E bllokuar

18 muaj pas miratimit nuk ka ende një produkt të Reformës në Drejtësi, ndërsa ngritja e institucioneve të reja është futur në ngërç, duke dëmtuar sistemin gjyqësor dhe Prokurorinë. Afatet e pamenduara mirë dhe kriteret e forta janë dy nga arsyet përse sistemi i ri i drejtësisë nuk po merr jetë, ndërkohë që dyshime të forta bien edhe mbi vullnetin e klasës politike

Nga Leonard Bakillari

Në fillim të vitit 2015, Jon Smibert dhe Rainer Deville, dy ekspertë të huaj, nisën punën për hartimin e Reformës së Drejtësisë në Shqipëri. Smibert me logon e SHBA dhe Deville me logon e Bashkimit Europian iu prezantuan publikut si “kingmaker-at” e sistemit të ri të drejtësisë shqiptare. Për shumë vite, gjyqtarët dhe prokurorët janë konsideruar si qendra kryesore e rëndesës së korrupsionit. Politika e Tiranës, në përgjigje të problematikës së prezantuar nga qytetarët, vendosi reformimin rrënjësor të sistemit, duke kërkuar ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë. Ambasadori Amerikan, Donald Lu dhe Ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, morën publikisht autorësinë e draftit të Reformës në Drejtësi, të hartuar nga grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë, të drejtuar nga Smibert dhe Deville. Ndryshimet kushtetuese dhe ligjore, ashtu siç edhe pritej, hasën vështirësi dhe pengesa të shumta, kryesisht nga grupet e interesit. Nga ana tjetër, kundërshti u shprehën edhe nga ekspertë konstitucionalistë vendës, të cilët vlerësonin se Kushtetuta dhe paketa e Reformës në Drejtësi kishin probleme të theksuara në teknikën legjislative. Dhe, në vlerësimin e tyre, këto problematika në tekstin e ligjeve, do të sillnin pasoja në zbatimin e tyre, sikurse në fakt po ndodh. Por, këta zëra teknikë u mbytën nga propaganda politike, e mbështetur edhe nga ambasadorët Lu e Vlahutin. Madje, falë presionit të tyre, në natën ndërmjet 21 dhe 22 korrikut 2016, Parlamenti Shqiptar votoi me unanimitet të plotë ndryshimet kushtetuese. Për kritikët, ndryshime kushtetuese instaluan në Shqipëri atë që quhet “Republika e Ekspertëve”. Tashmë, rreth 18 muaj pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, ndërkohë që janë miratuar edhe thuajse të gjithë ligjet e Reformës në Drejtësi, sistemi gjyqësor dhe prokuroria janë në kolaps. Ndryshe nga sa pritej, drejtësia e re dhe lufta kundër korrupsionit në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk ka nisur ende. Arsyet e bllokimit janë në teknikën legjislative, pikërisht në atë pjesë që ekspertët vendës ngritën zërin gjatë draftimit të Reformës. Por, politika shqiptare zgjodhi t’u besonte më shumë disa ekspertëve të huaj, me biografi profesionale të panjohur për publikun e gjerë. Madje, gjatë debateve të ethshme politike pozitë-opozitë, Kryeministri Edi Rama deklaroi se ishte i gatshëm të miratonte çdo propozim të ndërkombëtarëve, pa e lexuar tekstin që do të sillej prej tyre.

Institucionet e reja

Kushtetuta e Shqipërisë tashmë është një grupim normash dhe dispozitash të detajuara, me 183 nene dhe një aneks të zgjeruar me 3 pjesë. Gjuha e përdorur në nenet e reja të ligjit themeltar po shkakton mosmarrëveshje dhe përplasje ndërmjet institucioneve. Thelbi i ndryshimeve kushtuese përmblidhet në dy shtylla kryesore: Vettingu, pra procesi i verifikimit të figurës, integritetit e profesionalizmit të gjyqtarëve e prokurorëve; dhe krijimi i institucioneve të reja që do të menaxhojnë sistemin e drejtësisë. Konkretisht, parashikohet ngritja e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP). Të gjitha këto institucione janë të ndërlidhur me njëri-tjetrin dhe bllokimi i njërit sjell bllokim me efektin domino.

