Edi Rama, njeriu antimedia apo antishpifje

Në tri vitet e fundit, për herë të dytë kryeministri propozon ashpërsimin e një ligji të ri, për të frenuar atë që e konsideron shpifje nga “kazani politik dhe mediatik”. Reagimet e ndërkombëtarëve zbusin qëndrimet e kreut të qeverisë. A mund të cenojë ligji opozitën dhe lirinë e medias? Flasin pedagogia Belina Budini dhe analisti Mustafa Nano.

Nga Sebi Alla

Raporti i kryeministrit me median gjithnjë ka qenë një marrëdhënie “dashuri & urrejtje”. E provoi vetë të ishte gazetar, analist, goditës e shpotitës i një pushteti, por edhe i goditur fizikisht nga pushteti, për aq kohë sa sulmohej fjala e lirë, në vigjilje të viteve 90’. Tashmë në rolin e kryeqeveritarit, Rama po hedh për herë të dytë brenda tri viteve në tregun publik idenë e paketës “antishpifje”, që parashikon dënimin e të zgjedhurve, politikanëve dhe gazetarëve që shpifin ndaj qeverisë, zyrtarëve të lartë dhe deputetëve të tij. Faza e parë ka nisur me urdhrin e AKP për regjistrimin e të gjithë mediave online. Në këtë pikë pak reagime ka patur, pasi formalizimi mediatik, qoftë edhe i mediave online, konsiderohet nevojë në “histerizmin” masiv të hapjes së portaleve pa kriter. Nëse do ishte qëllimi për “rregullin mediatik”, kjo do kish kaluar më në heshtje, por projekti i qeverisë në atë që e quan “paketa antishpifje”, parashikon specifikisht dënimin me gjobë të çdo shpifjeje, nga politika ose media.

“Çdo shpifje të hedhur në drejtimin tonë nga kazani politik e mediatik, a qoftë edhe nga kazani i profileve zyrtare digjitale, ne do ta padisim në gjykatë. Boll me përgënjeshtrime, boll me kundërpërgjigje, boll me debate televizive të sajuara për t’u bërë jehonë shpifjeve apo për të fituar audiencë e me zhurmën e fabrikës së baltës. Boll me këtë neveri që po helmon Shqipërinë dhe po rrënon çdo gur të themelit të edukatës e mirësjelljes qytetare, të cilin çdo familje e ndërton përditë me aq mund e durim për fëmijët e vet. Çdo shpifje në gjyq”, deklaroi kryeministri.

Opozita dhe një pjesë e mediave në vend reaguan, por kryeministri po venit me vendosmëri çdo zë klithës se po “preket liria e fjalës”, por këtë “guxim” nuk e ka me organizmat ndërkombëtarë, që duket se është i detyruar t’i dëgjojë. “Shtetet nuk duhet të imponojnë regjistrimin e detyrueshëm për mediat online si parakusht për punën e tyre, gjë që mund të ketë efekt shumë negativ në lirinë e medias. Kjo praktikë, kur vihet në zbatim, mund të kufizojë ndjeshëm aksesin e publikut në burime të larmishme informacioni dhe pluralizmin e zërave, si edhe gërryen të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të informimit online”, -u shpreh përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir. Nuk kaloi shumë orë nga kjo deklaratë dhe Rama u shpreh i gatshëm për ta diskutuar këtë ide.

“Bisedë e frytshme me Harlem Desir mbi përpjekjet për rend ligjor në median online. Së shpejti #PaketaAntishpifje #AntiFakeneës në diskutim publik. Gati për të dëgjuar sugjerimet e kujtdo që do një media të çliruar nga shpifjet. OSCE_RFoM partner i çmuar në këtë betejë emancipuese”, shkroi Rama mesditën e së premtes. Po pse kjo nismë e Ramës që në tre vjet tenton dy herë për të imponuar ligjin antishpifje? Në vitin 2015 kryeministri Edi Rama parashtroi thuajse të njëjtën nismë, por në atë kohë e shtoi dozën e dënimit, që përveç gjobës parashikonte edhe burgun. “Shpifja e kryer botërisht ndaj një funksionari të lartë shtetëror apo të zgjedhur, me qëllim atribuimin atij të një fakti që parashikohet nga ligji si vepër penale, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”- thuhej mes tjerash në propozimin e qeverisë shqiptare. Reagimet e brendshme, e veçanërisht nga ndërkombëtarët, që argumentuan se kjo prekte lirinë e shprehjes e veçanërisht cenonte punën e medias dhe ajo e para do ishte e prekur nga kjo nismë detyruan kreun e qeverisë të zmbrapsej, edhe për një tjetër fakt; -aleatja e saj bashkëqeverisëse LSI ishte kundër.

