E drejta natyrore dhe shteti i së drejtës

Mbi të drejtën natyrore dhe shtetin e së drejtës, fragment nga libri, “L’Italia nella parabola di Berlusconi”, autor Alberto Frashër (përkthyer nga autori), Europa Edizioni, Prill 2018, Romë

Nga Alberto Frashër

Evolucioni i demokracive perëndimore ka patur shumë interpretime të bazave teorike, duke filluar nga idetë e Thomas Hobbes e John Locke, dy filozofë shumë të ndryshëm njëri nga tjetri. E mendoj të nevojshme të rishohim shkurtimisht idetë e tyre për të kuptuar më qartë kontributin që solli Locke dhe modernitetin e mendimit të tij për demokracitë perëndimore.

Për këto dy figura ashtë eksperienca e revolucionit anglez ai që shënon diferencat mes ideve të tyre. I pari ishte i bindur në përjetësinë e sovranëve absolutë dhe për supremacinë e plotë të Shtetit mbi individin. Hobbes e quante absolutisht të nevojshme qartësinë e politikës, prandaj synonte të ndërtonte një model racional për ta shndërruar politikën në një shkencë me baza koherente si dhe gjeometria, gjë natyrisht e pamundur për karakteret e ndryshme të dy disiplinave. Locke, përkundrazi, ishte formuar nën ndikimin e lëvizjeve kulturore dhe politike të revolucionit anglez. Ai u rrit bashke me iluminizmin dhe me revolucionin, duke u shndërruar në një nga baballarët themelues të liberalizmit, pra të shtetit modern.

Duke rivizituar mendimin e filozofit John Locke do të mund të krijojmë një ide mbi rëndësinë që ka raporti ndërmjet të drejtës natyrore dhe ligjit pozitiv për shtetin e së drejtës në demokracitë liberale. (Quhen pozitive ligjet e aprovuara nga parlamenti). Mbi këtë çështje delikate luhen liritë e qytetarit, pra thelbi i demokracisë. John Locke koncepton një shoqëri për të cilën dëshira për të përparuar shprehet në idealet e tij. Ai është ndër të parët filozofë iluministë që vendos në qendër të vëmendjes të drejtat natyrore të jetës, të lirisë dhe të pronës për çdo qenie njerëzore. Të njohësh lirinë e statusit natyror të Njeriut edhe në konceptimin e shtetit modern, përbën esencën e demokracisë dhe të çdo lloj progresi. Një shoqëri me një nivel të ulët të lirive individuale ashtë e detyruar të jetojë një ekzistencë të tjetërsuar negativisht. Ajo shoqëri do të ishte si një Kullë e Babilonisë pa themele dhe shembja e saj e pamënjanueshme. E kemi përjetuar këtë skenar biblik në dështimin e turpshëm të totalitarizmave të Europës Lindore. Të brejtur deri në eshtra nga mungesa e lirive u shembën sa hap e mbyll sytë. Një shoqëri e lirë, përkundrazi, në zotërim të të drejtave të saj, krijon kushtet e nevojshme që qytetari të mund të japë maksimumin e potencialeve të tij. Dallimi kryesor midis Hobbes dhe Locke, mendoj që varet nga periudhat historike të ndryshme që ata kanë përjetuar. Hobbes i përket shekullit XVI ndërsa Locke është formuar gjatë agimit të Iluminizmit, pra në gjysmën e dytë të shekullit XVII. Ishte pikërisht iluminizmi europian që bëri të nevojshëm një konceptim të ri e më të detajuar të lirive të Njeriut dhe të shtetit modern. Njeriu, në mendimin e Locke-ut, lind i lirë sikundër Zoti e ka konceptuar apo, për laikun, si një krijesë e Natyrës në vazhdën e evolucionit të saj. Njeriu zgjedh shoqërinë si habitat të ekzistencës për të siguruar të drejtat e statusit natyror të tij. Është shoqëria, më pas, ajo që duhet të kujdesi liritë e Njeriut me anën e ligjeve që përbëjnë themelin e shtetit të së drejtës. Në mendimin e filozofit John Locke sovrani nuk mund të jetë autor dhe, aq më pak, pronar i ligjeve dhe i të drejtës, sikundër konsideron Hobbes; përkundrazi, sovrani duhet të respektojë ligjin dhe shtetin e të drejtës si çdo anëtar i shoqërisë. E drejta natyrore shpeshherë është konsideruar hyjnore sepse mendohet si një atribut i çdo krijese të Perëndisë, përfshirë universin dhe ekzistencën tonë. E drejta natyrore mbështetet nga arsyeja e ekzistencës sonë. Arsyeja, nga ana e saj, pasurohet me njohjen dhe përcakton moralin, si parim themelor të sjelljeve dhe zgjedhjeve tona. Është pikërisht respektimi i të drejtës natyrore thelbi dhe detyra e moralit laik. Morali, si një koncept që ka të bëjë me zgjedhjet dhe sjelljet tona, nuk mund të ketë një përmbajtje dhe përmasë thjesht individuale. Ideja e të jetuarit në grup ka si qëllim të përmirësojë ekzistencën tonë. Kjo, nga ana e saj, na kërkon të respektojmë ato vlera dhe parime që janë në themel të zgjedhjeve tona. Atëherë si duhet ta kuptojmë moralin? Morali ashtë një tërësi vlerash dhe parimesh që orientojnë individin dhe shoqërinë në sjelljet personale apo kolektive. Morali laik pretendon lirinë individuale të sjelljeve pa kushtëzime të natyrës ideologjike apo fetare. Natyrisht në këtë çështje është vendimtar formimi kulturor i qytetarit që, në një masë të konsiderueshme, varet nga sistemi i edukimit dhe nga familja. Sipas Shën Palit, “Është mëkat të bësh diçka kundër ndërgjegjes vetjake”. Ky parim themelor e gjen arsyen e vet në lirinë e Njeriut, prandaj liria dhe inteligjenca individuale janë themeli i pavarësisë së Njeriut. E drejta natyrore është tërësia e normave që lindin nga njohja, nga nevojat natyrore të Njeriut, pra nga arsyeja. Le të shohim një shembull nga kohët moderne. Sot kemi njohuri mbi rreziqet që sjell degradimi i ambientit. Kjo dije e këshillon arsyen tonë që të kujdesemi për mbrojtjen e ambientit si një e drejtë natyrore e Njeriut. Pas kësaj, morali na orienton të respektojmë këtë bindje dhe ligjin ta ndërtojmë në harmoni me të drejtën natyrore. Shpeshherë jemi të ndërgjegjshëm që po bëjmë një të Keqe, por megjithatë e bëjmë për hir të disa interesave. Morali është ura ndërmjet arsyes dhe vendimeve tona, midis të drejtës natyrore dhe ligjit. Madje përkrahësit e liberalizmit, për të cilët John Locke ashtë një nga etërit themelues, kanë sugjeruar për konceptin e të drejtës natyrore termin “ligj moral natyral”.