Ekspertët kushtetues kanë konstatuar dy problematika thelbësore në hartimin e Reformës në Drejtësi; afatet e limituara dhe kriteret e forta për anëtarët e institucioneve të reja. Zbërthimi i këtyre dy problematikave krijon një panoramë të plotë të arsyeve se përse sot kemi një sistem gjyqësor të bllokuar dhe një Reformë, e cila nuk po funksionon. Ky fakt u pranua edhe nga një prej “arkitektëve” të reformës, Rainer Deville, i cili gjatë një vizite në Shqipëri tha se kishte humbur fryma. “Ne nuk kemi më frymën e reformave dhe duhet të kërkojmë organizatorin e tyre. Duhet parë kush është ai që i çon përpara këto reforma, që të zbatohen vërtet”, -tha zoti Deville. Por ekspertët thonë se ka dy arsye thelbësore për ngërçin e krijuar, përfshi edhe “dakordësinë” e politikës për Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion. Afatet dhe kriteret janë dy nga arsyet përse sistemi i drejtësisë është në kolaps edhe pse kanë kaluar rreth 18 muaj nga miratimi i ndryshimeve kushtetuese.

Afatet

Nën ethet e zbatimit sa më të shpejtë të Reformës në Drejtësi, ekspertët që hartuan draftet kushtetuese dhe ligjore vendosën disa afate, të cilat nuk kishte asnjë mundësi reale të respektoheshin. Në nenin 179 të Kushtetutës, pika 6, parashikohet që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) të krijohej brenda 5 ditëve nga miratimi i ligjit themeltar. Ky Këshill përbëhet nga 9 anëtarë, përfaqësues të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Prokurorisë së Përgjithshme, Gjykatës dhe Prokurorisë së Apelit, si edhe nga Gjykata Administrative.

Përgjegjësinë për krijimin e Këshillit e ka Presidenti i Republikës, nëpërmjet procedurës së përzgjedhjes me short. Nëse Presidenti nuk zhvillon këtë procedurë, kompetenca i kalon Kuvendit të Shqipërisë. Presidenti i asaj kohe, Bujar Nishani, nuk e zhvilloi shortin brenda 5 ditëve nga miratimi i Kushtetutës. Presidenti argumentoi se Kushtetuta nuk parashikonte kriteret për kandidatët që do të përzgjidheshin nëpërmjet shortit. Kriteret duhet të përcaktoheshin në një ligj, i cili, ende nuk ishte miratuar. Pra, afati kushtetues 5-ditor për krijimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi u rrëzua. Askush nuk shpjegoi publikisht se cila ishte arsyeja që në Kushtetutë, pra në ligjin kryesor të shtetit, ishte vendosur një afat i pazbatueshëm. Po në nenin 179 të Kushtetutës, në pikat 5 dhe 6, është përcaktuar se, brenda 8 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit themeltar, duhet të krijohen Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP). Pra, këto dy struktura të reja, duhet të krijoheshin brenda muajit Prill 2017. Ndërkohë, këto afate kanë kaluar dhe KLGJ e KLP ende nuk janë krijuar. Shkak për vonesat në krijimin e këtyre institucioneve, më së pari është vonesa në aplikimin e ligjit të “Vettingut”. Kandidatët e këtyre strukturave duhet të kalojnë fillimisht filtrin e pastërtisë dhe më pas të konkurrojnë për anëtarësinë në to. Ekspertët e Kushtetutës, në mënyrë amatore, nuk kanë parashikuar mundësinë që, ashtu si për çdo ligj, ekziston mundësia për ankim në Gjykatën Kushtetuese. Kështu ndodhi edhe me ligjin për “Vetingun”. Partia Demokratike ushtroi të drejtën e saj për kundërshtimin e ligjit, gjë e cila vonoi zbatimin e tij. Shtyrja në kohë e ligjit për Vettingun vonoi edhe ngritjen e KLGJ-së dhe KLP-së, të cilat duhet të ishin krijuar, maksimumi, deri në Prill 2017. Pra, edhe në këtë rast, afatet e parashikuara në Kushtetutë, u rrëzuan plotësisht. Madje, kjo situatë mund të ndërlikohet edhe më shumë në vijim. Tashmë që janë shkelur afatet kushtetuese për krijimin e KLGJ-së dhe KLP-së, kjo mund të shërbejë si shkak që formimi i tyre në një periudhë më të vonë mund të konsiderohet si antikushtetutshmëri.

