E djathta ka në qendër të saj jetët dhe bizneset e njerëzve dhe jo shtetin apo qeverinë

“Si të jesh i djathtë”

Nga Fitim Zekthi*

Debati mbi taksat, mbi nivelin e atyre, mbi mënyrën se si ato përdoren apo mbi arsyet pse mblidhen kanë qenë të pranishëm thuajse gjatë gjithë historisë. Në kohën e shtetit modern ky debat është bërë vazhdimisht e më i thekshëm. Është e kuptueshme sepse në fund të fundit bëhet fjalë për marrjen e parave nga njerëzit apo bizneset. E majta dhe e djathta për shkak të këndit të ndryshëm nga i cili shohin apo kuptojnë natyrën njerëzore, shoqërinë dhe shtetin mbrojnë qëndrime të ndryshme të cilat nisin nga taksat e ulëta fare deri tek ato më të lartat. Oliver Weendell Holmes, një teoricien i njohur amerikan thoshte se taksat janë çmimi që ne paguajmë për të patur shoqëri civile (me shoqëri civile ai kuptonte një shoqëri ku njerëzit jetojnë në paqe në një shtet të sundimit të ligjit). Mirëpo ndërtimi i kësaj shoqërie apo roli i shtetit në ndërtimin e saj kuptohet ndryshe nga e majta dhe djathta. E djathta mendon se shteti ka për detyrë vetëm të garantojë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. E djathta, në thelbin e saj, pasi ajo është në vetvete shumë plural, mendon se njerëzit në qoftë se janë të lirë dhe me të drejta të garantuara kanë aftësinë të ndërtojnë një shoqëri ku jetojnë në paqe dhe në mirëqenie, kanë aftësinë të ndërtojnë shkolla, rrugë, ekonomi etj., dhe nuk kanë nevojë që këto t’ua bëjë shteti. Për të djathtën shteti është një mekanizëm burokratik që duke mos i patur të tijat paratë do t’i shpenzojë më keq se sa do t’i shpenzonin vetë individët, të cilët i kanë ato të tyret. Mitch Daniels, ish-drejtor i politikave ekonomike i presidentit amerikan dhe një zë i fortë i mendimit ekonomik të së djathtës shprehet se “ne e besojmë të gabuar të marrim qoftë edhe një dollar nga qytetari i lirë pa një domosdoshmëri të qartë publike sepse marrja e një dollari në këtë mënyrë dobëson lirinë e zotëruesit të tij për ta përdorur siç ai dëshiron. Kur ne e gjejmë të domosdoshme, ne ndiejmë një detyrim të thellë që ta përdorim këtë dollar me aq kujdes dhe efikasitet sa përndryshe ne nuk do ta merrnim kurrë atë”. Kjo fjali mishëron në mënyrë të përsosur idenë e djathtë mbi taksat. Pra domosdoshmëria publike, kujdesi dhe efikasiteti në përdorimin e parasë së qytetarit duhet të jenë në shkallë aq të lartë sa t’i afrohen asaj që do të kishte vetë qytetari në përdorimin e saj dhe ai të përfitonte nga përdorimi i saj po njëlloj sikur ta shpenzonte vetë. Për idenë e djathtë qeveria ose shteti punon që jetët private të përfitojnë dhe nuk punon që vetë qeveria apo shteti të përfitojnë. Misioni i qeverisë është rritja apo forcimi i biznesit të njerëzve, i klubeve apo njësive të shërbimi, klubeve të sportit, i organizatave që ata ngrenë për organizimet e tyre komunitare, i kishës apo xhamisë etj. Ideja e majtë duke dashur që të ndërtojë një shtet të madh dhe të fortë që iu shërben njerëzve, që iu ofron atyre shkolla, shtëpi, spitale, rrugë dhe ura, ujë dhe punë ka përfunduar duke u kthyer në një shtet që paratë i mbesin burokracisë dhe mbajtjes në këmbë të vetë shtetit i cili gjithnjë e më pak arrin t’iu shërbejë njerëzve. Ky shtet ka nevojë që vazhdimisht të marrë