Edi Rama kërkon ta përballojë fundin me zhurmë, por është e kotë

Nga Fitim Zekthi*

Përtej faktit që takimet me “popullin si pjesë e qeverisjes me popullin për të dhënë llogari para popullit” nuk kanë të bëjnë fare me llogaridhënien por me propagandë të rëndomtë të krahasueshme vetëm me ato të regjimeve totalitare, këto takime mund të vlejnë për të kuptuar më mirë arsyet pse politikanët tanë qeverisin kështu. Në këto takime ku gjasme qeveria dhe kryeministri do të dëgjojë njerëzit, në të vërtetë njerëzit, kushdo qofshin ata, dëgjojnë qeverinë. Shpesh kryeministri tregohet edhe arrogant apo përbuzës.

Në Lushnjë pak ditë më parë teksa dikush po i thoshte se ai paguan një taksë prej 20% (e kishte fjalën për TVSH) kryeministri e pyeste me nerv “ç’a takse të është ngritur ty, ku e paguan ti më shumë, ke biznes ti?”. Kur dëgjuesi i tha sa kishte një biznes familjar kryeministri i tha se do të sqaroj atëherë… Në Lezhë kur dikush i tha se nuk ka punë apo se shëndetësia jo vetëm nuk është falas por është shumë e shtrenjtë kryeministri i tha “mirë kaloja mikrofonin dikujt tjetër”. Kjo pamje është kudo në çdo takim.

Megjithatë në një nga këto takime kryeministri tha diçka ndryshe. Ai iu drejtua njerëzve duke thënë se të jesh kryeministër është një barrë e madhe, ka kosto familjare, shpirtërore, fizike dhe se ai mundohej të ndihmonte Shqipërinë dhe njerëzit ndaj e kishte marrë përsipër këtë sakrificë. Ai tha se e dinte prej kohësh që çdo njeri do të vdesë dhe do marrë vetëm dy metra varr në fund.

Mënyra se si sillet kryeministri me njerëzit në fakt nuk tregon se ai po sakrifikon për ta apo se ai nuk ka ndjeshmëri për anën materiale përderisa në fund mbeten dy metra varr. Mënyra se si ai sillet, mënyra se ai qeveris, se si komunikon, se si “dëgjon” tregon krejt të kundërtën.

Presidenti Xhorxh Bush po shkonte mëngjesin e 20 janarit të vitit 2001 në Washington për ceremoninë e inaugurimit si president. Gara me Al Gore-in kishte shkuar në gjykatë dhe amerikanët ishin të ndarë nga beteja politike. Një grua, mbështetëse e Al Gore i ngriti gishtin e mesit presidentit Bush. Ai i thotë këshilltarit për çështjet fetare që ishte me të në makinë se në qoftë se për katër vite ai nuk do ta bindte atë grua që ai ishte edhe presidenti i saj, gjithçka ishte e kotë. Presidenti Bush, është ai që ndaloi përparimin e SIDA-s në Afrikë duke nisur një program me miliona dollarë ilaçe, është ai që nisi programin “asnjë fëmijë nuk do mbesë pas” për arsimin, është ai që përqafonte përzemërsisht turmën në Fushë-Krujë si të ishte një familjar i tyre…

Joe Biden, në konventën kur po emërohej kandidat për president Obama mbajti një fjalim të rrallë. Ai tha se kishte 30 vjet që udhëtonte çdo ditë me tren nga Wilmington(qyteti i tij) në Washington. Rruga vajtje-ardhje ishte rreth 700 kilometra, disa orë me tren. Biden tha se ky udhëtim e kishte bërë atë politikanin që ishte. Unë tha zv.presidenti Biden shoh çdo mbrëmje nga treni në dritaret e shtëpive, shoh fëmijët që shtrihen të flenë, shoh ata që janë në tryezën e ngrënies, shoh ata që mësojnë, shoh prindërit, shoh të sëmurët. Vendimet e mia janë marrë nga ato pamje. Nga ato kam kuptuar se ç’vend jemi, sa papunësi, sa varfëri, çfarë spitalesh, çfarë kujdesi shëndetësor kemi etj.

Sekretari i mbrojtjes Bob Gates shkruan në librin e tij me kujtime për luftën, për të vrarët dhe për të plagosurit. Ai përshkruan një moment nga vizita në një spital tek ushtarët e plagosur në Irak. Ai thotë se aty kishte njerëz të plagosur rëndë, pa këmbë, pa duar etj. Vizita si kjo janë shumë të rënda shkruan ai. Te shtrati i një plagosuri ai u përball me pyetjen e ushtarit. “Zoti sekretar çfarë është ajo gjë që të bën ty të shqetësohesh shumë, të rrish edhe pa gjumë natën, të djersitësh, të kesh ankth”. Bob Gates thotë se nga thellësia e shpirtit i doli një si vaj, si klithmë dhe i tha: Ti. Gates thotë se pamjet e ushtarëve të plagosur ishin makthi i tij i vërtetë. Mendoja çdo ditë si do ta mbyllim këtë luftë dhe të sjellim djemtë tanë në shtëpi.

