhe për faktin që fondet për kërkimin shkencor për shkencën kanë qenë e vazhdojnë të jenë shumë të kufizuara dhe të limituara. Megjithatë kjo përpjekje modeste në filozofinë e zhvillimit të vet që ka Universiteti Europian i Tiranës, për të bërë ditët e shkencës shqiptare ka një synim edhe më të veçantë” -tha Civici.

Civici vuri theksin te rëndësia që UET i jep kërkimit shkencor, që sipas tij “ka arritur një fond të destinuar për kërkimin shkencor në nivelet e 750.000 eurove në vit, që është pothuajse i barabartë me fondin kombëtar që ka Shqipëria për kërkimin shkencor në total”. 

DSSH si festival idesh

Konferenca u mbajt dy ditë rresht me disa panele studiuesish, të huaj dhe vendës. Studiues dhe profesorë të universiteteve më të njohur në Europë, si Nico Carpentier dhe Vaia Doudaki nga Uppsala University, Paul Nixon nga Hague University, dr. Anikó Kelemen-Erdős nga Óbuda University, Bozidar Todorov, CEO i Investment Bank Albania etj., referuan mbi temën e reformave dhe modelin e rritjes ekonomike. Brenda objektivit dhe filozofisë së DSSH si një festival idesh gjatë dy ditëve të konferencës u mbajtën diskutime dhe studime shkencore që i kushtohen ekonomisë dhe zhvillimit social të vendit dhe reformave në kuadër të rritjes ekonomike. Gjithashtu u shqyrtuan problemet dhe sfidat aktuale dhe të ardhshme të Shqipërisë në lentet analitike akademike dhe shkencore për të nxjerrë në pah arritjet kyçe, por gjithashtu për të vënë në dukje mundësitë e humbura. Konferenca u organizua nga UET në partneritet me “American European University”, “Hague University of Applies Sciences”, “Ǒbuda University”, “Uppsala Universitet” dhe “Universiteti of Miami” dhe “Fibank”.

Referuesit në Ditët e Studimeve Shqiptare

Vaia Doudaki

Vaia Doudaki është profesoreshë e asociuar e studimeve të Medias dhe Komunikimit në Departamentin e Informatikës dhe Medias të Universitetit Uppsala. Hulumtimi i saj fokusohet në përfaqësime, identitete dhe diskutime në media. Puna e saj më e fundit është botuar në revista të tilla, si: Journalism, Gazeta Evropiane e Komunikimit, Javnost, Studimet e Gazetarisë.

Bozidar Todorov

Bozhidar Todorov ka qenë shefi ekzekutiv i Bankës së Parë të Investimeve në Shqipëri (FIB Albania). Todorov ka 11 vjet përvojë të suksesshme bankare. Pozita e tij e mëparshme, e mbajtur për katër vjet ishte ajo e shefit të Aktiveve të Zhvlerësuara dhe Departamentit të Sigurimit në Bankën e Parë të Investimeve në Bullgari. Ai është përballur me pozicione të ndryshme në sektorin bankar që nga viti 1996 dhe fokusuar në zbatimin e zhvillimit të biznesit të orientuar nga klientët dhe strategjik në Fibank.

Nico Carpentier

Nico Carpentier është profesor në studimet e Medias dhe Komunikimit në Departamentin e Informatikës dhe Medias të Universitetit Uppsala. Përveç kësaj, ai mban dy pozita me kohë të pjesshme, ato të profesorëve të asociuar në Departamentin e Studimeve të Komunikimit të “Vrije Universiteit” në Bruksel dhe Docent në Universitetin Charles në Pragë. Për më tepër, ai është hulumtues në Universitetin e Teknologjisë së Qipros dhe Universitetin Loughborough. Më parë ishte menaxhues në ECREA dhe zëvendëskryetar dhe menaxhues në IAMCR.

Paul Nixon

Paul Nixon është një ligjërues kryesor në Shkencat Politike dhe Shef i Kërkimeve në Studimet Evropiane, Universiteti i Shkencave të Aplikuara të Hagës dhe Holandës. Ai ka përvojë në një numër projektesh të BE-së, të tilla si GAIDA dhe COST-14 projekte në fushat e gjera të Demokratizimit, Transparencës dhe Mediave. Ai ka kontribuar me kapituj në shumë koleksione të redaktuara për përdorimin e TIK-ut, veçanërisht në fushat e partive politike, demokracisë elektronike dhe mirëqenies sociale.

Dr. Anikó Kelemen-Erdős

Dr. Anikó Kelemen-Erdős është asistent profesor në Fakultetin e Biznesit dhe Menaxhimit të Keleti Károly të Universitetit Óbuda, Hungari. Ajo kreu doktoraturën e saj në marketing në Universitetin e Teknologjive dhe Ekonomisë të Budapestit në vitin 2014. Fusha e saj kryesore e kërkimit është marketingu, sidomos logjika e dominimit të shërbimit dhe logjika kryesore e konsumatorit. Interesat e saj kërkimore përfshijnë marketingun me pakicë dhe menaxhimin e transportit publik.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Chapeau për sheshin z. Veliaj!

Nga Ndriçim Kulla Me Erion Veliajn jemi ndarë politikisht 25 shekuj më...
Read More