E vërteta është, se kryebashkiakët e Shqipërisë janë jashtë çdo kontrolli politik dhe ligjor

Nga Ervis Iljazaj

Rasti i arrestimit të kryebashkiakut të Lezhës, përtej debatit nëse është i fajshëm apo jo, për akuzat në drejtim të tij, apo faktit nëse ky arrestim është një aksion i drejtësisë apo i politikës, pasi shumë prej hetimeve të fundit të prokurorisë janë vetëm kundrejt pushtetarëve të një krahu politik, duhet të na bëjë të reflektojmë për qeverisjen e pushtetit lokal në Shqipëri, që për hir të së vërtetës është në gjendjen më të keqe të mundshme.

Sot që flasim, çdo qytetar në çdo cep të Shqipërisë, e di fare mirë se kryetarët e bashkive, në qytete të rëndësishme apo në province të vogla, janë jashtë çdo kontrolli politik apo ligjor, duke u kthyer kështu nga qeverisës të një komuniteti në bejlerë të territorit ku ata kanë pushtetin.

Ka qytete në Shqipëri, siç është rasti i Durrësit apo Elbasanit, ku një person qeveris më shumë se 10 vite, duke u kthyer kështu në njerëz që kanë akumuluar pushtet dhe para, të cilat i bëjnë të fortë, të pavarur nga politika apo ligjet e Politikës së Tiranës. Jo vetëm kaq, por shpeshherë kryebashkiakë të tillë kanë aq shumë pushtet dhe mjete financiare, saqë mund t’iu imponohen kryetarëve të tyre të Tiranës, pasi në qytetet ku qeverisin, kontrollojnë të gjithë komunitetin në mënyrë klienteliste apo me mjete të tjera. Në këtë kuptim, politika e Tiranës nuk mund t’i evitojë kaq kollaj, dhe shumëherë është e detyruar të bashkëpunojë meta, duke u bërë bashkëpunëtor në krimet e tyre territoriale, financiare apo pronësore.

Gjendja e qeverisjes së qyteteve të Shqipërisë, është gjendje alarmante. Po të vizitosh shumë prej qyteteve të Shqipërisë, e kupton menjëherë se koha atje ka ndaluar shumë vite më parë. Janë qytete që qeverisen shpesh me klane familjare apo fisnore, duke anashkaluar çdo parim të qeverisjes së komunitetit dhe pushtetit politik demokratik. Nëse nuk vihet dore në mënyrë urgjente në qeverisjen lokale, atëherë, shumë shpejt qytet shqiptare do të kthehen në toka të harruara të qeverisura nga sherifët e zonës.

Tashmë që territoret e Bashkive janë edhe më të mëdha se më parë, si pasojë e Reformës Administrative Territoriale që zvogëloi numrin e Bashkive, pushteti i tyre është rritur edhe më shumë, duke i bërë shumë kryebashkiakë, në ndonjë rast edhe më të fuqishëm financiarisht dhe politikisht se ndonjë ministri.

Në këtë kuptim, është urgjente që të rregullohet pushteti i tyre apo ligjet që forcojnë, kontrollojnë pushtetin e tyre dhe që mund të evitojnë abuzimin me pushtetin.

Për shembull, përse mandatet e një kryetari Bashkie duhet të jenë më shumë se dy? Një pushtetar lokal, nëse vërtet është aty për të qeverisur dhe kontribuar për jetën e komunitetit që drejton, nuk ka nevojë më shumë se tetë vite për ta bërë atë. Çdo ditë më shumë nuk shkon aspak në favor të territorit, por në favor të pushtetit të tij politik dhe financiar.

Kjo e mandateve mund të jetë një iniciativë, por ka dhe shumë të tjera, mjafton të shohim modelet e qeverisjes dhe menaxhimit të territorit në vendet model të politikave territoriale dhe t’i aplikojmë këtu. Mirëpo, për të bërë këtë ka nevojë për një vullnet politik, kryesisht të politikës së Tiranës, gjë e cila duket e vështirë për faktin se, shpeshherë njerëz të pushtetshëm lokalë i shërbejnë kësaj të fundit për të mbledhur vota dhe për të legjitimuar pushtetin e tyre në Tiranë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Analiza gjermane: Ja përse i humbi zgjedhjet PD-ja

Fondacioni “Konrad Adenauer” ka përgatitur një analizë për zgjedhjet në Shqipëri. Walter...
Read More