Edi Rama fitoi si antipopulist dhe do të qeverisë si populist

Nga Ervis Iljazaj

Bashkëqeverisja me qytetarë është slogani i ri i Edi Ramës. Të gjitha dëgjesat publike që zhvilloi pas fitimit të zgjedhjeve janë mënyra populiste të qeverisjes. Sepse në një demokraci përfaqësuese qeveriset për qytetarët dhe jo me qytetarët. Kjo është një metodë e cila ka reshtur së funksionuari shekuj më parë. Pikërisht ngaqë në një shoqëri komplekse në të cilën jetojmë sot, ku kërkohet informacion dhe një ekspertizë e caktuar, qeverisja me popullin bëhet e pamundur. Andaj në një demokraci si kjo e sotmja ua delegojmë pushtetin politikanëve sepse kërkohet një profesionalizëm për të qeverisur vendin. Ose më saktë, kërkohen njerëz teknikë, të cilët u bëjnë ballë sfidave ekonomike dhe, për këtë arsye politika e sotme quhet teknokraci. Sepse pushtetin e vërtetë e kanë ekspertët. Në këtë kuptim populli, edhe pse mendimi tij është i rëndësishëm nuk mund të qeverisë.

E gjithë kjo mënyrë e Ramës, të cilën nuk dihet nëse do ta vazhdojë më tej apo jo, ndoshta, përbën një lloj detyrimi ndaj popullit shqiptar që e mandatoi të vetëm.

Dhe të mendosh që qeverisja e Ramës gjatë katërvjeçarit të parë ishte totalisht e kundërt nga kjo që po tenton të zhvillojë në mandatin e dytë.

Reformat e ndërmarra nga qeveria Rama në katër vitet e kaluara ishin tërësisht në drejtimin e kundërt. Për shumë aspekte, ato mund të përbënin dhe një kosto elektorale për të. Mjafton këtu të përmendin formalizimin e ekonomisë, tregun e sektorit të energjisë apo ndalimin e ndërtimeve pa leje, të cilat ishin për shumë arsye jo të mbështetura nga një pjesë e madhe e shoqërisë për shkak të mungesës të humanizmit, por që ishin të domosdoshme dhe efektin e tyre pozitiv e kanë dhënë që tani.

Ndoshta, Rama i fortë me mandatin popullor po bie në grackën e aleancës me të, duke bërë çdo politikë bashkërisht. Por, shumë shpejt do kuptojë se politika dhe ekonomia nuk janë profesione për çdokënd, edhe për një shtëpiake çfarëdo në një provincë të Shqipërisë.

Po ashtu ishte dhe fushata elektorale që zhvilloi, tërësisht jopopuliste. Rama nuk bëri asnjë premtim gjatë saj përveçse reformës së administratës publike që, me sa duket, është një premtim që do ta mbajë. Më shumë se sa për përmbajtjen e qeverisjes, iu foli shqiptarëve për mënyrën e saj duke kërkuar mandatin i vetëm dhe, ia doli. Tashmë gjendet përballë një mandati që nuk do të ketë më alibi nëse dështon.

E gjithë kjo metamorfozë e filozofisë së qeverisjes të Ramës është tipike e një lideri politik ku çdo gjë i detyrohet popullit si pasojë e mbështetjes që i dha.

Mirëpo një lider politik, aq më tepër një lider i cili pati kurajën të vinte në zbatim reformat e rëndësishme për vendin, duhet të mendojë përtej raportit lider-popull.

Aq më tepër që, përgjigjet e publikut nuk janë opinione që ndërtojnë strategjitë makro, të cilat i duhen vendit. Ato janë detyra e qeverisë, e cila duhet të mendojë dhe ka në dorë të gjithë informacionin që nevojitet për të planifikuar prioritete dhe politika që do të zgjidhnin vërtet problemet e shqiptarëve brenda mundësive ekonomike që ka vendi ynë. Informacion të cilin populli nuk e ka.

Politikanët që zgjedhim në krye të punëve të shtetit, kanë detyrë të na gjejnë zgjidhjen e problemeve shoqërore dhe ekonomike dhe jo t’ia kërkojnë popullit ato. Kjo është një mënyrë false për të përballuar sfidat që ka vendi ynë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Si iu përgjigj Kadare, pyetjes fatale të gazetarit për diktaturën

Vjollca Hajdari, (gazetare, politologe, etnologe dhe përkthyese në Berlin), ka intervistuar shkrimtarin...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *