E bija e dëshmorit të UÇK, Rexhina Myrta: Po studioj për të çuar përpara idealin e Komandant Telit

Ajo është studente e vitit të parë për Marrëdhënie Ndërkombëtare në UET. Thotë se po çon në vend amanetin e të atit, në letrën që la për të ku i thoshte të bëhej vajzë e dijes. Rexhina Myrta, vajza e komandant Telit, i cili humbi jetën në luftën e Maqedonisë thotë se studimet janë rruga për të vazhduar luftën e të atit, përpjekjen e tij për t’i parë shqiptarët të lirë 

Ishte vetëm një vjeçe e gjysmë, kur më 7 gusht të vitit 2001, i ati Lefteri, i njohur nga shokët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si komandant Teli, do të humbiste jetën, në fshatin Gazibabë të Shkupit, i vrarë tradhtisht nga forcat speciale maqedonase, teksa flinte, në shtëpinë e Muzafer Halilit, me pesë bashkëluftëtarë të njësisë “Teli 69”, udhëhequr prej tij. “Unë isha një vjeç e gjysmë, kurse vëllai vetëm gjashtë muajsh. Kemi qenë shumë të vegjël. Nuk është se mbaj mend, thjesht kam një kujtim të vogël që flisja disa kohë në telefon. E kam këtë kujtim. Në fillim mendoja se ishte një burrë që nuk e njihja, por gradualisht e kuptova që ishte babi. E kam një kujtim të vogël” –kujton Rexhina, e cila tashmë është rritur dhe është studente e vitit të parë Bachelor në Universitetin Europian të Tiranës, duke thënë se rruga drejt dijes është edhe përmbushja e amanetit të të atit, i cili i foli së bijës edhe pas vdekjes me anë të një letre. Pasi ishte mësuar me idenë se i ati e vështronte nga qielli, kur mbushi 7 vjeç, e ëma Rabija i dorëzoi letrën. “Isha në klasë të dytë kur e lexova. Ia kish lënë amanet mamit “Tregoja letrën vajzës kur të dijë të lexojë dhe të shkruajë”. Aty kishte shkruar shumë gjëra. Më kishte lënë mamin amanet të parën. Më thoshte që të isha vajzë e dijes. Aty, edhe pse isha e vogël, nisa të kuptoj. U preka shumë. Jam mbyllur në dhomë edhe nuk kam dalë për një kohë të gjatë” – kujton Rexhina dhe sytë i vishen me lot sërish teksa rrëfen.

E ka ndarë historinë e heroizmit të të atit, i njohur ndryshe edhe si tmerri i ushtrisë maqedonase, për trimëritë dhe bëmat e tij gjatë luftës, fillimisht në Kosovë e më pas në Maqedoni, ku edhe ra dëshmor, edhe me shokët e saj të shkollës. Një rrëfim që jo vetëm e emocionoi, por e bëri edhe më të vendosur se duhet ta rrëfejë historinë e të atit, si një mënyrë për të thënë se jeta e tij nuk është shuar kot, por për një ideal.

“Kur flas për babin emocionohen shumë dhe ishte hera e parë që e ndaja historinë e tij me moshatarët. Babi është një pjesë e imja, që më ka munguar gjithmonë. Shokët u treguan shumë të mirë. Më përkrahën edhe me pyetjet që më bënë. Më pyetën në fund nëse do vazhdoja drejtimin që më ka dhënë babi ose si ndihem unë për Shqipërinë, pasi mendohet se tradhtia e babit ka ardhur nga shqiptarë, pasi vetëm ata e dinin vendndodhjen” – rrëfen Rexhina, ndërsa vijon se ka udhëtuar shpesh drejt Maqedonisë, ku atje bashkë me të vëllanë dhe të ëmën e presin si familje e një dëshmori të rënë në luftë dhe një heroi. “Gjithmonë na kanë ftuar nëpër tubime. Bashkëluftëtarët kanë qenë shumë të dashur me ne, na kanë mbajtur shumë afër. Gjithmonë më tregonin historitë e babit. Jemi rritur më atë frymën e luftës, me pasojat pas lufte, dhimbjen. Kështu kemi qenë fëmijë…” – kujton Rexhina.

