Edi Rama duhet të qartësohet, çështja Tahiri është juridike apo politike?


Nga Ervis Iljazaj – 
Çështja Tahiri vazhdon ende të zërë vëmendjen kryesore në mediat shqiptare. Çdo ditë dalin indicie që lidhin atë në mënyrë direkte apo indirekte me akuzat që prokuroria ka ngritur kundër tij. Rasti i fundit ishte gjetja në makinën e një biznesmeni e një shume të madhe eurosh dhe dy patenta lundrimi në emër të ish-ministrit të rendit. Një fakt ky që nuk mund të anashkalohet, aq më tepër kur bëhet fjalë për një politikan, dhe aq më tepër një politikani që është përfshirë në akuza për trafikim të lëndëve narkotike.

Duket se Saimir Tahiri nuk do të shpëtojë lehtë nga të gjitha përfoljet publike dhe juridike që hidhen mbi të. Po ashtu, kjo çështje do të përndjekë gjatë edhe mazhorancën aktuale dhe liderin e saj, Edi Rama. Me gjithë përpjekjet e kësaj mazhorance për të devijuar vëmendjen e opinionit publik, me truke mediatike apo politike, kjo çështje nuk mund të harrohet. Qeveria ka për detyrë të mbajë një pozicion të qartë dhe t’iu përgjigjet qytetarëve shqiptarë se çfarë roli ka.

Pikërisht ky është kontradiksioni dhe vështirësia që po has Edi Rama në këto momente për çështjen në fjalë. Reagimi që ka për çështjen Tahiri duket një reagim konfuz, që njëherë e trajton atë politikisht dhe njëherë juridikisht. Duke krijuar kështu skepticizëm të madh nëse vërtet ka vullnet të hedhë dritë mbi këtë rast kaq të rëndë për politikën dhe drejtësinë shqiptare.

Në momentin që kjo çështje tashmë është në duart e drejtësisë, atëherë politika duhet të heshtë, por nuk ndodh kështu. Sa herë që dalin indicie për rastin Tahiri, dhe drejtësia nis e vepron, Edi Rama nuk nguron ta kthejë vëmendjen te politika. Duke e futur këtë çështje në retorikën e saj që nuk zgjidh asgjë juridikisht. Në të njëjtën kohë vërshojnë akuza mbi prokurorinë për lidhjet e saj me opozitën. Një mënyrë e gjetur për të shmangur thelbin ligjor të çdo çështjeje, është pikërisht ta kthesh atë në çështje politike. Edi Rama e di fare mirë që opozita shqiptare nuk gëzon ndonjë besim të madh, për sa i përket moralitetit politik, dhe kështu e ka fare të lehtë të mjegullojë ligjërisht rastin e Tahirit, duke i futur të gjithë në një kazan politik.

Kur opozita për të fituar kredenciale politike, e trajton çështjen e Tahirit politikisht, siç ka bërë gjithë këto kohë me të, Edi Rama i bën thirrje drejtësisë, për mos ta lënë opozitën të përfitojë politikisht. Me të drejtë, pasi akuza të tilla penale zgjidhen vetëm sipas drejtësisë dhe jo sipas debatit politik bosh. Mirëpo këtu qëndron kontradiksioni i mazhorancës. Ende kjo mazhorancë nuk e ka të qartë se çfarë rruge të ndjekë. T’ia lërë në dorë drejtësisë çështjen Tahiri, apo politikës. Një kontradiksion, i cili po vështirëson gjithmonë e më shumë pozitat e saj dhe po e vendos atë në “siklet” përpara opinionit publik.

Nëse do ta trajtojë politikisht, atëherë duhet t’i njohë të drejtën opozitës të bëjë betejën e saj politike mbi këtë çështje. Nëse do ta trajtojë juridikisht, atëherë nuk duhet të përfshihet politikisht sa herë që del një indicie e re për të, që mund të përdoret juridikisht

Është e qartë, që kjo mazhorancë do të ketë një kosto politike nga kjo çështje. Nëse do të jetë afatshkurtër apo afatgjatë mbetet për t’u parë, por nëse vazhdon të jetë e paqartë, se në çfarë dimensioni ta trajtojë çështjen Tahiri përpara opinioni publik, kostot e saj do të jenë edhe më të mëdha.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Familja Mbretërore për Princeshën Charlotte

Princess Charlotte mund të jetë vetëm 2-vjeç, por ajo është bërë tashmë...
Read More