Dy vendime që priten të rizgjojnë politikën shqiptare

Nga Ervis Iljazaj – Me ndonjë protestë spontante aty-këtu të opozitës, dhe lajmet që vijnë nga llogaridhënia me publikun e qeverisë, duket sikur asgjë nuk lëviz në politikën shqiptare.

Pas një periudhe konfliktuale me çështjet e ministrave të Brendshëm, edhe bateritë e opozitës duken të rëna. Opozita shqiptare arriti të ngrinte disa kauza të rëndësishme, disa edhe i fitoi, por ato nuk patën asnjë impakt në dinamikën e politikës. Çdo gjë vazhdon si më parë. Ndoshta kjo është qetësia përpara furtunës, ose një pafuqi e dinamikës së politikës për të prodhuar ngjarje.

Në fakt, ka dy arsye të cilat kanë bllokuar politikën shqiptare, të cilat, me sa duket janë të vetmet që do ta rizgjojnë atë nga gjumi në të cilën ka rënë.

E para është vendimi për hapjen e negociatave, dhe e dyta emërimi i Ambasadorit të ri Amerikan në Shqipëri, duke qenë se Donald Lu është në ikje. Linja politike e SHBA-së në Shqipëri që pasqyrohet nëpërmjet ambasadorit të saj këtu, është domethënëse edhe për zhvillimet politike të brendshme. Në këtë moment që po flasim, është një linjë që është në stand by deri e emërimit të ambasadorit të ri. Kështu që, të dyja këto vendime, përbëjnë si të thuash, vendime të arbitrit, që në një fare mënyre gjykon mbarëvajtjen e politikës këtu te ne.

Dhe, kur mungon arbitri, loja nuk zhvillohet. Duam apo s’duam ne, ndërkombëtaret, kanë ende një ndikim të madh për ngjarjet politike të brendshme. Që nga rënia e komunizmit e deri më sot, për shkak të proceseve euroatlantike të Shqipërisë, por edhe për shkak se politika shqiptare nuk ngjall besueshmëri tek opinioni publik, ndërkombëtarët janë kthyer në sytë e shqiptarëve aktorët më të besueshëm. Për këtë arsye vendimet e tyre kanë një influencë në politikën e brendshme.

Kush mendonte se me kalimin e viteve dhe me konsolidimin e pluralizmit politik, roli i tyre do të ishte më i vogël, u zhgënjye. Jo vetëm që ky rol nuk është ulur, por do të jetë gjithmonë e më domethënës.

Fakti që, kohët e fundit në opinionin publik shqiptar, citohen më shumë mendimet e politikanëve të huaj se sa të atyre shqiptarë, e tregon më së miri këtë gjë.

Në këtë kuptim, deri në marrjen e vendimeve të lartpërmendura, asgjë nuk pritet të ndodhë në dinamikën politike të brendshme, si në kampin opozitar, po ashtu edhe në atë qeveritar.

Po t’i hedhim një vështrim të kujdesshëm qeverisjes në këto momente, do dallosh fare lehtë që mungojnë politika ekonomike, shoqërore apo çfarëdo politike që ka impakt në jetën e qytetarëve. Kjo për arsye se, mungon dialektika politike, mungojnë debatet normale, që bëjnë një demokraci të funksionojnë. Sepse, e gjitha politika shqiptare është në pritje të “direktivave” ndërkombëtare, që me sa duket janë të vetmet që mund të prodhojnë ngjarje domethënëse këtu te ne.

Deri në ato vendime, duhet të mësohemi me një politikë amorfe, e cila nuk ka asnjë përmbajtje reale. E gjithë kjo situatë, po kthehet në një kosto të madhe për ekonominë shqiptare, për politikat e saj nxitëse. Kështu që, nuk na mbetet gjë tjetër, përveçse të shpresojmë që kjo kohë të kalojë sa më shpejt, dhe t’i rikthehemi politikës normale, aq sa mund të jetë normale politika shqiptare.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Barcelonë, furgoni përplasi turmën e njerëzve në sheshin ‘Katalunja’. Akt terrorist

  Një furgon është përplasur me dhjetëra njerëz në qendër të Barcelonës...
Read More