Durrësi si shenjë e triumfit të industrisë së turizmit

Nga Ervis Iljazaj

Sipas një sondazhi të kryer nga Qendra Kërkimore Monitor me 110 hotele të bregdetit shqiptar rezulton se Durrësi mban vendin e parë për sa u përket prenotimeve kryesisht nga të huajt, duke lënë mbrapa Sarandën dhe Vlorën që kanë një rënie të tyre.

Në një vështrim të parë duket e habitshme se si bukuritë e bregdetit të Jugut kanë qenë më pak të preferuara nga të huaj se ai i Durrësit, duke qenë se shumë prej nesh kanë një farë snobizmi ndaj tij dhe shumica preferojnë ujërat e kristalta të Jonit. Megjithatë ky është një fakt, që Durrësi këtë vit ka patur si asnjëherë më parë një rekord turistësh të huaj, kryesisht nga Çekia dhe Polonia. Çdokush që provonte të prenotonte këto ditë një dhomë në hotelet e bregdetit të Durrësit, do ta shikonte që ishte pothuajse e pamundur të gjente një të tillë.

Si shpjegohet ky fenomen me gjithë problematikat e qytetit të Durrësit si dhe bukuritë e bregdetit të Jonit që nuk kanë të krahasuar më të?

Këtë sezon, me gjithë problematikat që janë hasur si çdo vit në brigjet e Jugut, atmosfera rreth turizmit shqiptar është pozitive. Ka kronika si asnjëherë më parë për Shqipërinë në mediat e huaja që e këshillojnë si një nga destinacionet më interesante të Ballkanit. Gjithashtu, tour operatorët e huaj gjithmonë e më tepër kanë Shqipërinë në itineraret e tyre turistike. E megjithatë Vlora dhe Saranda kanë pësuar ulje të turistëve të huaj, të cilët kanë vërtet ndikim në ekonominë shqiptare.

Mund të ketë shumë arsye. Pikë së pari janë çmimet e bregdetit të Durrësit, që në krahasim me ato të Jugut të Shqipërisë janë disa herë më të ulëta. Pikë së dyti, mund të jetë afërsia me aeroportin e Tiranës dhe komoditetin për të arritur këtë destinacion. Ndërsa për të huajt që zbresin në Shqipëri transporti drejt Jugut është një problem më vete. Minimalisht nuk ka një informacion dhe një terminal autobusësh që e mundësojnë një udhëtim komod. Pikë së treti, siç përmendej edhe në këtë studim kapacitetet e hotelerisë të Vlorës dhe të Sarandës janë të pamjaftueshme. Shumë nga këto struktura janë të një menaxhimi familjar me kapacitete të vogla që nuk u përputhen kërkesave të agjencive turistike të rëndësishme europiane dhe botërore, të cilat punojmë me numër të madh turistësh.

Megjithatë një nga problematikat më të rëndësishme se përse bregdeti i Jugut ka humbur terren në krahasim me atë të Durrësit është fakti se ende turizmi shqiptar nuk është konceptuar si një industri. Suksesi i bregdetit të Durrësit këtë sezon turistik ka ardhur si pasojë e bashkëpunimit me agjencitë e rëndësishme dhe logot e mëdha të operatorëve turistikë. Gjë të cilën Jugu i Shqipërisë që ka potenciale shumë herë më të mëdha nuk po e arrin ende për shkak të mungesës së një vizioni strategjik për ta zhvilluar atë.

Nëse duam vërtet që këtë potencial ta kthejmë në mundësi të zhvillimit ekonomik kombëtar dhe t’i bëjmë ballë konkurrencës së vështirë me vendet fqinje, lipset një strategji totalisht e kundërt nga ajo që kemi pasur deri më tani.

Turizmi kthehet në industri, jo me plane lokale apo me iniciativa personale të bizneseve familjare, por me një vendim shtetëror dhe një plan kombëtar dhe operimin e markave të mëdha turistike, që edhe kur i janë afruar bregdetit të Jugut kemi bërë të pamundurën për t’i larguar.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Mosbindja civile, sidomos kur bëhet për rritjen e taksave, i bën mirë demokracisë shqiptare

Nga Ervis Iljazaj Nuk është e qartë nëse mosbindja civile e thirrur...
Read More