Dyshimet për lidhjet e tij: Policia shqiptare zbarkon në Turqi për “Met shqiptarin”

Ekspertët e policisë shqiptare shkojnë në Turqi për të marrë dosjen hetimore për grupin e drejtuar nga Met Kanani, i konsideruar nga media turke si baroni i drogës “Met shqiptari”. Çfarë e lidh kapon e organizatës me Shqipërinë dhe dyshimet se një pjesë e rrjetit ndodhet ende në vendin tonë.

Një ekip i policisë shqiptare ka mbërritur në Stamboll për të marrë informacione të detajuara mbi ‘baronin e drogës’, Met Kanani ose siç quhet nga media turke “Met shqiptari”. Pala shqiptare synon që nëpërmjet fijeve të kapura në Turqi, të gjejë “lëmshin” e madh të trafikut të drogës, kryesisht të kanabisit në Shqipëri.

Dyshohet se ky grup i arrestuar pak ditë më parë në Turqi ka lidhje me persona të tjerë në Shqipëri dhe Greqi, pavarësisht se kreu i kësaj organizate Met Kanani tashmë është në pranga. Sipas medias turke “HaberTurk”, ekipi i policisë shqiptare ka mbërritur në metropolin turk ditën e premte, ndërsa paraditen e së hënës, Kanani së bashku me 10 të dyshuarit e bandës së tij u paraqitën para një gjykate në Stamboll. Në bashkëpunimin dypalësh me interes janë sigurimi i të dhënave të tjera për të shkatërruar të gjithë rrjetin. Edhe pse një emër jo shumë i njohur për drejtësinë shqiptare, Met Kanani dyshohet se është nga krerët kryesorë të trafikut të disa llojeve të drogave, me destinacion kryesisht Turqinë.

Arrestimi

Më 20 mars të këtij viti, Met Kanani u kap nga policia bashkë me 10 persona të tjerë në Mugla, pasi nga maja e një kodre po shikonte mbërritjen në portin turk të një anijeje me 1.1 ton kanabis. Policia e Stambollit, pas një hetimi 6-mujor, nisi aksionin për arrestimin e trafikantëve duke vënë në pranga 11 persona, 4 prej të cilëve shqiptarë.

Droga e sekuestruar kapte vlerën e mbi 5 milionë eurove. Dyshohet se Kanani i kishte ikur policisë greke, e cila kishte kapur disa prej pjesëtarëve të bandës së tij pas një operacioni në det me ndihmën e helikopterëve, vitin e kaluar. Trafikantëve iu gjet 1.3 ton drogë në gomonen e kapur në det pasi kishte përfunduar karburanti. Në një nga operacionet e detajuara të policisë greke dyshohet se Kanani ndodhej në zonën ku do zbarkonte droga, por ka mundur që të arratiset në momentet e fundit. Që nga ajo periudhë dyshohet se u vendos në “bazën” e tij kryesore në Turqi , nga ku drejtonte trafikun e kanabisit dhe heroinës.

Trafik pa nacionalitet

Prej disa kohësh policitë e vendeve të ndryshme europiane si Italia, Gjermania, Anglia apo Holanda kanë ngritur shqetësimin se grupe të organizuara kriminale po kthehen në fenomen shqetësues. Ata konsiderohen të suksesshëm për nga mënyra e organizimit, besueshmëria që krijojnë dhe likuiditeti, ku shpesh blejnë drogë që në vendet e origjinës me para në duar dhe më pas merren me trafikimin deri në dorën e fundit të përdoruesve.

Kjo është një nga mënyrat e rritjes së fitimeve, çka ka bërë që grupet shqiptare të konsiderohen me rrezikshmëri të lartë. Bashkëpunimi që krijojnë me trafikantë të vendeve si Afganistani ku është vendi kryesor i prodhimit të heroinës, apo deri ën vendet e Amerikës Latine për kokainën. Një tjetër fenomen i panjohur më parë ka qenë që trafikantët shqiptarë që merren kryesisht me kanabisin kanë mundur që depërtojnë fuqishëm kryesisht në tregun italian, por pa lënë pas vende të tjera si Gjermania apo Anglia.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Si në filma: Vjedhja 100-milionëshe në Fier, ja si u zbulua autori

  Kanë qenë pamjet e një kamera sigurie që kanë çuar në...
Read More