Dy vendimet e drejta të Lulzim Bashës

Nga Ervis Iljazaj

Lulzim Basha deklaroi para disa ditësh dy vendimet politike të tij në ditët në vazhdim, atë të tërheqjes së ministrave teknikë dhe opozitën e fortë kundër mazhorancës.

E para është një vendim i cili nuk kuptohet se përse nuk është marrë më parë, pasi ministrat teknikë nuk kanë më asnjë arsye për të qëndruar në detyrë, duke qenë se misionin e tyre për mbarëvajtjen e zgjedhjeve tashmë e kanë kryer me kohë. Jo vetëm kaq, por janë duke bllokuar dhe funksionimin normal të Këshillit të Ministrave sepse, bashkë me ministrat e LSI përbëjnë mazhorancën.

Për sa i përket vendimit të dytë, ndoshta, me këtë qëndrim, Basha është duke hedhur që tani modelin opozitar të tij në katër vitet e ardhshme.

Në këtë mënyrë u jepen fund të gjitha spekulimeve se kishte një marrëveshje midis Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste për bashkëqeverisje.

Tashmë Basha duhet të rikthehet te beteja politike pas marrëveshjes me Edi Ramën për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, e cila krijojë një frymë tjetër politike dhe një dialektikë të re midis mazhorancës dhe opozitës, larg konfliktualitetit të përhershëm që ka karakterizuar këtë marrëdhënie për shumë vite me radhë. Megjithatë, marrëveshjet për aprovimin e reformave të mëdha që i duhen vendit, Basha duhet t’i vazhdojë me mazhorancën në të mirë të krijimit të rregullave të lojës të përbashkëta.

E rëndësishme është që në katër vitet e ardhshme të kemi një opozitë të qartë dhe të vendosur në qëndrimet dhe linjën e saj politike. Një linjë e cila të bazohet te vlerat e djathta politike, larg qëndrimeve populiste apo thjesht elektorale siç ishte rasti i çmimit të ujit, ku nga lideri i një force politike të djathtë pritej një diskutim dhe një qëndrim ndryshe për t’i dhënë zgjidhje njëherë e mirë disa sektorëve që kanë ngelur ende shtetërorë dhe që nuk marrin zgjidhje duke mbajtur qëndrime thjesht për politikën e ditës, por që duan një vizion të qartë.

Edhe pse humbi zgjedhjet e 25 Qershorit, Basha është padyshim kandidati më i mirë për Kryeministër që e djathta shqiptare mund të ofrojë për momentin. Ndonjëherë, që të arrish në majën e politikës lipset të humbësh që të bëhesh fitues. Kështu ndodhi dhe me Edi Ramën. Pas Humbjes në 2009, të gjithë mendonin fundin e tij politik, por trajektorja e tij politike mori totalisht rrugën drejt ngjitjes.

Vendet si Shqipëria, prodhojnë shumë pak liderë që mund ta drejtojnë atë dhe, Lulzim Basha është potencialisht njëri prej tyre.

Por, kursi i tij politik duhet të ndryshojë totalisht në këto katër vite. Gabimet e të shkuarës duhet të kthehen në mësime. Për shembull, nëse vërtet dëshiron që të kthejë Partinë Demokratike në pushtet, Basha ka nevojë urgjente të rimendojë politikat që propozon, duke braktisur “Republikën e re”, e cila është vetëm një gjuhë populiste dhe asnjë zgjidhje reale e problemeve të shoqërisë shqiptare.

Po kështu, duhet të qartësojë politikat që propozon, duke qenë se shpeshherë janë kontradiktore dhe spontane. Shumë prej tyre i kanë zili dhe socialistët e orës së fundit. Kështu që e vetmja mënyrë që të ndërtojë një alternativë të fortë, të qartë dhe të djathtë politike, është vendosmëria për t’i shkruar deri në fund ideve ku bazohet një parti e djathtë, liria, konkurrenca dhe iniciativa e lirë. Këto politika kërkojnë kurajë. Një kurajë që shkon përtej diskursit të thjeshtë për nevojat elektorale. Megjithatë, dihet që opozitat janë kryesisht të majta dhe qeveritë të djathta. Shqipëria ka nevojë edhe për një opozitë të djathtë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Një Orientim për Maturantët!

“Kur mendja dhe pasioni hahen në një trup të brishtë, në dhjetë...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *