E megjithatë, marrëdhëniet me Greqinë janë në një fazë të re dhe pozitive

Nga Ervis Iljazaj

Takimi midis ministrit të Jashtëm grek dhe atij shqiptar në Kretë, siç ndodh shpesh në këto takime midis dy vendeve fqinje, ka ngjallur reagimin e politikës dhe opinionit publik. Me të drejtë, pasi në atë takim ka patur në tryezën e bisedimeve çështje, të cilat prej kohësh presin përgjigje për t’u zgjidhur nga politika e të dyja palëve.

Në mbarim të takimit, edhe kësaj herë nuk pati ndonjë hap konkret për zgjidhjen e çështjeve, si: kufiri detar, ligji i luftës, të drejtat e popullsisë çame në territorit grek, por të paktën, ato pas shumë vitesh bëjnë pjesë në axhendën e diplomacisë shqiptare.

Në këtë kuptim, marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë ndodhen padyshim në një fazë të re dhe pozitive për palën shqiptare.

Asnjëherë më parë, Shqipëria nuk është gjendur më së paku në një pozitë ku mund të shprehë hapur të gjitha pretendimet e saj kundrejt fqinjit grek. Gjithmonë këto marrëdhënie janë karakterizuar nga kompleksi i inferioritetit nga ana jonë, duke ndjerë presionin e një shteti më të fortë ekonomikisht dhe politikisht.

Sigurisht që opozita dhe një pjesë e opinionit publik e konsiderojnë takimin midis dy ministrave të jashtëm në Kretë si një nënshtrim tjetër të palës shqiptare, me akuza se nuk u ngrit zëri për interesat shqiptarë aq sa duhej.

Pa hyrë në detajet e çështjeve në fjalë, të cilat kërkojnë shumë kohë për të marrë një formë përfundimtare, pasi janë shumë delikate dhe kërkojnë një sforco dhe një përgjegjësi nga të dyja palët, e rëndësishme është fakti se ato tashmë janë kthyer në objekt bisedimesh të diplomacisë shqiptare.

Gjithashtu, të gjitha këto çështje janë duke u zhvilluar në një klimë normale dhe aspak të tensionuar. Se çfarë përfundimi do të kenë këto bisedime, mbetet për t’u parë.

Në këtë aspekt ka një kontradiktë tjetër të opozitës dhe atyre që nuk munguan të kritikonin takimin midis Ditmir Bushatit dhe ministrit grek. Kjo qeveri është akuzuar shpesh se po prish marrëdhëniet me Greqinë, për shkak të ndërhyrjeve dhe deklaratave të Edi Ramës në shumë çështje ndaj shtetit fqinj. Këto deklarata të Ramës, në raport me Greqinë dhe marrëdhëniet midis dy shteteve janë bërë gjithmonë objekt kritikash, ku Kryeministri është etiketuar si njeriu që po rrezikon marrëdhëniet me Greqinë në dëm të Shqipërisë. Në disa raste, kanë patur të drejtë, sepse deklaratat e Ramës kanë qenë të pavenda dhe jashtë kontekstit, por është normale që shumë herë politika luan me kartën e nacionalizimit për të fituar kredenciale popullore.

Por, fakti që në këto momente marrëdhëniet me Greqinë duken në një rrugë të mbarë, akuza të tilla nuk qëndrojnë, faktet tregojnë të kundërtën. Përkundrazi, të gjitha ndërhyrjet e qeverisë shqiptare, që në plan të parë janë dukur si një rrezik apo teprim në raportet me fqinjët, nuk kanë bërë gjë tjetër përveçse kanë kthyer dinjitetin e një vendi Sovran dhe me të drejtë të barabarta.

Prandaj, takimi i dy ministrave të jashtëm, duhet përgëzuar dhe mbështetur për të zgjidhur të gjitha kontradiktat midis Shqipërisë dhe Greqisë, në të mirë të vendit dhe integrimit të tij. Por, të gjitha këto interesa të Shqipërisë që janë të lidhura ngushtë me Greqinë, nuk duhet të sakrifikojnë të drejtat dhe sovranitetin e saj.

Le të shpresojmë, që do të gjendet një gjuhë e përbashkët në interes të të dyja palëve, për çështje që janë kaq delikate dhe të trashëguara nga një marrëdhënie aspak e barabartë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Uji e koncesionet: Veliaj bën bashkë PS-LSI, konfirmohet bashkëpunimi në pushtetin lokal

Debatet për rritjen e çmimit të ujit dhe loja që u bë...
Read More