Dy rrugët e Idromenos: Të mahnitesh, por edhe të dyshosh

paci4Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, drejtuar nga Luçjan Bedeni, më 26 janar 2017 përuroi ekspozitën e vet të parë me artefaktet që konservon me titull “Dy rrugët e Idromenos”, kuruar nga artisti Adrian Paci. Ndërsa me 27 janar u mbajt biseda tërheqëse rreth brumimit të kësaj ekspozite, që shënon faktin se si duhet më në fund të funksionojnë muzetë dhe galeritë kombëtare edhe në Shqipëri

Nga Suzana Varvarica Kuka

Në këtë shkrim nuk marr përsipër të tregoj rreth studimit tim mbi Idromenon, mjediset ku u rrit dhe u edukua, veprën që dëshiroi të pikturojë me plotësi fetare, apo veprën që pikturoi me delikatesë për njohjen mbi psikun e njerëzve, që takoi dhe jetoi në jetën e përditshme. Nuk marr përsipër të tregoj mbi fazat e krijimtarisë, as mbi filozofinë e tij mbi pikturën, as të them se sa naiv apo profesionist ishte, sepse këto i kam bërë në librin tim të fundit “51 piktorë shqiptarë” të Koleksionit “Shehaj”. Mendoj të tregoj se si ndryshon situata emocionale e një kërkuesi dhe mjedisi artistik, kur njihen me një veti tjetër krijuese të personalitetit, në kërkim dhe njohje.

Në të gjitha sferat studimore të imazhit, emri i Kolë Idromenos vërtitet në radhët e tyre. Në mënyrë të natyrshme do të mbetet një prej shqiptarëve me mendje pjellore, ku realiteti që jetoi nuk e ngërtheu, por e ndihmoi të ishte njeriu që provoi në të gjitha fushat artistike dhe mendoj se ia doli me sukses të mbijetonte në mjedisin shoqëror feudal shqiptar. Në ditët tona, krijimtaria e tij, ia ka dalë të na befasojë, madje të na mahnitë në këto ditët e fundit të janarit të 2017-s. Është një kënaqësi e madhe, kur mëson rreth subjekteve e qëllimit të fotografive të Kolë Idromenos (1860-1939), edhe pse ende ka shumë dilema e dyshime mbi data e vite të jetës, të studimeve dhe mbi disa vepra të tij.

Personalitetin shqiptar të gjysmës së dytë të shek. XIX dhe 40 viteve të para të shek. XX mund ta përthithim në nivelin më të lartë, edhe nëse njihemi dhe zbulojmë cilësitë e Kolë Idromenos, historinë dhe arkitekturën e Shkodrës, si dhe në detaje, nëse vëzhgojmë imazhet e fototekës Marubi, e cila sot është kthyer në një model të ekzistencës funksionale të një muzeu kombëtar. Ky mendim të lind kur shkon dhe e viziton, çfarë të ofron dhe se si ta ofron produktin që konservon. Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, drejtuar nga Luçjan Bedeni, më 26 janar 2017 përuroi ekspozitën e vet të parë me artefaktet që konservon me titull “Dy rrugët e Idromenos”, kuruar nga artisti Adrian Paci. Ndërsa më 27 janar u mbajt biseda tërheqëse rreth brumimit të kësaj ekspozite, që shënon faktin se si duhet më në fund të funksionojnë muzetë dhe galeritë kombëtare edhe në Shqipëri. Ndoshta për ata që dinë dhe kanë kaluar eksperienca të tilla do thonë si kritizerë, kjo është e pakta që ka bërë. Kam dëshirë të kundërshtoj e të them se kjo është më e mira dhe shembulli më i mirë që të tjerë muze e galeri në vendin tonë duhet ta marrin, e jo si përvojë sasiore, por si një e tillë cilësore. E parashtroj idenë time, duke rrëfyer se kohë më parë jam ndodhur në situata të tilla. Ato u ndërprenë në arsye të pasqarueshme, që do t’i lidh me bëmën, për të mos e kërkuar dijen e imazhit te rrëfimi studimor, por te një dembellëk për të mos e dërguar dijen te publiku. Dhe më e keqja te marrja nën kontroll të institucionit artistik dhe mbylljes së tij ndaj bisedës së arsyetimeve studimore, qofshin ato tradicionale apo bashkëkohore. Adrian Paci, në këtë rast kurator i ekspozitës, bëhet njësh me vendlindjen dhe paraardhësit e vet. Ai dëshiron t’i zbulojë nëpërmjet gjithçkaje që ndodhet e ruajtur në këtë muze. Ai zgjodhi Idromenon dhe disa vepra të tij. Në mendimet e tij na i sjell të krahasuar dhe të konceptuar, duke u mbështetur në krijimtarinë e të huajve në disa kohëra. Ai arrin të mbajë një auditor të vëmendshëm duke na shprehur mënyrën e tij të mendimit. Ai prezantoi ekspozitën, që e ka krijuar si një qarkim veprash të Idromenos. Ajo përbëhet nga 12 fotografi të zmadhuara dhe filmat në xham të tyre, nga pikturat “Betimi i rremë” dhe “Dy rrugët”, si dhe pikturat me subjekt fetar, në të cilat janë pikturuar dy shenjtorë: Shën Pjetri dhe Shën Pali dhe katër ungjillorë. E gjithë kjo situatë, na bën edhe një herë të qartë fizionominë krijuese të Idromenos, për të cilin dimë shumë fakte, por që ekspozita tregoi se nuk dimë dhe aq.