Sa thamë na jep të drejtë të pranojmë një konkluzion të qartë si drita e Diellit: një ligj i miratuar nga parlamenti, por i papajtueshëm më të drejtën natyrore, në të njëjtën kohë shkon kundër arsyes dhe moralit, pra atë duhet ta quajmë ligj imoral. Nocioni i ligjit imoral, që porsa futëm, mund të krijojë reaksione emotive. Nuk është e lehtë që klasa politike të pranojë imoralitetin e ligjeve të konceptuara prej saj. Por ata nuk kanë asnjë argument për ta kundërshtuar atë nocion. Ne bashkëjetojmë me të Keqen edhe kur jemi plotësisht të vetëdijshëm për atë. Shumë prej nesh e njohin dëmin që sjell duhani e, megjithatë, nuk heqin dorë prej tij. E njëjta gjë ndodh kur identifikojmë virtualen me realen. Kjo gjendje më sjell ndër mend përrallën e danezit Andersen mbi rrobat e Mbretit: oborrtarët dhe plebenjtë duartrokisnin figurën e Mbretit, të ekzaltuar nga bukuria e veshjeve të tij edhe pse e dinin që nuk kishte asgjë të vërtetë në atë farsë irreale. Para tyre ishte vetëm trupi i mplakur e i dobësuar dhe aureola virtuale e një Mbreti të admiruar nga turma, por lakuriq si një i porsalindur. Kështu ka ndodhur me popujt e kontinentit të vjetër në shekullin e fundit. Nëpër sheshet e qyteteve europiane duartrokisnin ideologjitë e djathta dhe ato të majta, ato që sollën vdekje dhe mjerim në përpjesëtime dramatike. Nga brigjet e Atlantikut deri në ngricat e përjetshme të Siberisë.