Raste si këto ka pafund në vendet ku politika është shërbim dhe ku politikanët nuk vrapojnë pas kënaqësive materiale apo epsheve narcistike. Raste si këto ka pafund kur mendojnë vërtet se do të marrin vetëm dy metra varr.

Kryeministri Rama nuk duket se është nga të tillët. Edhe të gjithë qeveritarët nuk duket se janë të tillë. Nuk duken të tillë as Ahmetaj, as Gjiknuri, as Xhafaj, as Bushati etj. Zv.presidenti Biden kur iu sëmur djali Beau që vdiq më pas, vendosi të shesë shtëpinë që të përballojë shpenzimet e mjekimit. Kryeministri Rama, ministri Ahmetaj apo qeveritarë të tjerë vetëm veshje të shtrenjta, (kostume, kravata, këmisha) ndërrojnë aq shumë sa idenë e varrit dy metra që do të marrin në fund kërkojnë ta zhdukin, ta shfarosin, sillen sikur ajo nuk ekziston, sikur vdekja nuk do vijë kurrë.

Kardinali, Robert Sarah një autoritet i kishës por edhe i mendimit sot, në librin e tij “Fuqia e Heshtjes” thotë se përjetësia, parajsa, vetë Zoti rri në heshtje, është heshtje. Njeriu sot është i zhytur në zhurmë. Njeriu përballë madhështisë së pafundësisë, përballë përjetësisë duhet të jetë në heshtje. Para kësaj nuk ka fjalë, ka adhurim, ka habi, ka qetësi. Mirëpo njeriu sot është në një “luftë ferri me qetësinë hyjnore”. Njeriu e ka humbur sensin e mëkatit dhe nuk e toleron qetësinë e Zotit. Njeriu dehet, bëhet tapë, me të gjitha llojet e zhurmave në mënyrë që të harrojë kush është, thotë kardinali Sarah. Njeriu sot kërkon t’i bëjë anestezi ateizmit të tij. Qetësia nuk është thjesht ndalim nga e folura, është gjendje e brendshme e shpirtit. Rruga për te Zoti është një lloj rrugëtimi drejt së brendshmes, rrugëtim që bëhet në heshtje, pa zhurmë, larg zhurmës.

Zhurma nuk janë vetëm tingujt e fuqishëm, zhurma janë epshi, dëshirat për luks, për sundim, për pasuri, për pushtet, për të tallur të tjerët apo nënshtruar të tjerët. Zhurma nuk lejon reflektimin, nuk lejon meditimin, nuk lejon të shohësh veten.

Kardinali Sarah përshkruan manastirin Carthusian në Alpe ku qetësia, e brendshmja shihet si mënyrë të jetuari. Aty, në atë qetësi, gjithkush ka mundësinë të ecë së brendshmi dhe të kuptojë pafundësinë, përjetësinë, veten. Kryeministri Rama vërtet jeton në mal, në Surrel, por atje nuk duket se qetësia është një zotim i jashtëm për këtë rrugëtim të brendshëm. Ajo shtëpi është zhurmë dhe është mes zhurmës. Është zhurmë që nga pamja e betontë, e kushtueshme, pompoze, dëshmi pushteti dhe ekscentrizmi. Është në zhurmë sepse kryeministri nuk është aty për të bërë atë që thotë kardinali Sarah, të ndërtojë një “shkretëtirë private në mënyrë që të takojë Zotin në heshtje dhe në vetmi”.

Është kjo përmasë transcendentale që e bën presidentin Bush, zv.presidentin Biden, sekretarin Gates të sillen në atë mënyrë, është ky rrugëtim i brendshëm, është largimi nga zhurma që i bën ata të drithërohen para njerëzve dhe dhimbjes së tyre. Është kjo zhytje e shpeshtë në heshtje, ky largim nga zhurma, ky rrugëtim i brendshëm që i jep politikës dhe sjelljes së Bush, Biden, Gates dhe shumë e shumë të tjerëve atë tipar kujdesjeje dhe përkushtimi ndaj njerëzve. Kryeministri Rama edhe takimet për të dhënë “llogari” me popullin i ka zhurmë, i ka ERTv live, i ka propaganda, i ka rrugëtim të jashtëm dhe jo të brendshëm. Edhe n.q.s. Rama mendon se fundi do të jetë dy metra varr, këtë mendim nuk e ka nisur nga madhështia e pafundësisë dhe e përjetësisë, nuk e ka nga meditimi dhe shikimi drejt vetes por e ka nga largimi, e ka nga zhurma. Kjo i shkakton ankth dhe tmerr dhe e shtyn më shumë edhe drejt zhurmës. Për fat të keq të tijin sepse gjithsesi dy metra varr do të mbeten.

*pedagog UET

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Aktorët para Bashkisë: Teatrin do e zgjidhim në gjykatë, s’ka asnjë transparencë

Artistë dhe shoqëria civile, njerëz të thjeshtë janë mbledhur dje në mesditë...
Read More