Adrian Paci, duke na referuar për Parajsën dhe Ferrin, në veprën “Dy rrugët”, na dërgoi, me idetë e tij, në vëzhgimin e shumë imazheve të pikturave të temës fetare krijuar nga disa mjeshtra botëror. E rregulli i trajtimit të mëkateve dhe bamirësive, nuk ia ndryshon aspak qëllimin Idromenos në pikturën e tij, por realistika figurative e trupave njerëzorë dhe portreteve, relievi natyror, kostumografia shqiptare e Shkodrës veriore është një cilësi e dalluar e veprës. Kjo cilësi do të jetë e njehsuar gjithmonë si tipike dhe veçantë, e kërkuar për t’u parë dhe befasuese për çdo kënd shqiptar të ri në kohë të reja dhe të huaj. Befasuese për mënyrën e pikturimit dhe që më bën të mendoj, me dilema, për Idromenon para vitit 1900 dhe për Idromenon pas vitit 1900. Nuk kam për të qëndruar në atë çka kuratori Paci trajtoi gjartazi rreth kësaj pikture dhe mendoj se ishte një mënyrë origjinale e të parit të veprës dhe një dije më shumë e me vlerë. Ajo që dua të trajtoj lidhet me një nga rrugët e forta të krijimtarisë së Idromenos, që është fotografia e tij.

Në këtë ekspozitë pamë se sa pak e kishim njohur Idromenon si fotograf. Sa pak dinim rreth fotografive të tij deri në këto ditë, si dhe sa pak dimë ende, pasi nuk i kemi prekur, tërësisht, me studime imazhet që fiksoi. Fotografitë e Idromenos kanë një atmosferë që nxit emocionin “mahnitës” te shikuesi. Vërtet befasohesh. Idromeno, Shkodra dhe njeriu i saj janë subjekti i tyre në një këndvështrim tjetër. Njeriu, skena aktruese e trupave dhe gjesti i psikut njerëzor, të kërkuar të jenë të tilla, nga fotografi Idromeno, hapin diskutime, rrjedhojnë dyshime dhe tentojnë përgjigje rreth PSE-së. Një pikëvështrim na e mundëson kuratori Paci, kur shohim pikturën e panjohur “Betimi i rremë” dhe një prej fotografive të Idromenos, të cilat ende janë pa titull, por që mendoj se asaj fotografie mund t’i rrijë për shtat titulli “Akt mbi betimin e rremë”. Subjekti i fotografisë së panjohur i rri për shtat imazhit të pikturës së panjohur. Të dyja bëhen prezente nga Muzeu. Pikturën e panjohur më parë në publik, (e njohur mbase në Shkodër-e kjo kërkon studime se ku u gjet dhe nga ka ardhë, për të pasuruar figurën e Idromenos me fakte e data reale), e shohim me një pamje ekspozuese të restauruar nga Gjon Ulbani. Një restaurator shumë cilësor me banim në Itali. Imazhi i fotos është shumë i fortë, është përtej dramatikes e shkon deri në një tragjedi komike. Ndërsa piktura është alegori e tragjedisë mbi gënjeshtrën si dështim i moralit njerëzor. Ajo është pikturuar me aftësi naive dhe mbase e trajtuar si referencë imagjinare e koncepteve të pikturave “Ferri1”, “Ferri2” dhe “Kopshti i begatë i tokës” të piktorit holandez Hieronymus Boch (1450-1516). Mundet Idromeno të këtë rënë në kontakt me pikturat e Boch? Edhe mundet. “Betimi i rremë” është një pikturë që pasqyron njerëzit demonë dhe njeriun e shpërfytyruar në aktin e dënimit për mëkatin e kryer dhe këtë e kishte kryer Boch 500 vite më parë. Ajo është vepra, deri tani e vetme, që mund të na justifikojë pse Idromeno i fotografoi të gjitha këto akte njerëzore? Ky është edhe qëllimi i këtij shkrimi. Sot ne i trashëgojmë xhamat e këtij lloji inskenik si përpjekje e Idromenos për t’i kthyer në pikturë dhe për këtë shtyhem nga disa arsyetime.