Koha ka ndryshuar, por situata në të cilën ndodhet qeveria është thuajse e njëjtë. Ndërsa shpërthyen akuzat për masivitetin e drogës e mbi të gjitha të dyshimit mbi lidhjen e “ministrit më të suksesshëm” Saimir Tahiri me grupin Habilaj në vitin 2015, Rama u kundërpërgjigj duke i konsideruar shpifje dhe lajme të rreme çka thuheshin për qeverinë e ministrat e tij dhe kërcënoi se do miratonte ligjin “antishpifje”. Në fund u tërhoq, madje pas kritikave nga OSBE kërkoi “ndjesë që propozimi ka hapur shteg për një keqkuptim të madh”. Situata po përsëritet tre vjet më pas. Në foltoret e partive opozitare dhe më pas edhe në media, “lajmi i ditës” lidhet me përgjime, akuza dhe dyshime për implikimin e drejtuesve të lartë të qeverisë dhe Partisë Socialiste në trafikun e narkotikëve dhe për lidhje me eksponentë të botës së krimit.

Në tre javë prokuroria ka marrë dosje të shumta me politikanë që hyjnë e dalin me dosje në duar që kallëzojnë penalisht kundërshtarët. Të gjithë të akuzuar dhe të gjithë akuzues… Në kakofoninë e krijuar, analisti Mustafa Nano shprehet pro nismës për rregull në tregun mediatik. “Duhet vënë rregull në gazetarinë online. Sepse kështu si është, është e gabuar, është e padobishme, është edhe e rrezikshme”, shprehet Nano për gazetën Mapo. Për analistin Nano për të diskredituar qeverinë Rama nuk ka nevojë të kërkosh ndihmën e shpifjeve, pasi sipas tij kjo qeveri prodhon vazhdimisht skandale dhe nëse dikush i vë vetes si qëllim të merret me këto skandale, nuk do të ketë nevojë e kohë për shpifje. Prof. as. dr. Belina Budini, drejtuese e Departamentit të Shkencave Humane dhe Komunikimit në UET, e konsideron jo vetëm antidemokratike nismën qeveritare, por edhe një formë cinike. “Kërcënimi përmes dënimeve për shpifje do të prodhojë jo thjesht vetëpërmbajtje apo autocensurë nga ana e gazetarëve, por më pak hapësira, dritare, apo porta prej nga mund të dalin ca të vërteta dhe perspektiva të ndryshme”-gjykon Budini. Për pedagogen e komunikimit kryeministri Rama njihet për një formë dashuri dhe urrejtje me median, pasi edhe vetë ai në politikë u katapultua si një “produkt” i medias.

 

“Ligji ‘ushqim’ për mediat, duhet vënë rregull në gazetarinë online”

Mustafa Nano, analist dhe drejtues i emisionit “Provokacija”

Nisma e kryeministrit Edi Rama për të ashpërsuar ligjin ndaj shpifjes ka prekur drejtpërdrejt median në vend. Fillimisht është ideja e regjistrimit të portaleve, një lloj formalizimi i medias. Si e konsideroni këtë fazë fillestare?

Unë nuk kam arsye ta kundërshtoj këtë nismë. Është gjë që e kam kërkuar të bëhet me kohë. Duhet vënë rregull në gazetarinë online. Sepse kështu si është, është e gabuar, është e padobishme, është edhe e rrezikshme. Madje, mendoj se nuk duhet të mjaftohemi veç me regjistrimin e portaleve. Dhe nuk duhet të jetë qeveria që duhet të ndërhyjë, e vetme. Duhet futur në lojë parlamenti. Duhet bërë një ligj që të jetë i plotë e që të synojë disiplinimin e formalizmin e kësaj lloj gazetarie. Mjaft të mendosh komentet që bëhen nga lexues të ndryshëm online poshtë komenteve që publikohen në portale me emër autori, dhe të vjen të kërkosh urgjentisht ndërhyrjen e një autoriteti me synim për ta zhbërë këtë status quo. Këto komente janë një barbari e vërtetë. Në to ka kryesisht fyerje, të shara, denigrime, shpifje, flitet me gjuhë urrejtjeje, shprehen ide homofobike, raciste etj. etj. Tabela më e kollajtë e qitjes janë gratë, mbi të cilat sulen pa mëshirë lloj-lloj njerëzish të frustruar. Portalet duhen detyruar me ligj që të paguajnë një moderator komentesh. Një dukuri tjetër ka të bëjë me lajmet e raportimet që vidhen prej portaleve të ndryshme. Mjafton që një lajm të botohet në një portal, dhe menjëherë më pas e marrin të gjitha portalet e tjera. Dhe kështu kemi me dhjetëra portale që në fakt janë njësoj. Të gjithë portalet vlejnë sa për një. Duhet penguar kjo gjë. Nuk ka asnjë kuptim. Është absurde. Unë nuk e kuptoj se si nuk ngrenë zërin ato portale që prodhojnë lajme më shumë se të tjerat. Nuk e kuptoj se si rrinë e bëjnë sehir të tjerët, të cilët u vjedhin informacionin që ata vetë janë lodhur për ta sjellë në gjendje të publikueshme.

