….e megjithatë, Xhafaj duhet të jepte dorëheqjen…

Nga Ervis Iljazaj

Tashmë mund ta themi hapur. Fatmir Xhafajn e mban në detyrë ende Ambasada Amerikane. Nëse deri dje, kishte mendime se Edi Rama ishte i pafuqishëm të shkarkonte ministrin e Brendshëm, sot një gjë e tillë është fakt.

Ndërsa opozita denonconte dhe kërkonte prezencën e tij në Parlament, Fatmir Xhafaj ndodhej në takim me Ambasadorin Amerikan Donald Lu. Jo vetëm kaq, por seti fotografik që u shpërnda për mediat mbas këtij takimit, tregonte qartë se marrëdhënia midis tij dhe Ambasadorit Amerikan Donald Lu ishte më se e mirë. Dora e Ambasadorit Lu e drejtuar drejt makinës së tij për Fatmir Xhafaj, ishte një gjest simbolik si për të treguar që Ministri është nën mbrojtjen e Amerikës, më i sigurt se kurrë politikisht, të paktën për momentin.

Edhe në deklaratën për mediat të Ambasadës Amerikane, duket e qartë mbështetja që ajo i jepte këtij të fundit.

Por, e mbështet ose jo Ambasada Amerikane, nuk ka dyshim se ishte në interesin publik, për të shtensionuar situatën politike, që Fatmir Xhafaj të jepte dorëheqjen, për hir të parimeve dhe moralit politik.

Në këtë kuptim, duket vërtet i habitshëm mbështetja e hapur për Xhafajn e Ambasadës Amerikane.

Është e vërtetë që Fatmir Xhafaj ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë i ndërkombëtarëve, për Reformën në Drejtësi dhe për çështje të tjera, mirëpo, duket e pabesueshme që nuk gjendet një person tjetër po kaq bashkëpunëtor dhe i aftë për të çuar përpara një agjendë, që ndërkombëtarët, me në krye SHBA kërkojnë të vendosin në Shqipëri.

Me sa duket, interesi i SHBA qenkësh që Fatmir Xhafaj të vazhdojë të qëndrojë ende në detyrë. Por, deri më tani nuk e dimë ende se cilat janë këto interesa kaq të mëdha të SHBA dhe të vetë Shqipërisë, që bën kaq të domosdoshëm emrin e një personi, a thua se në Partinë Socialiste nuk mund të gjendet një zëvendësues për Ministrinë e Brendshme që mund të jetë po aq bashkëpunëtor me Amerikën.

Për këtë arsye, e gjithë përpjekja e Ambasadës Amerikane dhe personalisht e Donald Lu për Reformën në Drejtësi, pa insistimin e të cilit ajo do të ishte e pamundur, rrezikon të vihet në dyshim.

Sepse, në këtë moment vettingu të përgjithshëm, është mirë që të jepet një mesazh totalisht i kundërt nga ky që po jepet me rastin e Xhafajt. Nëse vërtet kryeministri, apo dhe vetë Ambasada Amerikane, kërkon të japë një mesazh dhe të tregojë një vullnet për t’i shkuar deri në fund këtij procesi, duhet ta fillojë vettingun nga ministrat.

Sepse gjëja kryesore që ka nevojë politika shqiptare është pikërisht të fillojë vettingun nga vetja. Kjo duket e pamundur për arsye se politikanët janë njerëz që janë mandatuar nga populli dhe përfaqësojnë ata. Prandaj, është zgjedhur nga ndërkombëtarët fillimisht pastrimi i drejtësisë, në mënyrë që të bëjë të mundur më tej nëpërmjet saj pastrimin e politikës. Por, si vullnet apo si mesazh, një Kryeministër duhet ta bëjë këtë gjë edhe nëse nuk ia kërkon ligji.

Për opinionin publik, është e papranueshme që në këtë frymë të Reformës në Drejtësi, Ministri i Brendshëm të përflitet për gjëra të tilla dhe mos të merret asnjë masë politike. Aq më tepër, që me iniciativë po të këtij Ministri, çdo polici të thjeshtë t’i kërkohet vetting për qindarkën më të fundit, dhe ky parim mos të fillojë në radhë të parë nga Ministri.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Sezoni: Përfitimet nga frutat dhe perimet e gushtit

Pothuajse të gjithë frutat dhe perimet e kësaj stine kanë përmbajtje shumë...
Read More