Edhe njëherë për tregun e ujit, të energjisë, të shëndetësisë dhe atë të arsimit

Nga Ervis Iljazaj

Dje, në editorialin e radhës në gazetën MAPO “Koha për të futur në treg shërbimet publike: ujin, arsimin dhe shëndetësinë”, trajtova një temë shumë të debatuar në ditët e fundit, atë të vendimit të Bashkisë të Tiranës për rritjen e çmimit të ujit. Shkurtimisht, qëndrimi i editorialit ishte ky: Zgjidhja përfundimtare për të patur shërbime të tilla cilësore është privatizimi ose funksionimi i tyre me parimin e tregut dhe ligjit tregtarë sipas kërkesë-ofertës.

Normalisht, isha i ndërgjegjshëm që shkrimi do shkaktonte debate pasi, çështja është shumë e ndjeshme dhe kemi të bëjmë me shërbime thelbësore ndaj qytetarëve. Aq më tepër, kur një qëndrim i tillë shkon kundër frymës populiste, humanizmit fals që nuk zgjidh asnjë gjë dhe puniste që ekziston në një pjesë të shoqërisë shqiptare. Andaj, për të theksuar dhe njëherë qëndrimin tim dhe për t’i hyrë me themel këtij debati po i rikthehem përsëri.

Nga të gjitha komentet, kundërshtimet apo kritikat ndaj editorialit kishte dy shqetësime kryesore. E para, këto shërbime duhet të jenë shtetërore dhe kurrsesi nuk mund të funksionojnë me parimin e tregut. E dyta, të pamundurit dhe të varfrit nëse ato do t’i lihen në dorë privatit nuk do të kenë mundësi të kenë akses në to nëse nuk kanë mundësi të paguajnë.

Para se të sqarojë dy shqetësimet e mësipërme, është e rëndësishme të theksohet se debatet mbi këto çështje duhet të zhvillohen në një mënyrë që ato të marrin zgjidhje përfundimtare dhe jo të fshihen mbas emocioneve popullore, por të bazohen në arsyen e ftohtë, larg bamirësisë masive false, e cila mund të jetë një zgjidhje e përkohshme, por kurrsesi një zgjidhje përfundimtare.

Për t’u kthyer te dy shqetësimet kryesore që shkaktoi ky qëndrim, uji, shëndetësia, energjia dhe arsimi nuk janë pjesë natyrore e shtetit dhe, si të tilla mund të ofrohen fare mirë dhe nga agjencitë private dhe kjo është më se normale në shoqërinë e hapur ku jetojmë sot.

Nga të gjitha teoritë e shtetformimit, ajo që mbizotëron është shteti si kontratë sociale. Sipas kësaj teorie që u përhap më së shumti nga liberalët e shekullit të 17-të dhe të 18-të, që iu kundërvunë shtetit absolut, arsyeja se përse shteti u formua ishte fakti se njerëzit në gjendjen natyrore të tyre, nuk kishin siguri për jetën dhe nuk kishte një arbitër që të jepte drejtësi në konfliktet e mundshme.

Kështu që, arsyeja e vetme për të cilën u formua dhe ekziston shteti si entitet, është sigurimi i jetës së qytetarëve dhe dhënia e drejtësisë. Me kalimin e kohës dhe hapjes ndërkombëtare të marrëdhënieve politike, shtetit iu shtua dhe një funksion tjetër, ai i diplomacisë. Andaj, për të gjithë ata që mendojnë se shërbime të tilla, si: uji, arsimi, energjia apo shëndetësia duhet të jenë vetëm shtetërore, është mirë të dinë se pjesë natyrore të shtetit janë vetëm drejtësia, rendi, ushtria dhe diplomacia. Çdo shërbim tjetër ndaj shoqërisë mund të vijë nga vetë qytetarët dhe iniciativat e lira.

Por, le ta lëmë mënjanë doktrinën dhe të kthehemi te pragmatizmi dhe debati i ditës.

