Dy makina me atentatorë ndaj Ervin Dalipaj

dalipaj1

Dy ditë pas atentatit mafioz të ndodhur në afërsi të “Mbikalimit të Sukthit”, ku mbetën të vrarë ish-efektivi i policisë, Ervin Dalipaj dhe mikut i tij Juxhin Dauti, janë zbardhur detaje të reja.
Burime zyrtare nga prokuroria e Durrësit bëjnë me dije se ekzekutimi i dy viktimave ka ndodhur për 60 sekonda. Sipas hetuesve të çështjes, makina tip “Audi S8” me targa AA 111 OI u qëllua me 32 plumba kallashnikovi. Mësohet se në atentatin ndaj Dalipajt e Dautit kanë marrë pjesë dy automjete, një “Audi A3” dhe një “BMW X5” me ngjyrë të zezë. Fakti që autorët e krimit kanë qenë me dy makina është zbuluar pas këqyrjes së pamjeve filmike të kamerave të sigurisë, që iu sekuestruan bizneseve që ndodhen në autostradën Durrës-Tiranë (afër vendit të ngjarjes).

Skema e krimit
Policia dhe prokuroria kanë mundur të zbardhin skemën e krimit. Sipas burimeve nga organi i akuzës, dy viktimat fillimisht kanë qëndruar në autoservisin, i cili është jo më shumë se 300 m larg prej vendit të atentatit, me një fushëpamje absolute. Në autoservis, 38-vjeçari Ervin Dalipaj dhe 27-vjeçari Juxhin Dautaj janë takuar me dy vajza, të cilat kishin mbërritur aty me një automjet “Smart”. Më pas, sapo kanë dalë nga dera e autoservisit, i cili mbikëqyret me 4 kamera filmike e rezolucion të lartë, dy viktimat janë ndeshur me një makinë “BMW X5”, jo më shumë se 15 m distancë në anë të rrugës.

Këtu rruga ka fushëpamje absolute edhe nga pjesa e kodrës ku gjenden shtëpitë e banorëve të zonës. Dyshohet që rreth 30 m distancë, për nga kthesa në drejtim të Shijakut, makinën e viktimave e priste një automjet tip “Audi A3” ngjyrë gri.

Dinamika e Ngjarjes

Fillimisht automjeti që drejtohej nga Dauti (Dalipaj ishte pasagjer në vendin e parë) është qëlluar me breshëri kallashnikovi nga automjeti “BMW X5” në lëvizje e sipër, ndërsa “Audi A3” i ka prerë rrugën. Drejtuesi i mjetit, Dauti është qëlluar fillimisht në krahun e shoferit me breshëri dhe ka vdekur në vend, ndërsa makina në këtë moment është përplasur me një bordurë betoni, ndërsa ka dalë nga rruga e asfaltuar, në një shesh.

Ndërkohë, dyshohet se mjeti i viktimave doli jashtë rruge, pasi është qëlluar në drejtim ballor nga automjeti i dytë i atentatorëve, të cilët janë siguruar që viktimat humbën jetën si rezultat i breshërisë së plumbave. Përplasja e “Audit S8” duket që ka qenë e fuqishme, ndërsa këmba e drejtuesit të mjetit ka ngrirë e shkelur në gaz, pasi ai ka ndërruar jetë. Pas përplasjes, automjeti ka fluturuar lart për rreth 20 m, duke kapërcyer bordurën e betonit dhe kanalin rreth 3 m të gjerë e të thellë, që gjendet në anë të autostradës.

Automjeti është plasur në autostradë, aty edhe ku dhe u gjetën dy viktimat nga forcat e policisë. Makina ku udhëtonin dy të vrarët ka qenë me shpejtësi maksimale. Pas krimit, makinat e atentatorëve janë larguar në rrugën dytësore në drejtim të Shijakut ose të Durrësit.

Shkruar Nga
More from Revista User

Fermerët amerikanë dhe tarifat mbi çelikun

Ndërsa po lehtësohen tensionet e një lufte të mundshme tregtare dhe negociatat...
Read More