E megjithatë, Reforma në Drejtësi ka e vetme meritën për negociatat me BE-në

Nga Ervis Iljazaj

Për Reformën në Drejtësi, e cila është një nga reformat më të rëndësishme që ka bërë vendi përgjatë gjithë tranzicionit, ka shumë debate. Që nga mënyra se si u aprovua, te skepticizmi që ekziston rreth saj, apo mënyra se si do të ndikojë ajo në politikën shqiptare.

Pro, askush nuk mund ta mohojë, që nëse ka një arsye se përse Komisioni Europian do të japë rekomandimin pozitiv për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, kjo është vetëm për shkak të Reformës në Drejtësi.

Vetë Komisioneri Kukan u shpreh sot se Reforma në Drejtësi, është një nga Reformat më të rëndësishme dhe më të mirat në Rajon, në disa raste edhe krahasuar me vende anëtare të Bashkimit Europian.

Pra, me gjithë kritikat që ekzistojnë rreth kësaj reforme, apo tentative për ta ndalur nga klasa politike, me ndihmën e ndërkombëtarëve, që tani ka filluar të japë efektet, edhe pse nuk ka mbaruar ende. Sepse, është mirë të kuptojmë që, Reforma në Drejtësi vetëm sa ka filluar si proces, dhe nuk ka përfunduar. Shumë organe që parashikohen në të janë në fazën e ndërtimit. Prandaj, rezultatet e saj duhet t’i presim në fund të këtij procesi.

Një nga objektivat apo kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria, sipas raportit që pritet të dalë, është pikërisht përfundimi dhe zbatimi i Reformës në Drejtësi.

Me sa duket, më zbatim të Reformës në Drejtësi, Institucionet e Bashkimit Europian nënkupton hetimin dhe arrestimin e njerëzve të pushtetshëm. Prandaj, vullneti për t’i shkuar deri në fund çështjeve gjyqësore të rëndësishme ku përfshihen njerëz me pushtet, do të jetë kyç për hapjen e negociatave.

Deri më tani ka një tentativë të Prokurorisë për të hapur disa hetime kundrejt disa ish-pushtetarëve. Por kjo nuk është ajo që kërkon Bashkimi Europian për ta konsideruar drejtësinë e re shqiptare të pavarur. Nuk maten me punën e Arta Markut efektet e Reformës në Drejtësi. Këtë gjë e kanë për detyrë ta bëjnë organet e reja si SPAK dhe Byroja e Hetimit Kombëtar. Organe të cilat po pengohen për t’u ngritur me çdo mjet nga klasa politike shqiptare, e cila po ndjen se drejtësia është duke u ikur nga duart dhe për këtë arsye, është në konflikt dhe tension konstant.

Megjithatë, për shkak se kjo Reformë është një investim tërësisht europian dhe amerikan, tashmë rruga drejt përfundimit të plotë të saj është e pandalshme, me gjithë përpjekjet për t’i vënë shkopinj nën rrota.

Në fakt, kjo Reformë është më shumë një instrument diplomatik se sa juridik për politikën ndërkombëtare dhe sidomos për atë amerikane. Drejtësia është duke u përdorur nga politika amerikane si instrument diplomatik. Po të shohim me kujdes, në shumicën e vendeve të rajonit, Amerika po bën politikën e jashtme të saj nëpërmjet drejtësisë.

Duke qenë se, interesat gjeopolitikë në këtë rajon për Shtetet e Bashkuara janë të mëdha, aq më tepër në një kohë të tensionuar midis fuqive botërore, atëherë, për të ruajtur këta interesa, ka zgjedhur rrugën nëpërmjet drejtësisë. Sepse, për ta, klasa politike shqiptare apo ajo ballkanike, është tërësisht e pabesueshme. Në këtë kuptim, vetëm me një drejtësi të pavarur, e cila ka vullnetin dhe fuqinë të luftojë korrupsionin politik, mund t’i sigurojë ato. Fati i Shqipërisë në këtë rast është se, interesat e SHBA, përputhen me ato të saj.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

A do të flasë Eduard Selami, ja çfarë parashikon axhenda e PD

Eduard Selami e mbajti fjalën. Ai premtoi se do të jetë pjesë...
Read More