Kriteret

Grupi i ekspertëve synonte që menaxherët e rinj të sistemit të drejtësisë të jenë me integritet të lartë personal dhe profesional. Për këtë arsye, kriteret për përzgjedhjen e tyre u hartuan të atilla që mund të konsiderohen “të forta”. Pikërisht, përmbushja e këtyre kritereve, por sidomos kontrolli i vazhdueshëm ndaj anëtarëve të institucioneve të reja, stepi shumë juristë dhe profesionistë. Kjo stepje u konstatua fillimisht te kandidaturat për Komisionet e Vetingut. Disa herë radhazi, Kuvendi i Shqipërisë dhe Avokati i Popullit, dy institucionet që verifikonin paraprakisht kandidaturat, bënë thirrje publike për ofrimin e aplikantëve. U nevojit një ndërhyrje “in ekstremis” e ambasadorëve Lu e Vlahutin, të cilët bënë një apel për afrimin e kandidatëve për Komisionet e Vettingut. Këto thirrje patën efekt për arritjen e numrit të nevojshëm të kandidatëve. Por, cilësia e kandidatëve dhe më tej, e anëtarëve të Komisionit të Vettingut, nuk duket se është ajo që parashikonin ekspertët. Një pjesë e mirë e tyre vuajnë mungesën e nivelit të lartë profesional siç pritej të ishin. Nga ana tjetër, kriteret e forta kanë bllokuar aktualisht edhe krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP). Ky Këshill, ndër të tjerët, duhet të ketë një anëtar edhe nga Shoqëria Civile. Deri më tani, ende nuk ka kandidatura nga grupet sociale, gjë e cila pengon konstituimin e KLP-së.

Por, çështja e kritereve të kandidatëve ka njohur si pikë kulmore debatin për anëtarët prokurorë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), në shkurt 2017. Në nenin 221 të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, parashikohet se kandidatët, ndër të tjera, duhet të kenë përfunduar Shkollën e Magjistraturës. Në bazë të këtij kriteri, Prokuroria e Përgjithshme dërgoi për shortin për KED-në 3 kandidatë, të cilët ishin të vetmit që plotësonin kushtin për përfundimin e Shkollës së Magjistraturës në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Prokurorinë e Apelit. Institucioni i Prokurorisë përfaqësohet me 3 anëtarë në KED dhe, duke qenë se vetëm 3 kandidatë plotësonin kriteret e plota, praktikisht nuk mund të zhvillohej short për Prokurorinë. Ky ngërç u përdor nga ambasadori amerikan, Donald Lu, për të akuzuar Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, se po cenonte frymën e Kushtetutës. I menjëhershëm ishte reagimi i kryeprokurorit, i cili deklaroi se institucioni i tij ka respektuar plotësisht kriteret e përcaktuara në ligj për kandidatët. Pavarësisht debatit të ashpër publik, anëtarët e KED-së u miratuan plotësisht, duke mos i dhënë një zgjidhje ligjore çështjes së kritereve.

 

