E gjithë bota në një fotografi

Nga Annamaria Testa*

Fotografia e G7 e shpërndarë në Twitter nga Steffen Seibert, zëdhënës i qeverisë federale gjermane, bëri xhiron e botës dhe u komentua nga shumë media. Bëhet fjalë për një fotografi që thotë shumë gjëra, dhe sugjeron të tjera, si për situatën e fotografuar, ashtu edhe për dinamikat e informacionit, e ato të perceptimit.

Po rendis disa. Takimet politike, veçanërisht ato më të rëndësishme, zakonisht paraqiten në një version të ëmbël dhe të ritualizuar (shtrëngime dore, deklarata të përbashkëta). Ritualizimi është aq i konsoliduar, saqë është e vështirë për ne të imagjinojmë, se ato mund të ndodhin në mënyra më pak formale dhe më muskulore, sesa shfaqet në imazhet zyrtare. Megjithatë, në këtë foto janë pikërisht afërsia, gjestet dhe shprehjet e fytyrës, që e bëjnë foton të paharrueshme (të paharrueshme, pasi është muskulore).

Edhe pse nuk është gjë krejtësisht e re kjo: a ju kujtohet këpuca ruse e Hrushovit në OKB? Në foto, Theresa May është periferike. Prandaj, ne nuk e “shohim” atë. Le të shohim të vetmen grua: Angela Merkel. Ajo është e vetmja me një sjellje dinamike. Është e vetmja që ka një ngjyrë veshur. Është, përveç Macronit më larg, e vetmja që e shikon Trumpin në sy (të gjithë të tjerët shohin ose përtokë, ose Merkelin). Ajo është protagonistja e padiskutueshme. Megjithatë, nëse në vend të saj, në të njëjtin qëndrim, do të kishte qenë ndonjë nga udhëheqësit e tjerë, fotoja do të kishte qenë ndoshta më pak e fuqishme.

Këtu është Frau Europa përballë Mister Shtetet e Bashkuara. Fakti që është një burim në vetvete më shumë se zyrtar, kreu i zyrës së shtypit të qeverisë gjermane dhe zëdhënësi i Angela Merkel, Steffen Seibert, që e përhap këtë lloj imazhi na tregon se imperativi i formalitetit me çdo kusht, është më pak i vlefshëm. Sidomos në mediat sociale. Dhe, në mesin e mediave sociale, sidomos në Twitter, ku mesazhet konsumohen me një shikim, dhe më parë duhet ta kapin atë shikim. Seibert e filloi karrierën e tij si gazetar televiziv.

Është e natyrshme që ai të dijë si të kapë në ajër, efektin potencial të një imazhi dhe që ai të zgjedhë atë të duhurin, midis gjithë atyre që ka në dispozicion. Është një talent që do të bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm: e ardhmja e afërt e internetit qëndron tek imazhet. Në realitet, gjithçka është çështje këndvështrimi. Amerikani Fabian Reinbold boton, gjithmonë në Tuitter, katër foto të ndryshme të së njëjtës skenë, ose të paktën të shkrepura shumë afër në kohë, në perspektivën gjermane, franceze, italiane dhe amerikane. Këtu: së bashku me secilin imazh, na përcillet, në mënyrë implicite, një pikëpamje që, duke e vëzhguar atë fotografi, e bëjmë fatalisht dhe pa dijeninë tonë. Kjo është arsyeja pse ata që zgjedhin një fotografi, sugjerojnë pikëpamjen që dëshirojnë që ne të adoptojmë.

Edhe The National (një botim online i Emirateve të Bashkuara Arabe) boton të njëjtën skenë, por është një tjetër shkrepje, në një kohë tjetër, dhe domethënia që nxjerrim është krejtësisht e kundërta. Trump, i vetmi që është ulur (dhe jo në një pozicion duarkryq, por duke dëgjuar) nuk duket kureshtar, por objekt i vëmendjes dhe buzëqeshjes së të pranishmëve. Një kërkim i shkurtër me Google më tregon se kjo fotografi tjetër, e shpërndarë nga Reuters, dhe e botuar në një pozicion dytësor nga BBC, u zgjodh kryesisht nga mediat e Lindjes së Mesme dhe aziatike. Të shohësh se kush zgjedh të botojë çfarë (dhe nga cila pikëpamje) është gjithmonë një ushtrim i shkëlqyer.

Sërish: Do të ishte gjithsesi interesante të dinim nëse në fillim u shkrep fotoja e buzëqeshur dhe pastaj ajo muskulore, apo e anasjella. Një fotografi rrok momentin dhe ofron një histori të mundshme. Por mjaftojnë dy momente të shkrepur resht për të zhvilluar një fije narrative solide. Po si t’i vëmë në radhë? Nga ana tjetër, çdo fotografi na sjell vetëm një fraksion të një momenti, por e bën me një mprehtësi të tillë dhe një sasi të tillë detaji, saqë na fut brenda atij momenti të ngrirë, duke ngrirë edhe ne vetë në perceptimin tonë.

Merkeli që fikson Trumpin nga lart-poshtë, në një pozicion sikur të dojë t’i ulërasë, transformohet në sintezën dhe në simbolin e të gjithë aktivitetit. E gjithë kjo do të thotë edhe se një fotografi vlen më shumë se një mijë fjalë? Po dhe jo. Një fotografi e mirë na godet në çast. Stampohet në kujtesën tonë. Kuptohet menjëherë. Por për të arsyetuar mbi kuptimin që ajo ka, na duhen edhe një herë, fjalët. *(Eksperte komunikimi/ Në shqip nga bota.al)

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

A janë drejt një partie të re kundërshtarët extra-parlamentarë të Bashës?

Nga Ervis Iljazaj Ka diçka të pazakontë në debatin që është shtruar...
Read More