Sa e prekur është media nëse ky draft i kryeministrit që dënon shpifjen kalon dhe miratohet. A do ketë edhe më shumë një autocensurë nga vetë gazetarët para se të publikojnë shkrime apo materiale komprometuese për qeverinë? Në një përballje gjyqësore “politikan-gazetar”, me këtë drejtësi që aktualisht kemi, kush është më i favorizuari?

Nuk ka nevojë të shqetësohet njeri për dënimin e shpifjeve. Ne nuk duhet të shqetësohemi që qeveria dënon shpifjet. Ne duhet të shqetësohemi kur qeveria bllokon informacionin, kur ajo nuk i përgjigjet kërkesës sonë për transparencë e llogaridhënie, kur ajo ndërton marrëdhënie klienteliste me botuesit, dhe e gjitha kjo bëhet në kurriz të gazetarëve, kur ajo e thur vetë raportimin mbi aktivitete të sajat, dhe pas kësaj ua dërgon redaksive të gazetave apo televizioneve etj. etj. Këto të fundit janë probleme, jo nisma e qeverisë për të dënuar shpifësit. Kjo nismë e fundit, sikur ta kenë seriozisht, vetëm mirë do t’i bëjë medias. Autocensura, së cilës i trembet ndokush, në fakt nuk do jetë autocensurë. Do të jenë skrupuj profesionalë për të mos shpifur, e për të raportuar kuturu. Gazetaria do të jetë më e mirë. Edhe gazetaria opozitare nuk ka pse të vuajë në këtë mes. Për të diskredituar qeverinë Rama nuk ka nevojë të kërkosh ndihmën e shpifjeve. Kjo qeveri prodhon vazhdimisht skandale. Dhe nëse dikush i vë vetes si qëllim të merret me këto skandale, nuk do të ketë nevojë e kohë për shpifje.

E prandaj, unë nuk e kuptoj këtë alarm mediatik për dënimin e shpifjeve. Duket sikur gazetarët janë duke thënë: “Jo, ju lutemi, mos na hiqni të drejtën të shpifim, ajo është një e drejta jonë themelore, shpifja është misioni ynë, dhe qeveria po e bën këtë për të sulmuar fjalën e lirë, për të asgjësuar masmedian”????!!!!

Përse ky reagim në këtë kohë. Dhe a është një formë për të shkëputur vëmendjen nga disa përgjime, akuza, kundërpërgjime dhe publikime të tjera për të cilat minimalisht ka dyshime për implikimin e zyrtarëve të lartë politik brenda mazhorancës për afera apo lidhje me krimin?

Ky po që është një diskutim për t’u bërë. Unë kam shumë dyshime se është tamam kështu si thoni ju. Nuk besoj se kryeministri ka motivime të mira në këtë aksion. Se nëse do të kishte qenë ndonjë çikë i shqetësuar nga shpifjet, mund të kishte ngritur padi prej kohësh në adresë të atyre që me demek kanë shpifur për të. Asnjë nuk e ka penguar ta bëjë këtë. Edhe sot që po flasim, ka penalitete për shpifësit. Ata mund të çohen në gjykatë në çdo moment.

E dyta gjë që duhet thënë është një pyetje: Si mund t’i besojmë aksionit antishpifje të një qeverie që ka treguar se nuk di të bëjë gjë tjetër, veçse të fshehë të vërtetën? Si mund t’i besojmë Ramës se e ka merak të vërtetën (sepse aksioni antishpifje këtë synon, apo jo: mbrojtjen e të vërtetës) kur ne e dimë mirë se çfarë ka bërë ai për të fshehur disa të vërteta të mëdha të këtyre kohëve, siç është kanabizimi, apo siç është qëndrimi që ai ka mbajtur ndaj disa denoncimeve që janë provuar se nuk janë shpifje, por që në kohën që janë ngritur, janë konsideruar nga kryeministri si shpifje (ju kujtohet metafora e mushkonjave për të përqeshur avionët e drogës?).

