Duka apo Fino? Komuniteti i futbollit zgjedh drejtuesin e 4 viteve të ardhshme

 
 

Pas një fushate të ndezur elektorale, me projekte e platforma, akuza dhe kundër-akuza, sqarime e replika, sot është dita vendimtare.

Asambleja Zgjedhore e FSHF-së do të japë verdiktin e shumëpritur nga komuniteti i futbollit dhe jo vetëm, atë se cili do të drejtojë institucionin qeverisës të futbollit shqiptar për 4 vitet e ardhshme, raporton SuperSport.

Presidenti aktual, Armand Duka, kërkon një mandat të 5-të, duke u bazuar në progresin e futbollit shqiptar nën drejtimin e tij, ndërsa rivali kryesor Bashkim Fino, që vjen nga politika, premton ndryshimin pas akuzave të forta ndaj drejtimit aktual. Në garë është edhe Shpëtim Hala, ish-gjyqtar, edhe pse me një kandidaturë që nuk ka pasur rezonancë të fortë mediatike.

Kjo e këtij viti në fakt ka qenë edhe fushata më e nxehtë në aspektin mediatik, me akuza të forta, duke nisur që nga ato të përdorimit të politikës e deri te ato për abuzim me fondet, tani zhurma ia lë vendin votimit, me 66 anëtarët e Asamblesë që do të vendosin me votën e tyre se cili do të jetë presidenti i ardhshëm.

Statuti përcakton qartë se për t’u zgjedhur president kandidati ka nevojë për 2/3 e votave të vlefshme, dhe nisur nga shifra e 66 anëtarëve me të drejtë vote do të thotë se duhen 44 vota. Në rast se asnjë prej kandidatëve nuk arrin të sigurojë këtë shumicë të përcaktuar, atëherë zhvillohet një raund i dytë midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në raundin e parë. Këtu kandidati që fiton me shumicë të thjeshtë, 50% plus 1 të votave zgjidhet president.

Edhe pse është folur shumë më pak, tejet të rëndësishme janë edhe zgjedhjet për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, që përbëhet nga 11 persona, presidenti, dy zëvendëspresidentë dhe 8 anëtarë, ndërkohë që Presidenti i Shoqatës së Arbitrave zgjidhet automatikisht anëtar i Komitetit Ekzekutiv. 23 janë kandidaturat që garojnë për vendet në organin më të lartë kolegjial që drejton dhe merr vendime mes periudhave të dy asambleve.

Mbledhja më e rëndësishme e futbollit shqiptar do të nisë që nga ora 9 e mëngjesit të sotëm në hotel Adriatik në Durrës, me rendin e ditës që kulmon pikërisht me zgjedhjet për presidentin dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv. Pritet të jetë një mbledhje e gjatë dhe me interes të jashtëzakonshëm, të cilën do të mund ta ndiqni duke nisur nga fillimi, drejtpërdrejtë në Supersport, që i dedikon hapësirën e merituar nëpërmjet një transmetimi maratonë zgjedhjeve në futbollin shqiptar.

 
 
Shkruar Nga
More from Redaksia

Dy trashëgimi kulturore shqiptare kandidohen për listën europiane të “7 Më Të Rrezikuarave”

    Katër zona historike në Ballkan janë kandiduar për t’u përfshirë...
Read More