E diel arrestimesh: Pranga ish-deputetëve Ndoka dhe Çuko, operacion i gjerë antikrim

Arrestohet nga efektivët e RENEA-s ish-deputeti i Partisë Socialiste Arben Ndoka bashkë me vëllanë e tij për akuzën e tjetërsimit të pronave në qarkun e Lezhës, dhe ish-deputeti socialist Arben Çuko, për akuzën e korrupsionit pasiv. Rama reagon nga Twitter…. Dita e prangave vijoi me arrestime e urdhër-arreste për krerët e krimit e të drogës në gjithë vendin. Në qeli kreu i familjes Avdyli në Shijak, operacion për kapjen e Kelment Balilit e Lulzim Berishës.

Arrestohen në Tiranë dy ish-deputetët e Partisë Socialiste Arben Ndoka dhe Arben Çuko. Ndalimi i tyre është kryer pasditen e djeshme, por për çështje të ndryshme. I pari që ra në pranga ishte ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Arben Çoko, pas urdhër-arrestit të miratuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Ish-deputeti i Partisë Socialiste pas prangosjes u dërgua në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ai dyshohet nga institucioni i akuzës se është përfshirë në korrupsion pasiv në transferimin e një të dënuari, gjatë kohës që ushtronte detyrën e kreut të burgjeve. Ende pa u shuar jehona e këtij lajmi, prangat u shtrënguan në duart e Arben Ndokës, ish-deputet i partisë Socialiste, por që dha dorëheqjen në vitin 2015, pasi iu zbulua dënimi që kishte marrë në Itali për trafik prostitucioni. Mësohet se arrestimi i Ndokës ka ardhur për shkak se dyshohet për tjetërsim pronash. Sipas burimeve zyrtare ai ka qenë pjesë në tjetërsimin e pronave në zonën e Shëngjinit, në vendin e quajtur “Rana e Hjedhun”, proces i cili ndaloi më parë edhe kryebashkiakun e Lezhës, përfaqësuesit e PD-së Fran Frrokaj. Vetëm tre ditë më parë në pranga përfunduan edhe tre ish-drejtues të Hipotekës së Kurbinit, por duket se hetimet e thelluara sollën edhe arrestimin e Ndokës. Bashkë me ish-deputetin socialist është shoqëruar edhe vëllai Xhevahir Ndoka. Në pamjet filmike të servirura në momentin e shoqërimit, Ndoka del i prangosur nga një automjet dhe përreth tij janë një grup nga forcat elitë të Policisë së Shtetit. Është vetëm një “rastësi” lëshimi i urdhër-arresteve në një ditë, pasi mësohet se çështja Ndoka nuk ka lidhje me hetimet e zhvilluara ndaj ish-kreut të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve Arben Çuko.

Ndoka, pranga për pronat

Nga burime të policisë bëhet me dije se ndalimi i Arben Ndokës dhe vëllait të tij ka ardhur si pjesë e operacionit “Forca e Ligjit”, e trumbetuar një vit më parë nga ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj. “Policia e Shtetit ka ekzekutuar urdhrin e arrestit për shtetasin Arben Ndoka, 46 vjeç, nga Lezha, për të cilin Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën ‘arrest në burg’. Ai dyshohet për veprat penale ‘falsifikimi i dokumenteve, falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve, si dhe shpërdorimi i tokës’, në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash”-thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit. Policia konfirmoi se hetimi disamujor ka mbledhur prova dhe se ky grup kriminal dyshohet si i implikuar në abuzimet me troje shtetërore në zonën e Lezhës dhe Kurbinit, përmes falsifikimit të dokumenteve e vulave. “Në mars 2018, Policia e Lezhës hetoi një grup kriminal që dyshohej se ishte lidhur me abuzimet toka e troje në zonën e Shëngjinit dhe ndaloi 12 persona, mes tyre edhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, ndërsa 11 u shpallën në kërkim. Ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, Lezhë”-shprehen burimet zyrtare të strukturave të policisë.

Posti “i mallkuar”

Po rezulton një vend i “mallkuar” posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, që brenda një kohe të shkurtër ka ngrënë kokat e tre drejtuesve, për akuzën korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë shtetëror. Ditën e djeshme në pranga ka përfunduar Arben Çoko, ndërsa paraardhësi i tij Artur Zoto u arrestua po për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë publik, bashkë me nëndrejtorin Elton Labi. Hetimet për Arben Çokon mësohet se kanë nisur disa muaj më parë, pas të dhënave të siguruara në rrugë operative. Çuko ka dalë në disa përgjime që po kryente Prokuroria e Krimeve të Rënda për një grup kriminal. Ka dyshime se ish-drejtori Çuko është përfshirë në një aferë në tentativë për të transferuar një të dënuar me 22 vjet burg në një tjetër vend të vuajtjes së dënimit kundrejt ryshfetit. Gjithashtu, po hetohet edhe nëse ka favorizuar të dënuar të ndryshëm për “leje shpërblyese” kundrejt shumave të parave. Çështja është ende në zhvillim e sipër dhe pritet që disa nga detajet e dosjes të bëhen publike gjatë rivlerësimit të masës së sigurisë ndaj Çukos. Menjëherë pas lajmit mbi arrestimin e Çukos ka reaguar edhe kreu i qeverisë Edi Rama, i cili ka “shfrytëzuar” rastin për të bërë politikë… “Keqardhje për A.Çukon po për ne s’ka dy qëndrime në raport me ligjin, ka vetëm një; s’ka dy qasje në raport me drejtësinë, ka vetëm një; s’ka dy fytyra në raport me qytetarët, ka vetëm një! Ne s’jemi e kurrë s’do jemi njësoj si të tjerët. Ne gjithnjë kemi vetëm një krah: DREJTESINE”, komentoi Rama në një postim në Twitter.

Superoperacioni, gjuetia për kokat e krimit

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato RENEA, mbështetur dhe nga blutë e Durrësit, kanë ushtruar një krehje të zonës së Shijakut, për të ndaluar persona me precedentë të mëparshëm penal, në fushën e narkotikëve dhe veprave të tjera të kundërligjshme. Rreth 60 persona janë ndaluar, disa prej të cilëve, emra të njohur për policinë dhe botën e krimit. Të njëjtat burime thanë se në këtë superoperacion kanë marrë pjesë 1000 efektivë të policisë. Ndër të arrestuarit ishin: Shkëlqim Avdyli, Flamur Avdyli, Astrit Avdyli, Jasin Avdyli, Shaqir Gjepali, Fatos Llaftiu. Flamur Avdyli, një prej të arrestuarve, është një emër i njohur, pasi është pronar i disa bizneseve në Shijak dhe Durrës. Ndërkohë pjesë e operacionit policor antidrogë ishte edhe Durrësi. Pas Flamur Avdylit, pjesë e urdhër-arresteve ka qenë edhe Lul Berisha, por ky i fundit nuk është arritur të kapet nga policia duke ngritur dyshime se operacioni mund të jetë dekonspiruar. Berisha akuzohet për trafik të lëndëve narkotike dhe të armëve, informacionet për të u mësua se kanë ardhur nga Gjermania. FNSH rrethoi edhe Sarandën për arrestimin e Klemend Balilit, por deri në mesnatë nuk pati ndonjë rezultat nga arrestimi i të pagëzuarit si ‘Eskobari i Ballkanit’ dhe i kërkuar në gjysmën e vendeve të Europës.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Duam të shohim pamjet e vrasjes së gazetarit!”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë regjistrimin e vrasjes së gazetarit saudit,...
Read More