E treta, unë kam frikë se kjo është e gjitha një ushqim për mediat. Nuk them se ligji antishpifje nuk ka për t’u çuar fare në parlament (ndonëse nuk e përjashtoj që të kjo nismë të mbetet në niveli e llafeve), por edhe sikur të bëhet një ligj i fortë, nuk besoj se do të ketë ndonjë padi nga ana e ministrave në adresë të gazetarëve apo të intelektualëve publikë apo të politikanëve opozitarë. Ministrat e Ramës janë njerëzit më të trembur në Shqipëri. Dhe gjëja e fundit që mund t’u shkojë në mendje njerëzve të trembur, është të ngrenë padi ndaj “shpifësve”. Jo për gjë, por kështu do të bënin që shumë gazetarë t’i ndiqnin këmba-këmbës në veprimtarinë e tyre. Dhe dihet se ç’mund të dalë në këto rrethana.

Rama ka një prirje për “kurim imazhi” dhe personazh që e njeh mirë komunikimin publik. A mendoni se pikërisht nga opozita dhe media që denoncojnë raste të dyshimta po i “shembet” linja propagandistike?

Unë nuk e kuptoj këtë nam të Ramës si kurator imazhi. Unë nuk ia njoh këtë meritë. Nuk më duket se mënyra e tij e komunikimit me publikun është ndër më të mirat e mundshme. Batutat e tij që u bëjnë përshtypje shumë njerëzve, përfshirë edhe kolegëve tanë, mua më duken banale e të pashijshme. Po kështu, më duket edhe komunikimi në Facebook me friends-at e vet. Po kështu më duket, në mos më keq, sjellja e tij nëpër studiot televizive. Unë nuk arrij ta ndjek dot atë në një debat me gazetarët. Sjellja e tij më duket fyese. Dhe nuk besoj se një sjellje e tillë mund të shkojë si një “gjetje gjeniale” te zgjedhësit e zakonshëm. Por në këtë pikë nuk është i vetmi. Të gjithë politikanët tanë kanë probleme me komunikimin publik. Nuk di se kush i këshillon. Por kam frikë se nuk i këshillon njeri. Nuk ka asgjë të studiuar në këtë komunikim.

 

Budini: Edi Rama, nga “produkt” i mediave në “xhelat” të tyre?!

Prof. as. dr. Belina Budini, drejtuese e Departamentit të Shkencave Humane dhe Komunikimit në UET

Nisma e kryeministrit Edi Rama për të ashpërsuar ligjin ndaj shpifjes ka prekur drejtpërdrejt median në vend. Përse ky reagim në këtë kohë dhe a është një formë për të shkëputur vëmendjen nga disa përgjime, akuza, kundërpërgjime dhe publikime të tjera të cilat minimalisht ka dyshime për implikimin e zyrtarëve të lartë politikë brenda mazhorancës për afera apo lidhje me krimin?

Momenti kur vjen kjo nismë nga ana e kryeministrit, e nxjerr atë zbuluar si një akt të nxitur nga ndjeshmëritë dhe interesat vetjakë në qeverisje. Në kushtet e një atmosfere publike të ngarkuar me skandale dhe implikime të njëpasnjëshme të deputetëve të mazhorancës apo ministrave të kësaj qeverie, të gjithë po merren në to që nga gazetat e televizionet deri te portalet dhe individët në llogaritë e tyre në rrjetet sociale. Pavarësisht dukurisë së fragmentarizimit ose copëzimit të audiencave, ngjarje me protagonistë vëllezër të ministrave apo djem deputetësh, histori të tilla krimesh dhe bandash, të ndërlidhura me politikën, janë unifikuese dhe tërheqin vëmendjen e të gjithëve. Interpretimet, gjykimet dhe reagimet ndaj këtyre rasteve dhe ngjarjeve janë të pashmangshme dhe të përpiqesh t’i kontrollosh apo të ndikosh perceptimet për to është aq e vështirë sa duket përpara kësaj vështirësie të re, as komunikimet e sofistikuara të PR-it qeveritar nuk kanë funksionuar. Për t’i bërë të efektshme këto komunikime, duket se nuk mjaftojnë më dronët dhe operacionet digjitale, as lidhjet direkte me pronësinë e mediave të informacionit. Nuk mjaftojnë më flirtimet me politikat editoriale të redaksive të lajmeve dhe as imponimi me dhunën e fjalëve nëpër emisione televizive, ku ndodh që shpërthimet verbale të të kthehen në bumerang. Për të gjitha këto arsye, duket se e vetmja rrugë e shkurtër për të marrë një farë kontrolli mbi komunikimet publike, nga ana e qeverisë, ka mbetur shtrëngimi me anë të instrumenteve ligjore dhe shtetërore. Asgjë demokratike në horizont! Kontrolli i komunikimeve me anë të një ligji të ashpërsuar që dënon shpifjen e pretenduar nga qeveritarët dhe njerëzit me pushtet, në një vend ku vetëm ata nuk mund të thuhet se janë të pambrojtur, tingëllon cinike dhe jodemokratike. Pavarësisht teprimeve me lirinë e të shprehurit, ajo është shumë më demokratike dhe e dobishme, sesa ndalimi dhe kontrolli i saj, edhe pse në pushtet lezetojnë më shumë këto të fundit. Një kryeministër që hyri në godinën qeveritare duke hequr kangjellat që e rrethonin, si dedikim ndaj lirisë, është në kontradiktë me një kryeqeveritar që ngre kangjella për informacionin dhe mediat e reja.