Rrëfen se shtëpinë ku është vrarë i ati e ka parë së largu, gjatë vizitave në shtëpitë e bashkëluftëtarëve, por brenda nuk është futur dot. “Nuk lejohet të futet njeri. Ne kemi kërkuar të futemi. Tregohet edhe nëpër video se ajo shtëpi nuk hapet. Zonën e dimë. Edhe afër aty te shtëpia kemi shkuar, i kemi thënë dhe mamit që të shkonim, por brenda nuk të lënë të futesh” – zbulon ajo.

Të atin e ka njohur nga historitë, ato që e ëma i tregonte çdo natë, ato që i rrëfenin miqtë e të atit, ata që e njohën nga afër. “Kur shkojmë në Maqedoni pyesim gjithmonë të na rrëfejnë për babin, nga kureshtja që kemi për ta njohur. Ai ka qenë i dashur shumë me të gjithë. Shkonte në çdo shtëpi, te çdo nënë, te çdo fëmijë. Çdokush fliste për të. Dhe nga ana tjetër thuhej se ishte i përpiktë më armikun. Nga njëra anë kishte edhe dashuri dhe nga ana tjetër kishte atë forcën e madhe atë pjesën strategjike të luftës. Siç thotë edhe mami ishte një person i gatuar dhe i lindur për atë gjë”.

Rrëfen se e ëma, Rabija, me dy fëmijë të vegjël e pat shumë të dhimbshëm vendimin e Telit për t’iu bashkuar luftës çlirimtare.

“Mami im është tamam burrneshë. Të mbash dy fëmijë e vetme është vërtet e vështirë. Ne nga njëra anë nuk e kemi ndier mungesën e babit. Mami na ka plotësuar çdo gjë. Për mua është heroina ime dhe babi hero. Ai bashkë me ushtarët e tij”- thotë me një ton krenar Rexhina.

E ndien luftën që kanë bërë shqiptarët për çlirim shumë më tepër se bashkëmoshatarët e saj, pasi jo vetëm që i ati dha jetën, por edhe ajo u rrit me këtë luftë dhe thotë se i zien edhe asaj gjaku për këtë ideal. “Shumë e ndiej, sepse edhe jemi rritur me këto tubimet. Unë kur isha e vogël recitoja poezitë që shkruante mami nëpër këto tubimet. Ta thashë që jemi rritur me këtë gjë. Ne kur shkojmë andej ndihemi si në shtëpinë tonë. E ndiej aq shumë, saqë kur bëhen debatet me Serbinë unë me vëllanë vlojmë përbrenda. Themi: “babi ynë dha jetën për këtë”.

Edhe pse shpesh nervozohet dhe i dhemb ikja e parakohshme e të atit, i cili ishte në fillim të të tridhjetave kur humbi jetën dhe i drejtohet me sytë nga qielli duke i thënë “Pse ike?”, Rexhina e ndien brenda vetes se vendimi i tij për të luftuar ishte vendimi i duhur. “Luftoi për ne shqiptarët. Luftoi për Lirinë. Është kauzë shumë e madhe. Ka qenë një strateg i paparë në fushë. Ka shkruar një histori, e ka bërë atë popull me bëma shumë të mëdha, ndaj unë them se është gjëja e duhur”.

Luftën e të atit, ka vazhduar ta ndjekë, por përmes një rruge tjetër. Asaj të studimeve. Ka zgjedhur të studiojë Marrëdhënie Ndërkombëtare në Fakultetin e Shkencave Sociale të UET.

“E zgjodha sepse gjeta vetveten. Gjithmonë jam gjendur e përfshirë në çdo debat, i kam pasur shumë me dëshirë aktivitetet. Dëgjoja çdo lajm të aktualitetit dhe mendoj se personaliteti im përputhet më së miri me këtë degë. Si UET, ashtu edhe dega Marrëdhënie Ndërkombëtare ka qenë zgjedhja ime e parë. Shkolla më pëlqen shumë. Pedagogët më duken shumë të mirë”.

Në letrën që i ka lënë, i ati i thoshte se nëse lufta të vazhdonte, do të donte që e bija e tij, Rexhina të ishte në radhët e ushtrisë. “Pse jo, nëse lufta do të vazhdonte, mbase do të isha.