Bllokimi i Reformës

Si rrjedhojë e problemeve të mësipërme, aktualisht e gjithë Reforma në Drejtësi dhe institucionet e reja për momentin janë bllokuar tërësisht. Këshilli i Lartë Gjyqësor, për shkak të vonesave në procesin e Vettingut, ende nuk është krijuar. Ky organizëm ka në kompetencë të tij vendimmarrjen për karrierën e gjyqtarëve, inspektimet mbi vendimmarrjen gjyqësore, si edhe masat disiplinore për gjyqtarët. Këto kompetenca, aktualisht nuk ushtrohen nga asnjë strukturë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i cili është ende në detyrë deri në krijimin e KLGJ-së, nuk i ka këto kompetenca. Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), gjithashtu është i bllokuar për shkak të vonesave të Vettingut, por edhe se pse nuk ka kandidatë nga Shoqëria Civile. Bllokimi i KLP-së ka pasoja të rënda në proceset e tjera. Kështu, në mungesë të KLP-së, nuk mund të zgjidhet Prokurori i Përgjithshëm. Aktualisht jemi në kushtet që kryeprokurorit në detyrë, Adriatik Llalla, i ka përfunduar afati 5-vjeçar me të cilin ka marrë detyrën. Por, përfundimin ose jo të mandatit të tij duhet ta shpallë KLP-ja, e cila sot nuk ekziston. Po ashtu, KLP-ja është përgjegjëse për krijimin e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, SPAK. Ky institucion është më i rëndësishmi i Reformës në Drejtësi, pasi do të hetojë korrupsionin në nivele të larta. Rrjedhimisht, në mungesë të SPAK, nuk mund të krijohet as Byroja Kombëtare e Hetimit. Për këtë çështje, të gjithë flasin, por askush nuk ka ndërmarrë veprime konkrete për krijimin e prokurorisë më të rëndësishme. Edhe ambasadori amerikan tha se në janar “peshqit e mëdhenj” do të bien në rrjetat e drejtësisë, por kjo duket e vështirë me një prokuror me mandat të përfunduar apo të përkohshëm dhe pa krijimin e SPAK. Gjithashtu, në mungesë të KLP-së, është bllokuar procesi i karrierës, inspektimit dhe masave disiplinore ndaj prokurorëve. Prokurori i Përgjithshëm nuk i ka më këto kompetenca. Në bazë të një spiraleje ligjore, edhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) mund të mos konstituohet, pasi është krijuar një vakum ligjor i vërejtur edhe nga Presidenti i Republikës, i cili njëlloj si paraardhësi i tij Bujar Nishani hoqi dorë nga hedhja e shortit. Në një letër që Presidenti i dërgon Kuvendit, ndër të tjera konstatohet se për shkak të moskrijimit të KLGJ-së dhe KLP-së është krijuar një ngërç faktik institucional, por edhe një vakum ligjor. Presidenca argumenton në vijim se “vakumi ligjor është krijuar, pasi nuk ka asnjë dispozitë kushtetuese apo parashikim ligjor që krijon mekanizmin e përshtatshëm që zgjidh këtë situatë të krijuar”. “Në këto kushte, Presidenti i Republikës nuk do të mund të ushtrojë kompetencat e tij kushtetuese (për hedhjen e shortit për KED), pasi nuk ekziston një situatë e qartë ligjore. Interpretimi (për këtë situatë) i takon Kuvendit të Shqipërisë, si organi që ka mundësinë e interpretimit autentik, duke qenë edhe ai autor i miratimit të dispozitave ligjore”, thuhet në letrën e Presidentit. Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur që më 7 dhjetor të hedhë shortin për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj, me mandat 1-vjeçar, të KED-së, por, ky short mund të rezultojë nul, pasi administrata e Kuvendit nuk ka bazë ligjore ku të mbështesë këtë veprimtari. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka për kompetencë zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, e cila aktualisht është po funksionin me dy gjyqtarë mungesë. Gjithashtu, KED është përgjegjës për zgjedhjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, i cili është përgjegjës për nisjen e inspektimeve ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Duke shtuar këtu edhe faktin që në organikën e Gjykatës së Lartë aktualisht mungojnë 7 gjyqtarë, atëherë duket qartë se situata në sistemin e drejtësisë është në kolaps të plotë. Reforma në Drejtësi synonte përmirësimin e dhënies së drejtësisë në vendin tonë. Por, me aq sa rezulton deri më tani, rezultati i vetëm është kolapsi institucional.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Mustafa Nano: Myslimanët shqiptarë duhet t’i kthehen Islamit tonë të traditës

Publicisti dhe gazetari Mustafa Nano ishte i ftuar në Forumet UET, në...
Read More