Dy vajza me burka në shfaqjen për seksin, Nano: Ikën si hije, janë bërë myslimane me pahir

 

Në mes të muajit të Ramazanit, kur besimtarët myslimanë i dedikohen më së shumti marrëdhënies së tyre me Zotin, duke u privuar për orë të tëra gjatë ditës nga ushqimi e aq më tepër raportet intime, dy vajza të mbuluara shkojnë të ndjekin shfaqjen e Mustafa Nanos: “Nuk ka kurva në këtë botë”.

Një one man show që flet gjerësisht për seksin, duke u nisur nga eksperiencat personale të autorit e duke parashtruar një sërë çështjesh të konsideruara tabu në shoqërinë shqiptare. A mund të jetë e mundur kjo? A do të vinte një besimtar mysliman, qoftë grua apo burrë, të ndiqte një spektakël të tillë gjatë orëve të agjërimit?

Një besimtare myslimane, që nga droja ndaj Zotit dhe burrit vendos të mbulohet kokë e këmbë, do të guxonte të shkonte në teatër për të dëgjuar një burrë që flet për orgazmën?! (Do të kishte qenë diçka tërësisht normale nëse do të ndodhte gjatë ditëve të tjera të vitit, pasi ka vajza e gra intelektuale të mbuluara me shami, që punojnë e studiojnë dhe janë po aq të kulturuara, në mos edhe më shumë se shumë të tjera të zbuluara). Por a mundet që dy vajzat e mbuluara të mos kenë qenë vërtetë besimtare myslimane, por dy vajza të mbuluara qëllimisht për të krijuar një lloj tensioni në sallë?! Apo të kenë qenë pjesë e show-t?

Vetë Mustafa Nano shprehet i habitur nga gjithë sa ka ndodhur. Në një intervistë për “Panoramën”, Nano shprehet se as nuk i kishte vënë re ato gjatë gjithë performimit të tij, por nuk kishin kaluar pa u vënë re nga të pranishmit e tjerë në sallë, që i kishin ndjekur me një lloj mosbesimi, pse jo edhe ankthi…

Ç’ka ndodhur? Po marrim vesh se në Teatrin Eksperimental “Spahivogli”, në shfaqjen tënde mbi “kurvat”, kanë qenë dy myslimane të mbuluara.

Po, është e vërtetë. Dhe unë në fakt kam menduar se askush nuk i kishte fotografuar atë mbrëmje. Pyeta disa të njohur të mitë dhe të gjithë më thanë se nuk u kish shkuar mendja t’i fotografonin. Ishin si të hutuar nga ajo ngjarje.

Edhe të trembur, ndoshta.

Ishin trembur fillimisht, ende pa filluar shfaqja, kur dritat ishin ende të ndezura e kur ato të dyja u futën në sallë si pa të keq, tamam si të mësuara me sallat e teatrit.

Ndoshta kanë qenë “ata të dy” dhe jo “ato të dyja”.

Jo, jo, u mor vesh që ishin femra. Madje, çupa të reja. Ata që ishin më pranë tyre kanë dëgjuar që ato qeshnin. Dhe qeshnin sidomos në momentet e nxehta të show-t, kur unë zija dhe flisja për seksin, orgazmën, përvojën time të parë seksuale. Ishin të qeshura që dilnin nga brenda thasëve të zinj, me të cilët ishin mbuluar. Situatë surreale, në fakt. Nga fotografia duket se kanë qenë të mbuluara krejt. Nga koka te këmbët, përfshirë edhe fytyrën. E sikur të mos ishte mjaft kjo, kishin vënë edhe nga një palë syze dielli. As sytë pra, nuk u shiheshin. Dhe këtë gjë ma thanë disa vetë.

Dhe ju i dëgjuat që qeshnin?

Jo unë. Unë as që e dija se ato ishin në sallë. Në skenë, pasi hapej perdja në fillim të shfaqjes, salla errësohej dhe unë shihja vetëm silueta pa formë. Dhe kështu, unë i pashë ato të dyja në fund të shfaqjes, kur dritat u ndezën, me qëllim që unë të përshëndetesha me spektatorët, të më shihnin e t’i shihja në sy. Dhe pikërisht në këtë moment, unë pashë ato të dyja që u ngritën me ngut dhe u larguan si hije. Edhe nga ecja dukej që ishin vajza.

Si reaguat ju?

Unë ngriva për një çast. Më doli veç një pasthirrmë, pa ndonjë nënkuptim. Ishte thjesht një pasthirrmë e lehtë. Spektatorët e panë që unë u kapa në befasi, por as ata nuk reaguan. Thjesht i shoqëruan me sy teksa largoheshin.

Po salla, kishte pasur frikë se mos ndodhte ndonjë gjë?

Sigurisht. Kjo nuk është një ngjarje e zakontë. Dy vajza të mbuluara nuk duken kurrë në një sallë teatri. Lëre pastaj që ato ishin krejt të mbuluara. Ishin veshur me burka. Lëre më tej që ato hynë në një sallë teatri, ku do të flitej për seksin. Dhe kështu, disave u shkoi mendja edhe te më e keqja. Menduan pra, se do ndodhte diçka. Askush nuk e dinte se çfarë. Më e pakta që pritej ishte të prishnin shfaqjen dhe këtë mund ta bënin në momente të caktuara, që mund të ishin momentet “e shthurura”, por mund të ishte edhe një moment tjetër, në të cilin unë tallem me fetë. Është një 5 minutësh nga fundi, në harkun e të cilit unë flas kundër feve mizogjine.

Kanë kaluar disa ditë tanimë. Ç’kuptim i jep kësaj ngjarjeje?

Tani që është marrë vesh se kanë qenë dy vajza të reja, që e kanë shijuar monologun (këtë e tregojnë të qeshurat e vazhdueshme të tyre), mendja më shkon te vetëm një opsion i vetëm. Ato kanë qenë dy vajza që janë bërë myslimane me pahir. Janë të shumta vajzat e kësaj kategorie. Kanë dëgjuar prej gazetave, portaleve, prej televizioneve, se po bëhej një show mbi seksin dhe janë bërë kureshtare. Unë vajzat myslimane i përfytyroj shumë kureshtare për shfaqje të tilla. Dhe kanë shpikur një mënyrë për ta ndjekur këtë show, pa rrezikuar. Janë mbuluar pra.

Nuk besoj se në jetën e përditshme vishen ashtu. Por në atë rast kanë dashur t’u fshihen syve të botës, sidomos syve të të afërmve e të njohurve të tyre. Dhe jo më kot zgjodhën pikërisht atë ditë për të ardhur në shfaqjen “Nuk ka kurva në këtë botë”. Ishte mbrëmja kur në të njëjtën kohë po luhej ndeshja finale e kompeticionit Champions League, mes Realit e Liverpulit. Atë mbrëmje ishte e mbushur pak më shumë se gjysma e sallës dhe pothuaj kishte vetëm gra. Dhe ato gjetën një kënd të izoluar të sallës, në rreshtin e dytë, në cepin e majtë, duke mbajtur një distancë me spektatoret e tjera.

/Panorama/

Shkruar Nga
More from Redaksia

Planifikoi të vriste kryeministren, dënohet i riu

  Një i ri britanik u shpall fajtor nga gjykata e Old...
Read More