para nga njerëzit më shumë që të mbajë veten. Ai nuk është një shtet që punon për jetët private por një shtet që punon për veten. E majta kërkon që taksat të jenë të larta progresive. Në manifestin e partisë komuniste Karl Marksi flet për “taksim të rëndë progresiv” dhe ky është momenti i parë kur në një dokument politik flitet për taksim të rëndë progresiv. Taksimi progresiv takson shumë më tepër ata që fitojnë më shumë pasi shkalla e taksimit rritet progresivisht me sasinë e fitimeve. Ideja e djathtë mendon se taksimi duhet të jetë i sheshtë dhe sipas këtij taksimi ata që fitojnë më shumë paguajnë më shumë për shkak të sasisë më të madhe të parave që është objekt i taksës. Me anë të taksimit të ulët e djathta synon të lejojë aftësinë e individit për të marrë përsipër veprime me risk të cilat duke u përdorur me talent prodhojnë fitim dhe duke prodhuar fitim prodhojnë mirëqenie për atë dhe shoqërinë. E majta me anë të taksimit të lartë synon ta pengojë aftësinë e individit për të marrë përsipër veprimin me risk duke përdorur talentin e tij. Në këtë mënyrë e majta synon krijimin e një shoqërie ku njerëzit apo individët të fillojnë të kenë varësi nga shteti apo qeveria. Kur individëve iu pengohet apo dobësohet aftësia për të marrë përsipër veprime me risk dhe për të fituar shumë atëherë ata do të presin gjithnjë e më shumë nga qeveria që kthehet në shpërndarëse shërbimesh dhe të mirash. Kulmi i kësaj qeverie do të ishte një qeveri që kthehet në pronare të vetme biznesesh dhe shërbimesh dhe ku e drejta e individit për pronë dhe fitim zhbëhet krejt në emër të krijimit të një shoqërie ideale njerëzish të barabartë. Kjo shoqëri në fakt kur është tentuar ka qenë një tmerr dhe ka prodhuar mjerim të thellë. Sot Shqipëria vuan rëndë nga ideja se shteti duhet të bëjë gjithçka, të ofrojë gjithçka, se ai duhet të mbledhë shumë të ardhura, se të pasurit duhet të paguajnë shumë. Ka një ngazëllim kur përmendet fakti që u rrit mbledhja e të ardhurave, ka një ndjesi vazhdimisht të keqe ndaj të pasurve apo atyre që fitojnë dhe ka gjithnjë dëshirë që ata të taksohen shumë. Në vitet 2005 qeveria shqiptare futi për herë taksën e sheshtë mbi fitimin, uli taksa të tjera dhe ky lehtësim u ndje në ekonomi. Ardhja në pushtet e socialistëve në vitin 2013 riktheu taksën progresive (marksiste) në emër të taksimit “ të ndershëm” dhe ekonomia e cila ishte në ngërç të madh për shkak të një klime ekonomike dhe financiare të rëndë ndërkombëtare u plandos edhe më keq. Sot kur ideja e djathtë është më e nevojshme se kurrë, vendi udhëhiqet nga një mendësi që në qendër të saj ka rritjen e të ardhurave dhe jo rritjen e biznesit apo të ekonomisë. Opozita ka nevojë t’i shohë taksat dhe propozimet e tjera në një dritë të gjerë të djathtë në mënyrë që ato të jenë pjesë organike e një propozimi të madh të djathtë, ku ekonomia është vetëm një pjesë. Pra, edhe lufta kundër taksave të larta duhet të bëhet duke patur parasysh jo thjesht kundërshtimin përse, por qasjen që vjen nga e djathta.

*pedagog UET

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Poeteka”: Dy novela botërore në shqip

Botimet Poeteka sjellin në shqip dy botime, Novela botërore 1 dhe 2,  përkthyer nga...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.