Por ai më ka thënë të jem edhe vajzë e dijes dhe e diturisë. Dhe jam munduar gjatë gjithë kohës të kem rezultate të shkëlqyera dhe ta bëj krenar babin” – thotë duke u mallëngjyer sërish me sytë e mëdhenj të gjelbër.

Mundohet që të gjejë tipare të të atit në portretin e saj. I kanë thënë se buzët i ka të tijat, po ashtu vetullat dhe mjekrën. Tregon duke ravijëzuar në ajër mbi fytyrën e saj të bukur një portret imagjinar, atë të të atit, që mundet ta shohë vetëm në fotografi, ose në ato pak materiale filmike, ku ai mund të shquhet duke lëvizur. “Vëllai, thotë mami, është kopje e babit” – thotë duke buzëqeshur me dhëmbët e mëdhenj dhe të bardhë, ndërsa fut pas veshit flokët e grunjta me onde të mëdha. Një nga videot që e emocionon më shumë, është ajo ku i ati shfaqet me xhipin e tij. “Kur e shoh në video duket sikur është ende gjallë. Ajo video më prek shumë. Kemi edhe kapelën në shtëpi. Atë kapele e ka pasur gjatë gjithë kohës dhe kur e shoh kapelën edhe në video më duket sikur e kam njohur. Sikur kam qenë edhe unë aty” – rrëfen ndërsa nga historitë e rrëfyera prej së ëmës dhe përshkrimet e saj, si një vizatim me fjalë, Rexhina ka krijuar përfytyrimin e saj për Komandant Telin, për babanë e saj.

“Në mendjen time kam një person shumë të fortë, një personalitet me forcën e gurit dhe e shoh shumë hero. Për mua ai edhe mami janë heronj, sepse nuk mund t’i ndaj. Do të mundohem sa të kem jetë, të rrëfej historinë e babit dhe të dëshmorëve të tjerë, që askush të mos e harrojë”.

I ati, Lefter Bicaj apo i njohur edhe si Lefter Goxhaj, ishte nga ata shqiptarë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë që lanë vendin dhe iu bashkuan bashkatdhetarëve në luftën për çlirim.

Studente e Universitetit Europian të Tiranës është edhe një tjetër vajzë dëshmori të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dea Llagami, e bija e Skerdilajd Llagamit, i njohur si komandant “Shpendi”. Edhe ai ra në luftën e Maqedonisë, pothuaj në të njëjtën kohë.

“Historia e babit tim është pak më ndryshe. Komandant Shpendi ka rënë në front të luftës, kurse babit tim i kanë bërë tradhti. Po ta studiosh ngjarjen aty nuk u dëgjua asnjë e shtënë arme e si mundet një luftëtar, një komandant, të mos reagojë ndaj armikut?! Është tradhti. Kush e lajmëroi ushtrinë maqedonase, kush e dinte vendndodhjen?” – thotë, ndërsa vështrimi i saj bëhet befas i rreptë. “Kur lexoj për historinë e luftës kam dëshirë që t’i bashkoj enigmat dhe të di më shumë”- thotë, e vendosur se ajo dhe i vëllai duan t’i shkojnë historinë deri në fund. “Duam të zbulojmë më shumë, pavarësisht se koha i fshin ngjarjet”- thotë ajo.

Edhe pse historia e jetës së saj është shënuar nga dhimbja dhe trishtimi, Rexhina i ka kthyer të gjitha vuajtjet në forcë, duke i buzëqeshur jetës. “Një shoqe, Jugerta që është këtu në UET, më thotë se nuk më kupton. “Je shumë e qeshur por nga brenda ke një histori të vuajtur” – më tha. I thashë se kështu të bën jeta.

Me historinë e saj dhe të të atit, do pikërisht të përcjellë këtë mesazh, se ka njerëz që vuajnë shumë në jetë dhe atë e kanë kthyer në forcë dhe se heronj si komandat Teli, duhen përkujtuar që plagë si lufta në Kosovë e Maqedoni, të mos kthehen më kurrë dhe gjaku i derdhur i dëshmorëve të ketë shkuar për një liri të përhershme.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Strategjia parlamentare e opozitës është demode, dhe si pasojë jo efikase

Nga Ervis Iljazaj Konfliktet parlamentare tashmë janë bërë ngjarje e zakonshme në...
Read More