Pikë së pari, uji, arsimi, energjia dhe shëndetësia nuk janë politika sociale, ato janë së pari tregje, politikat sociale janë tjetër gjë. Politikat sociale u lejojnë akses ndaj këtyre shërbimeve me ndihmën e shtetit disa shtresave që në pamundësi financiare nuk aksesojnë dot. Askush nuk tha që mos të ekzistojnë ato. Për këto shtresa ekzistojnë dhe duhet të ekzistojnë, bursat e studimit, kartat e shëndetësisë, subvencionet e ndryshme për energjinë dhe ujin. Por, që të kemi mundësinë që t’ua ofrojmë dhe atyre, më parë duhet t’i kemi këto shërbime. Dhe që t’i kemi duhet të ndërtojmë tregun e tyre në mënyrë sa më efikase.

Pikë së dyti, që në një shoqëri të caktuar të ketë shërbime të tilla cilësore si arsimi, shëndetësia, energjia apo uji ka një kosto të caktuar dhe, kjo kosto kërkon një çmim të caktuar. Buxheti i shtetit, aq më tepër në kohë krize ekonomike nuk i përballon dot këto kosto dhe nga ana tjetër, për arsye elektorale nuk guxon as të vendosë çmimin përkatës për këto shërbime, duke i lënë këto shërbime në këtë gjendje ku janë katandisur sot.

A nuk do të ishin të gatshme për të paguar çmimin real të tregut, ndoshta dhe më të lartë, ato familje që kanë mundësi për të patur një arsim më cilësor, një shëndetësi më të mirë, furnizim me energji dhe uji në çdo kohë?

Mendoj se po! Në këtë mënyrë jo vetëm që do të garantohej shërbimi, por pagesat e tyre do të kontribuonin për të ndihmuar dhe aksesin e shtresave në nevojë.

Mirëpo, të gjithë këtë sistem shërbimesh të bazuar në raportin e kosto-përfitimit, mund ta realizojë vetëm logjika e kërkesë-ofertës. Dhe, në këta sektorë shteti ndërhyn te kërkesa për të ndihmuar ata që kanë nevojë dhe jo te oferta.

Dikush mund të mendojë se në këtë mënyrë fare mirë mund të funksionojnë dhe ndërmarrjet shtetërore. Cilat ndërmarrje?

Ato që janë si një makinë e vjetër që harxhojnë vaj dhe karburant pafund dhe ecin ngadalë?!

Ato që kanë brenda tyre punonjës shtetërorë që nuk kanë asnjë përgjegjësi për cilësinë e shërbimeve pasi, rrogën e kanë të siguruar nga taksat tona edhe nëse punët shkojnë keq?

Ato ku abuzohet me taksat e qytetarëve shqiptarë dhe që dalin çdo vit me humbje?

Nëse ka një arsye se përse ende këto shërbime vazhdojnë të jenë shtetërore është fakti se, ato duhet t’iu garantohen dhe shtresave të pamundura dhe, vetëm shteti mund ta bëjë këtë. Por, në këtë mënyrë, nëse vërtet ato i nënshtrohen logjikës së tregut do të mundësohet dhe cilësia e tyre dhe garantimi për atë pjesë të shoqërisë që nuk mundet. Vetëm në këtë mënyrë do të gjeneroheshin të ardhurat për cilësinë dhe të pamundurit.

John Rwals, një nga filozofët politikë më të spikatur gjatë shekullit të kaluar, në librin e tij “Teoria e Drejtësisë”, shpjegon se një shoqëri e drejtë mund të ndërtohet vetëm sipas dy parimeve bazë. E para, ishte liria dhe konkurrenca dhe e dyta, rishpërndarja. Nëse e majta di gjithmonë të rishpërndajë por nuk prodhon dot, e djathta prodhon por nuk rishpërndan dot. Andaj një shoqëri e drejtë sipas tij, ndërtohet vetëm duke kombinuar të dyja këto elemente. Kjo është shoqëria e drejtë dhe efikase. Të tjerat janë emocione, humanizma dhe populizma që nuk të çojnë asgjëkundi.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Na ishte një herë Akademia: Ja plani i shkrirjes

Zbulohet projekti i qeverisë për shkrirjen e Akademisë së Shkencave duke e...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.