Edi, nuk është faji i drejtorëve pisanjosë, por i idesë idiote për “shëndetësinë falas”

Nga Ervis Iljazaj

Dje, Edi Rama, në serinë e takimeve për reformimin e administratës publike, u prononcua për sektorin e shëndetësisë. Fajin për të, e kishin drejtorët të cilëve u kërkoi dorëheqjen për shkak se nga paaftësia e tyre e kanë katandisur shëndetësinë si mos më keq.

Problemi është se shëndetësia nuk është një sektor si gjithë të tjerët i administratës publike. Shëndetësia është një sektor ku kërkohet një kapital human dhe financiar që sigurohen me një vizion dhe politika afatgjata. Duke qenë se është një nga sektorët më delikatë, zgjidhja për problemet e saj nuk vjen me një të rënë të lapsit për shkarkimin e drejtorëve. Në disa raste faji mund të jetë i drejtorëve, por problem kryesor i shëndetësisë shqiptare është ideja absurde e “shëndetësisë falas”.

Rama e premtoi atë gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2013.Ndoshta, nga vullneti i mirë apo vetëm si pasojë e fushatës, fakt është se ai premtim nuk u mbajt dhe nuk ka për t’u mbajtur ndonjëherë. Jo për shkak të dëshirës, por për shkak se shëndetësia falas nuk ka funksionuar në asnjë vend tjetër, për arsyen e thjeshtë sepse është një sektor që kërkon të ardhura të mëdha dhe, buxheti i shtetit në mënyrë absolute nuk mund t’i sigurojë ato.

Madje edhe në Britaninë e Madhe, sektori i shëndetësisë që operon pak a shumë gratis, konsiderohet një dizastër. Në raportin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ajo renditej vetëm e 18-ta nga vendet europiane. Kjo është e vërteta!

Pa tregun e shëndetësisë dhe të sigurimeve, pa liberalizimin e mëtejshëm të sigurimeve shëndetësore, pa operimin e gjerë të industrisë private në shëndetësi, do të vazhdojmë të vuajmë ende nga shërbimi i keq shëndetësor ne dhe brezat në vazhdim. Gjithashtu, është e domosdoshme kthimi i spitaleve shtetërore në ndërmarrje ekonomike rentabël, të cilat harxhojnë para pafund të taksave të shqiptarëve dhe ofrojnë këtë shërbim shëndetësor, në të këtë gjendje që ndodhet sot.

Vetëm në këtë mënyrë do të siguroheshin të ardhurat e domosdoshme për të ofruar një shërbim shëndetësor dinjitoz për këdo.

Sigurisht, shërbimi shëndetësor është dhe një e drejtë kushtetuese dhe shteti shqiptar ka për detyrë t’ia ofrojë atë edhe pjesës shoqërore që nuk kanë mundësitë për të blerë sigurimet shëndetësore. Por, më parë duhet të krijojmë tregun e shëndetësisë me çdo element që ai nënkupton. Në këtë mënyrë ata që kanë mundësinë ta paguajnë atë do të krijojnë gjenerimin e të ardhurave edhe për pjesën e shoqërisë që nuk kanë mundësinë ta paguajnë. Politikat sociale janë tjetër gjë dhe krijimi i tregut të shëndetësisë një tjetër.

Nëse vazhdohet në këtë mënyrë me farsitetin e shëndetësisë falas jo vetëm që të pamundurit e shoqërisë nuk do të kenë mundësinë ta kenë këtë shërbim, por edhe ata që kanë mundësinë të paguajnë kanë një shërbim për të ardhur keq.

Për arsye se kështu siç është ky sektor, vazhdon të harxhojë para pafund nga taksat tona, të cilat nuk mjaftojnë gjithsesi për të siguruar një shëndetësi dinjitoze për të gjithë.

Andaj, përtej drejtorëve që nuk kryejnë siç duhet punën e tyre, është i domosdoshëm rikonceptimi nga e para i gjithë sistemit të shëndetësisë. Një koncept që bazohet në rentabilitetin e shëndetësisë, tregut të sigurimeve dhe politikave sociale për shtresën e shoqërisë në nevojë, që vijnë si pasojë e gjenerimit të të ardhurave. Sepse “shëndetësia falas” për shkak se ka si synim t’u ofrojë shërbimin shëndetësor atyre që nuk munden, është duke e lënë gjithë shoqërinë shqiptare pa një shëndetësi që funksionon. Jo vetëm shtresat e varfra të shoqërisë janë duke e vuajtur këtë, por çdokush që mund të paguajë për një shërbim shëndetësor cilësor. Në këtë mënyrë nuk sigurohen as politikat sociale dhe as shërbimi shëndetësor cilësor.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Eduard Selami do të ishte një magjistar, nëse do të bëhej kryetar i PD-së

Nga Mustafa Nano Lulzim Basha foli parmbrëmë për herë të parë. Foli...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *