E megjithatë, beteja brenda PD është pozitive, dikush duhet të qëndrojë dhe dikush të ikë

Nga Ervis Iljazaj

Beteja brenda Partisë Demokratike ka marrë më shumë vëmendje për konfliktin e kundërshtarëve të Lulzim Bashës që nuk janë në garën zyrtare se sa atyre që po garojnë vërtet për drejtimin e asaj partie. Tonet e ndezura midis Bashës dhe kundërshtarëve të tij ekstraparlamentarë, por tashmë dhe ekstrapartiakë, kanë arritur kulmin me anë të takimeve të tyre me anëtarësinë dhe peticioneve që kërkojnë anulimin e zgjedhjeve brenda partisë për shkak të mungesës të dorëheqjes së Lulzim Bashës.

Ndërkohë që vëmendja duhet të ishte fokusuar midis dy kandidatëve në garë, Bashës dhe Selamit, i cili duhet thënë po zhvillon një garë politikisht korrekte, duke konstatuar problematikat e saj, por pa hequr dorë nga beteja, i gjithë opinioni publik është tërhequr nga kundërshtitë midis Kryetarëve aktualë dhe grupimit i cili bën një betejë pa marrë pjesë plotësisht në të.

Përtej debatit nëse gjesti i Bashës ishte i drejtë apo ajo, kjo betejë në aspektin politik nuk ka asgjë normale siç duhet të ishte një garë e shëndetshme brenda një partie politike.

Të dyja grupimet, pro Bashës dhe kundër tij duke parë kontekstin janë dy grupime përjashtuese. Kështu që është e vështirë të mendosh bashkëjetesën në të ardhmen të tyre brenda Partisë Demokratike. Jo vetëm që është e pamundur kështu si rrodhën ngjarjet, por do të ishte e dëmshme dhe për ecurinë e asaj partie. Andaj, nëse ka një gjë pozitive kjo betejë, është fakti se, një nga këto dy grupime do të largohet njëherë e mirë, duke krijuar kështu, kohezion brenda Partisë Demokratike.

Sepse gabimi më i madh që bëhet në të gjitha debatet që kanë pasuar nga kjo garë është ngatërrimi i koncepteve për sa i përket demokracisë së brendshme që është element i rëndësishëm për funksionimin dhe organizmin sa më efikas të tyre.

Janë fraksionet e ndryshme brenda një partie, të cilat bëjnë të konkurrojnë ide dhe jo persona.. Një linjë politike e cila ndërtohet mbi vlerat, ideologji apo programe të caktuara. Këto ndërtojnë fraksione të shëndetshme brenda një partie politike dhe garojnë midis njëra-tjetrës për të përcaktuar linjën politike dhe me anë të saj dhe kryetarit që përfaqëson atë linjë.

Kjo bën që demokracia e brendshme të jetë jo vetëm një vlerë brenda një partie të caktuar, por edhe një vlerë për të gjithë shoqërinë.

Jo më kot, të gjitha emrat e rëndësishëm që kërkojnë dorëheqjen e Bashës më shumë se sa një grupim politik janë individualitete që nuk përkojnë aspak me një rrymë reale brenda Partisë Demokratike. Individualitete të cilët kërkojnë me të drejtë një garë të vërtetë për zgjedhjen e Kryetarit, por që askush nuk merr guximin të kandidojë kundër Bashës. Dhe kjo, jo për faktin se i mungon ambicia politike, por sepse askush prej tyre nuk arrin të mbledhë rreth vetes ide, sensibilitete apo njerëz që mund të konkurrojnë kryetarin aktual. Të gjithë duan garë brenda partisë, por askush nuk e merr përsipër atë.

Edhe takimet e fundit të Patozit me anëtarësinë duke mos qenë në garë për kreun e PD-së duken më shume si takime për të kërkuar elektorat për një lëvizje të re politike se sa për çështjet e brendshme të Partisë Demokratike.

Andaj, e gjithë tymnaja që është ngritur mbi këtë debat nuk ka aspak një logjikë politike normale, por ka konflikte dhe rebelë individualë të cilët nuk kërkojnë garë, por “asgjësimin” politik të kundërshtarit. Kështu që në atë Parti nuk ka më vend për të dyja këto grupime. Dikush duhet të fitojë dhe dikush duhet të ikë. Dhe kjo është më se pozitive për një parti politike.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Matura Shtetërore: Studentët zgjedhin universitetet private

Nga të dhënat e fundit të Maturës Shtetërore shifrat tregojnë qartë që...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.