Së pari: Idromeno i ka krijuar subjektet me gjeste njerëzore dhe i ka trajtuar teatralisht aktet, për të bërë kalimin nga piktura fetare në pikturën realiste, por që ende subjekti lidhet me gjëmën që e gjen njeriun nga perëndia, kur anashkalon besimin fetar dhe i kënaqet mëkatit, dëfrimit pa fre dhe veseve. Ai përmes fotografisë e tejkalon për mrekulli mjedisin fetar dhe i përmbledh mendimet e tij në imazhe fotografike të mjedisit të hapur laiko-realist, përmes një mënyre naive plot dramaticitet. Idromeno na vjen si piktori kapërcyes nga fetarja te laikja.

Së dyti: Fotografitë e tij, aktet teatrale dhe të inskenuara prej tij, nuk i gjejmë të përkthyera apo të pikturuara te “Dy rrugët” dhe kjo ngre një pikëpyetje? Pse ai nuk e bëri këtë kur tashmë dihet se piktura “Dy rrugët” është një rrëfim imagjinar dhe figurativ i mëkateve dhe i bamirësive? Por, deri më tani, piktura “Betimi i rremë” më lejon të mendojmë se Idromeno kërkonte të bënte realitet në pikturë aktet dramatike të fotove. Të paktën inskenimin “Betimi i rremë”, i trajtuar disi ndryshe prej zmadhimit dhe kapacitetit kopjues, e gjejmë në një fotografi. Ai nga fotografia e kalon në pikturë, e bën imagjinare, e bën abstrakte, i heq realen e fotografisë, i vesh abstragimin figurativ dhe naivitetin e piktorit. Ai përdor fotografinë për të realizuar pikturën dhe jo modelet e gjalla dhe natyrën e drejtpërdrejtë. Idromeno, piktori kapërcyes nga fotografia në pikturë.

Së treti: Gjatë procesit të fotografimit të skenave, Idromeno njihet me sjelljen dhe psikun e njeriut të asaj kohe. Mendoj se ka dëshiruar t’i pikturojë dhe përsëri “Betimi i rremë” e fakton këtë. Ai tenton t’i pikturojë jo më përmes rregullave të pikturës fetare, por përmes fotografisë me subjekte laike dhe fizionomi psikike të pasur dramatike, komike e tragjike. E jo vetëm në portrete, por edhe në gjeste. Kjo e bën Idromenon të jetë një “Giotto” (Xhoto) shqiptar, pra një pararilindës në pikturën tonë, sepse kërkon skenarin, skenën dhe aktorët.

Së katërti: Fotografitë e tij janë jeta e përditshme e parë në mënyrën dhe dëshirat e tij përzgjedhëse. Subjektet e mbetura si imazh prej shkrepjes fotografike, të paktën në këto 12 pamje, lidhen me jetën në rrugë, me gjestin e një lypëseje, me pozicione të trupit njerëzor, me lodrat hokatare të burrave, me lutjen e një prifti, si dhe me skenat për dënimet ndaj mëkatarëve me vese. A janë imazhet një shprehi apo segment i jetës së asaj kohe në qytetin e Shkodrës? Pse mos, ndryshe mendoj se Idromeno nuk do kishte arritur t’i inskenonte. Idromeno vjen si piktor realist që prek jetën e përditshme, me mjete e forma naive.

Kjo ekspozitë e paktë në numrin e veprave idromenase, por që përfshin përmes tyre të gjithë veprimtarinë e tij, ka shumë përmbajtje, subjekte dhe dilema rreth shumë fakteve mbi Idromenon. Më parë ekspozita, muzeu dhe kuratori rrisin respektin dhe figurën e poliedrikut shkodran. Ata nxisin punën për hulumtime, kërkime dhe studime, që në një të ardhme figura e Idromenos të jetë edhe më e qartë, pa dilema se kur i kreu studimet, në studion e cilit artist venecian qëndroi, kush është piktori venecian, si ndikoi mbi Idromenon; data kur i krijoi disa nga veprat e tij më thelbësore, si: “Dy rrugët” apo “Betimi i rremë”; si dhe pse na shfaqet me dy mënyra krijimtaria e tij? Studimet do të bëjnë të mundur të mos “gabojmë” për të vendosur fjalët e para fotografi, e para pikturë laike. Kultura jonë shqiptare figurative ende nuk është zbuluar në etapat e saj historike. Kjo ekspozitë e tregoi këtë, por edhe se si mund të mahnitesh, të çuditesh dhe të befasohesh nga artefaktet e reja që na vijnë nga historia e së shkuarës.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Nëse kulla është kali, stadiumi është Helena e Trojës

Nga Alfred Lela Imagjinoni një kullë. E cila mund të jetë ajo...
Read More