Dy fjalë për përmbytjet derisa të përmbytemi prapë!

Nga Gentian Kaprata

– Memo Sovranit

Korrupsioni nuk është plaga më e rëndë e shoqërisë shqiptare. Është populizmi, apo e spostuara e diskursit publik, kryesisht e elitës drejtuese, nga thelbi i problematikës sipas ekspertizës tek ajo që masa kupton si çështje, dhe e arsyetimit mbi këtë thelb fals. Ndërtimi mbi themele të gabuara, as ka dhënë dhe as ka për të dhënë ndonjëherë zgjidhje, dhe për këtë arsye ne gjendemi gjithmonë të zhytur në të njëjtën kënetë. Pak a shumë kështu ndodh, në Shqipëri, për çdo çështje që shqetëson shoqërinë, por në këtë shkrim do fokusohemi te përmbytjet. Për to, diskursi publik ka laboruar tezën populiste se detyra e shtetit dhe shtetarëve qenka t’ju qëndrojë afër të përmbyturve dhe t’i ndihmojë në vet të parë, përgjatë kohës së përmbytjes. Me demek, bashkëndarja e “fatit të keq” qenka njësia matëse e mënyrës qeverisëse! Sa më shumë ditë pa gjumë të thuhet se ka ndenjur ministri, sa më shumë ushtarakë të jenë përfshirë në operacione, aq më e aftë dhe e mirë qeverisja.

Lloji i çizmeve të përdorura në terren nga Kryeministri, mënyra se si ai drejton mbledhjet e komitetit të emergjencave, grafikët apo tabelat që i shoqërojnë këto mbledhje, por edhe të tjera anekdota si këto, përcaktojnë edhe kuptimin e gjerë shoqëror mbi performancën pozitive të qeverisë. Që në fakt duhet të ishte plotësisht e kundërta, sepse këta populizma janë aleati më i mirë i sulmeve të motit, dhe përforcues progresiv i dëmeve që ata sjellin. Sapo të kuptojmë këtë, ne duhet ta kalojmë targetin tonë nga përballimi me sukses i dëmeve, te marrja e masave paraprake që këto dëme të mos ndodhin apo të minimizohen. Zhvendosja e investimeve publike në qytete nga projektet zbukuruese te projektet përmbajtësore për funksionimin e tyre si një unitet fizik (infrastruktura sociale dhe inxhinierike), duhet të jetë hapi i parë. Ky rast, kërkon investime të menjëhershme te rrjeti i largimit të mbetjeve të lëngshme urbane dhe ujërave të shiut.

Bërë këtë pohim tautologjik, nuk është se kemi dalë nga mjedisi populist përderisa kushdo qytetar mund ta vërejë këtë defekt të qyteteve tona. Megjithëse ky është një hap që duhet ndërmarrë, akoma nuk kemi kaluar në hapësirën ku themelet e diskursit që zgjidh problemet janë domen i ekspertizës. Këtu hyjnë në lojë urbanistët, sipas të cilëve nuk mund të kemi një qytet që përballon sulme të tilla të natyrës nëse ai nuk është zhvilluar në zbatim të një seti hierarkik planifikimesh vendore. Mirëpo kjo ka parakusht planifikimin territorial kombëtar, i cili synon respektimin e ekuilibrave natyrorë që kanë vendosur elementet e natyrës ndërmjet njëra-tjetrës, për miliona vjet. Pra, nëse ndërtojmë hidrocentrale, nëse shfrytëzojmë lumenjtë apo malet për materiale ndërtimore, duhet ta vlerësojmë më parë edhe çfarë ndryshimesh do të pësojnë elementet e tjera të natyrës, si pyjet e gjelbërimi i ulët, toka nëntokësore dhe ujërat e saj etj.

Pa u larguar nga planifikimi territorial kombëtar, ka një element shumë të rëndësishëm të tij që duhet evidentuar edhe për këtë temë. Element, që gjithashtu është “harruar” në këto kohë tranzicioni. E kam fjalën për detyrën bazike që ka kjo shkencë për të projektuar shpërndarjen e popullsisë nëpër qendrat e banuara të vendit. I keni dëgjuar shtetarët kur flasin “për planifikim” zhvillimesh të reja në qytetet që ata drejtojnë ‘për t’ju përgjigjur kërkesave të qytetarëve’ që vijnë në qytetet e mëdha?! Kullat e Tiranës janë një shembull klasik i kësaj mënyre antishkencore të të vepruari. Prandaj shoqëria shqiptare duhet t’i ikë populizmit tjetër që është i lidhur me këtë çështje, sipas të cilit, sa më shumë para’ t’ju japë shteti të përmbyturve si dëmshpërblim, aq më të realizuar e bën këtë qeverisje! Nga qasja e dëmshpërblimit për dëmet e pësuara, ne duhet të kalojmë te largimi i banorëve dhe aktiviteteve nga ato territore ku ka rrezik të përsëritur.

Niveli i lartë i populizmit nuk do e përtypë lehtë këtë pohimin e fundit, jam i sigurt që disa nga ne do e konsiderojnë herezi. Por mendojeni thjesht, sikurse bëni për çështjet në familjet tuaja. A do i çonit këpucët disa herë te këpucari, nëse kosto për meremetimin e tyre do ishte më e madhe se çmimi i një pale të reja? Jam i sigurt se jo, sepse qytetarët nuk janë aq budallenj dhe të papërgjegjshëm sa qeveria. Ajo i dëmshpërblen të njëjtët të përmbytur për të disatën herë pa kuptuar që do ishte më ekonomike t’ju ndërtonte një bllok të ri banimi në një territor të sigurt. Edhe për këtë arsye, ne duhet t’i kthejmë sytë te rritja e përgjegjshmërisë individuale e familjare nëpërmjet lirisë dhe zvogëlimi i rolit të shtetit në jetën shoqërore. Vetëm papërgjegjshmëria individuale dhe familjare të marrë në “mbrojtje” nga supershteti, mund t’i kthejë përgjigje shteruese pyetjes, pse të parët tanë ndërtonin në kodra, kurse ne ndërtojmë në brigjet e lumenjve?!

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Arrestimi i Tahirit, Këshilli me dy raporte, ja çfarë përmbajnë

Mazhoranca dhe opozita duhet të paraqesin brenda ditës së sotme dy raportet...
Read More