E drejta kushtetuese e Gramoz Ruçit për të qenë Kryetar i Kuvendit


Nga Ervis Iljazaj

Ka ngjallur debat të madh dhe reagimin opozitar emërimi i Gramoz Ruçit në krye të Parlamentit shqiptar. Kryetari i Kuvendit është posti më i rëndësishëm në hierarkinë e institucioneve kushtetuese mbas atij të Presidentit të Republikës. Në këtë kuptim, personi që mban atë post ka përgjegjësi jo vetëm të një kahu politik, por edhe përgjegjësi shtetërore.

Duke qenë se Gramoz Ruçi ka qenë funksionar i regjimit komunist, në kohët kur ky regjim ishte duke u rrëzuar, e gjithë kritika opozitare ndaj qeverisë Rama 2 është e fokusuar tek antikomunizmi. Partia Demokratike vazhdon ende të bazojë luftën e saj opozitare te filozofia antikomuniste, gjë e cila nuk i shkon as përshtat, pasi është një betejë tashmë e konsumuar që kur u themelua kjo parti, dhe as nuk është efikase në terma të përfitimit elektoral. Është pa kuptim që aksioni opozitar sot , mbas 27 vitesh, të ndërtohet ende mbi këtë argument.

Jo vetëm kaq, por Partia Demokratike ka vënë në shënjestër të saj dhe disa ministra që, të vetmin faj që kanë, është fakti se janë fëmijë të prindërve që kanë mbajtur funksione në regjimin komunist. Të akuzosh fëmijët për aksionet e prindërve dhe, për këtë arsye ata nuk mund të mbajnë asnjë post publik vetëm se prindërit e tyre kanë qenë pjesë e regjimit totalitar, është tipike komuniste. Vetëm komunizmi gjykonte për individët duke u bazuar te rrënjët familjare dhe i përndiqte ata me fis e me farë. Ndërsa debate për fëmijët është një debat absurd, debati mbi emërimin e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit mund të qëndrojë, duke qenë se ai personalisht ka patur një post të rëndësishëm gjatë regjimit komunist, edhe pse për hir të vërtetës, vetëm në kohën kur ndërrimi i regjimeve ishte duke ndodhur.

Ky është një debat, për personat që kanë qenë pjesë aktive gjatë regjimeve totalitare, që është zhvilluar në të gjitha vendet ku ka patur të tilla.

A duhet që personat të tilla të kenë mundësi të marrin poste publike në regjimet demokratike duke qenë se kanë qenë pjesë e regjimeve kriminale, ndoshta edhe kanë kryer të tilla?

Ka dy mendime kryesore për këtë debat. E para bazohet te filozofia pozitiviste, e cila i justifikon ata, sepse thjesht kanë zbatuar ligjin e shtetit, qoftë atë komunist. Filozofia pozitiviste e së drejtës na shpjegon se e drejtë është vetëm ajo që përcaktohet nga normat juridike të një shteti. Në këtë kuptim personat që kanë qenë pjesë e regjimeve totalitare, thjesht kanë zbatuar ligjin e asaj kohe dhe nuk kanë kryes asnjë krim.

Ndërsa e dyta bazohet te natyralizmi. Filozofia natyraliste e të drejtës, ka në themel të saj të drejtën natyrore. Shkurtimisht, sipas kësaj rryme filozofike, njeriu që me lindjen e tij ka disa të drejta, si: ajo e jetës, e pronës, e fjalës së lirë etj., të cilat nuk mund t’i shkelë asnjë normë, ligj apo regjim politik, çfarëqoftë ai. Kështu që, për këtë rrymë personat që kanë qenë pjesë e regjimeve totalitare nuk mund të justifikohen me faktin se kanë zbatuar ligjet e shtetit.

Gjithsecili mund të ketë mendimin e tij mbi këtë argument. Megjithatë për të shuar njëherë e përgjithmonë këtë debat që vazhdon ende të përndjekë politikën shqiptare dhe shoqërinë, e vetmja mënyrë është aprovimi i ligjit të lustracionit, ose ai që quhet ndryshe ligji që bën pastërtinë e figurave politike në lidhje me regjimin komunist. Shqipëria dhe Moldavia janë të vetmet vende nga vendet ish-komuniste që nuk e kanë një ligj të tillë.

Andaj, edhe për rastin konkret mbi rastin e Gramoz Ruçit debatet janë false, thjesht për konsum politik të ditës. Gramoz Ruçin nuk asnjë normë ligjore apo kushtetuese që e ndal ta ketë një post të tillë. Mund të ketë një normë morale, por të vetmin moral që njeh politika është ai i ligjit.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Të largohet qeveria/ Ja si i përgjigjet Rama PD dhe LSI…edhe Tahirit

Kryeministri Edi Rama ka ironizuar sot tryezën e opozitës e cila tha...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.