Çdo ngjarje dramatike që ka tronditur shoqëri të tëra, është shkaktuar nga prishja e ekuilibrit midis dy sistemeve të së drejtës, d.m.th. nga komprometimi i raportit midis natyrës njerëzore të shoqërisë dhe shtetit të së drejtës. Kjo ka ndodhur me revolucionin anglez në gjysmën e dytë të shek. XVII, me Francën dhe Shtetet e Bashkuara aty kah fundi i shek. XVIII, me Gjermaninë dhe Rusinë në gjysmën e parë të shek. XX. Mbas luftës së parë botërore, njerëzimi u trondit thellë nga ngjarjet revolucionare në Rusi. Ishte edhe eksperienca e Weimar-it në Gjermani, por fatmirësisht dështoi porsa lindi. Sidoqoftë rrezikohej një katastrofë universale. Pas një lufte të gjatë e shkatërrimtare, frynte era e pasioneve për shoqëri të reja iluzive, që mendoheshin si të drejta e pa varfëri. Njerëzit deshën t’i besonin të ardhmen e tyre regjimeve totalitare që nuk i njihnin aspak. Ishte një mrekulli që i shpëtoi kombet perëndimore. Ishte mrekullia e disa reformave të rëndësishme që i njihnin Njeriut disa të drejta natyrore themelore. Kam parasysh të drejtat për shëndetin, për arsimin, pensionin dhe banesën. Janë reforma që të majtat i konsiderojnë socialiste. Përkundrazi, mendoj që ashtë e gabuar t’u jepet një karakter ideologjik reformave të tilla, sepse ato kanë të bëjnë me të drejtat thjesht natyrore të Njeriut. Këto reforma së pari lindën në Angli dhe në SHBA e pastaj u përhapën në të gjitha vendet perëndimore: sistemi i pensioneve, i shëndetit publik, i arsimit, e të tjera. Këto të drejta hodhën bazat për një periudhë të gjatë emancipimi dhe mirëqenieje.

Nuk mund të heshtim faktin që dështimi i regjimeve totalitare të majta ishte pasojë e asgjësimit të të drejtave natyrore të qytetarit, ndër të cilat edhe e drejta e pronës. Çfarë ndodh kur politika tradhton të drejtat natyrore të qytetarit, fjala vjen kur ligji me anën e taksave i merr qytetarit më shumë se gjysmën e frutit të punës? Konflikti midis shtetit të së drejtës dhe të drejtave natyrore bën që qytetari të humbasë besimin te politika dhe, të sillet sipas të drejtave natyrore të tij. Një nga pasojat, do të ishte evazioni fiskal, mjaft që e bën qesharake retorikën e moralistëve dhe hipokrizinë e tyre. Në këto rrethana shoqëria jeton në kushtet e një dualizmi të kulluar. Njëra anë është shteti i të drejtës që i merr frymën qytetarit me arbitraritetin e ligjeve. Nga ana tjetër ashtë rendi që frymëzohet nga e drejta natyrore, fill udhërrëfyes në jetën e qytetarit. Në këtë mënyrë, në indiferencën e fajshme të klasës politike, vendi jeton një realitet të përçudnuar nga ky dualizëm absurd. Dua të kujtoj që Njeriu nuk ashtë një produkt i shoqërisë, por një krijesë e Natyrës. Pra, shteti i të drejtës nuk është i pranueshëm në qoftë se hyn në konflikt me natyrën e Njeriut, me të drejtat e lindura të tij. Duhet të jemi plotësisht të vetëdijshëm për këtë parim themelor e të pacenueshëm. Njeriu nuk mund e nuk duhet ta tradhtojë natyrën, as bindjet dhe as ndërgjegjen e tij. E drejta e rebelimit, e rezistencës është në thelbin e natyrës njerëzore. Ajo nuk është gjë tjetër veçse pasoja logjike e instinktit të mbijetesës. Të gjitha lëvizjet e mëdha politike nga shekulli XVII e më pas kanë konfirmuar këtë të vërtetë universale të historisë njerëzore.

Ekzistenca duale individuale dhe kolektive, për të cilën fola më lart, ka vetëm një fajtor: klasën politike. Viktimat e këtij dualizmi janë qytetari dhe imprenditori që, ndërmjet të tjerash, e shohin veten me një parim të meritës të tradhtuar. Edhe për këtë arsye dualizmi i ekzistencës sonë krijon konfuzione dhe dëme serioze.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Lironi djemtë tanë, arrestoni qeveritarët!”

Me kërkesë të Policisë së Kukësit, e cila parashikonte trazira nëse gjyqi...
Read More