Durasana përforcon modelin tonë shoqëror dhe politik!

Nga Gentian Kaprata

– Memo Sovranit

Një nga të pavërtetat më të mëdha që na është shitur këto kohë, është teza se qytetet tona janë të pajetueshme si pasojë e ‘betonizimit’. Kjo zëvendësoi tezën e ‘kioskëzimit’, sipas së cilës fajin për gjendjen urbane e kishin kioskat. Rënia e kësaj teze dhe niveli i lartë i partishmërisë bipartizane në gjykimin shoqëror, solli dhe konsolidoi tezën e ‘betonizimit’ të qyteteve apo ndryshe ‘pallatet e shumta dhe voluminoze që u lejuan të ndërtoheshin’. Mirëpo, ndryshe nga teza e ‘kioskëzimit’, këtë të dytën nuk mund ta testojmë dot në praktikë! Ajo që na mbetet është teoria, dhe teoria na thotë se nëse do të kishim ndjekur rrugën shkencore të lejimit të zhvillimit sipas një seti hierarkik planifikimesh, pallatet nuk do e kishin prodhuar gjithë këtë dëm urban. Në fakt ne lejuam zhvillimin e fragmentarizuar, ku vendimmarrësit lejonin ndërtimin e një pallati në oborret e 2-3 pronarëve pa e vrarë mendjen për çfarë do ndodhte me gjithë bllokun e banimit.

Kjo metodë zhvillimi udhëheq, përveçse në mjerim urban, edhe në dy konsekuenca logjike e praktike: mungesë të hapësirave shoqërore; dhe atomizim të shoqërisë. Mungesa e hapësirave të përbashkëta e limiton aktivitetin njerëzor vetëm në dy marrëdhënie hierarkike: atë të punës; dhe atë të familjes, duke penguar krijimin e grupeve shoqërore me interesa të ngjashme. Kurse, atomizimi social copëton deri në individuale interesat shoqërorë dhe kërkesat që i drejtohen politikës. Kështu shoqëria konvertohet nga një rrjet grupesh e interesash në një kope individësh e familjesh, secili me interesa individualë dhe familjarë ndaj vendimmarrjes administrative dhe asaj politike. Në përgjigje të kësaj strukture, klasa politike e orientoi diskursin në dy lojëra gjuhësore: individuale në kafene (premtime për vende pune, tenderë dhe koncesione); dhe populiste nëpër mitingje (premtime larg nevojave reale shoqërore dhe mundësive konkrete të buxheteve publike).

Kështu u ndërtua marrëdhënia e përfaqësuesit me të përfaqësuarit përgjatë proceseve të kalimit të legjitimitetit politik, dhe ishte kjo që ndërtoi modelin tonë social e politik. Legjitimitet që kalohej bazuar në vende pune në administratë, tenderë dhe koncesione për ata që dinë të bëjnë “bisnes” me përfaqësuesit e tyre dhe anekdota populiste për naivët idealistë që besojnë qorrazi te partia e “tyre” dhe tek uniteti i çeliktë rreth kryetarit të saj. Rreth këtij modeli politik u zhvillua gjithë organizimi dhe funksionimi i shtetit dhe shoqërisë. Shteti përbëhet nga: administratorë të lartë dhe politikanë që mundohen të fitojnë sa më shumë nga vendet e punës në administratë, tenderët e koncesionet; dhe zyrtarë injorantë që mundohen të mbrojnë rrogën që kanë duke përmbushur çdo kërkesë të ‘shefit’. Kurse, shoqëria segregohet në: oligarkë që tentojnë të gllabërojnë sa më shumë nga pasuria kombëtare; dhe mjeranë e të papunë që synojnë mbijetesën për të nesërmen.

Nga ana tjetër vepron e kaluara politike e vendit. Regjimi komunist në Shqipëri kishte tipare dhe karakteristika më të theksuara se vendet e tjera të bllokut socialist, si: mungesë totale të mendimit pluralist; ideologjizim dhe mobilizim të gjerë të popullsisë; dhe udhëheqës të gjithëpushtetshëm pa kufij sundues të përcaktuar. Ishin këto karakteristika dhe tipare që ndikuan në formësimin e modelit politik të Shqipërisë post komuniste. Megjithëse synuam një demokraci, ajo që kemi mbërritur është veçse një liderokraci. Dhe liderokracia kërkon liderë të mbifuqishëm partiak të cilët prodhojnë gjithçka politike: idetë, diskursin, veprimin, luftën apo konsensusin me kundërshtarin. Ky lloj lideri nuk ka nevojë për bashkëpunëtorë politikë të cilët gjithashtu prodhojnë produkte politike. Ai ka nevojë për mbështetës dhe dishepuj, të cilët edhe kur tolerohen apo delegohen të dalin në media apo tribuna të tjera publike, përsërisin qëndrimin politik të liderit.

Ndërsa liderët partiakë kthehen në udhëheqës të gjithëpushtetshëm dhe dishepujt e tyre marrin në dorë fatet politike, sociale dhe ekonomike të vendit, shoqëria nuk ka shpresë tjetër veçse të konkurrojë në këtë model të vetëm shoqëror me strukturë të vetëm partitokracinë. Kështu të gjithë iu afrohen qendrave më të mëdha urbane ku ka diçka për të ndarë nga vendet e punës në shtet, paratë, pronat, tenderët dhe koncesionet publike. Nga ana tjetër, është ky koncentrim popullsie që shton konkurrencën e individit për t’u kthyer në dishepuj të udhëheqësit. Këtu kemi hyrë në një cikël vetëpërsëritës dhe vetëstimulues që përforcon modelin tonë shoqëror prej katër “klasash”, dhe modelin tonë politik të oligarkisë sunduese. Produkti i gjithë kësaj është realiteti i sotëm: kryetarë partish që tejshtrijnë pushtetin; oligarkë që shtojnë pasurinë; dishepuj apo zyrtarë që kapërcejnë nga një parti në tjetrën; dhe masa që shkojnë nga varfëria drejt mjerimit të skajshëm.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Hipertensioni: Meshkujt më të rrezikuar, shenjat që zbulojnë sëmundjen

Një shqiptar ka gati dyfish shanse të vdesë prej sëmundjeve kardiovaskulare se...
Read More