 

Sa e prekur është media nëse ky draft i kryeministrit që dënon shpifjen kalon dhe miratohet. A do ketë edhe më shumë një autocensurë nga vetë gazetarët para se të publikojnë shkrime apo materiale komprometuese për qeverinë?

Të prekur janë në radhë të parë qytetarët si individë me të drejtën dhe lirinë për t’u shprehur dhe informuar. Më shumë të drejta, jo më pak, është ajo për të cilën kemi nevojë në një vend si Shqipëria ku ka mbizotëruar ligji i heshtjes për aq shumë kohë dhe me pasoja dramatike. Një rikthim i ligjit që u mbyll gojën politikisht qytetarëve të këtij vendi nën kërcënimin e dënimeve, është një lajm i keq të cilin mediat do të duhet t’ia komunikojnë publikut të tyre. Kjo çështje nuk u përket mediave në vetvete. Nuk duhet konsideruar si temë e mediave për mediat dhe politikën. Ajo është tema e publikut të këtyre mediave, pra e qytetarëve të këtij vendi. Kërcënimi përmes dënimeve për shpifje do të prodhojë jo thjesht vetëpërmbajtje apo autocensurë nga ana e gazetarëve, por më pak hapësira, dritare, apo porta prej nga mund të dalin ca të vërteta dhe perspektiva të ndryshme.

Në një përballje gjyqësore “politikan-gazetar”, me këtë drejtësi që aktualisht kemi, kush është më i favorizuari?

Në kontekstin e një drejtësie ku s’ka fund odiseja e kërkimit të së drejtës së pronës, është primitive jo avangardiste të ndërmarrësh nisma ligjore ndaj fjalës dhe mediave me motivin e teprimit. Është disi e tepërt të besojmë në drejtësi me akuza të politikanëve për shpifje ndaj gazetarëve në një vend ku drejtësinë nuk e gjen jo për imtësi të tilla, por as për tokën me tapi e kadastra e një mal me letra.

Rama ka një prirje për “kurim imazhi” dhe personazh që e njeh mirë komunikimin publik. A mendoni se pikërisht nga opozita dhe media që denoncojnë raste të dyshimta po i “shembet” linja propagandistike?

Do të ishte gjysma e së keqes që kjo nismë e Ramës të ishte thjesht një operacion komunikimi me qëllim kurimin e imazhit, se te ky i fundit, nuk ka asgjë të keqe në vetvete, kur bëhet në forma demokratike dhe të lira. Rama që kam marrë në studim në librin “Edi Rama, politikani pop(ulist)-star”, pavarësisht historisë së përdorjes së mediave prej tij, e ka bërë këtë në një kontekst demokratik dhe në kushtet kur nuk i është dashur të sanksionojë me ligj komunikimet për t’i patur ato në favor. Madje ka qenë një kandidat i mediave, në një farë mënyre, i prodhuar prej tyre, një lloj produkti mediatik sikurse shumë politikanë modernë në botën perëndimore. Dalja e tij tanimë si kryeministër kundër mediave e nxjerr atë në një perspektivë dhe pozicion krejt tjetër, jo thjesht si rival apo konkurrent të tyre në një histori dashuri-urrejtje, por me imazhin e një lideri oriental dhe jodemokratik, si të ishte një xhelat. Po kështu, edhe për sa i përket qasjes ndaj opozitës në linjë institucionale, qasja nuk është demokratike apo perëndimore. Le të urojmë që e gjitha të jetë thjeshtë zhurmë komunikimi për të “kuruar imazhin” e dëmtuar nga mediat, gazetarët apo kundërshtarët.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Dita e parë e UET Polivalent për vitin akademik ‘18-19

Universiteti Europian i Tiranës vjen me pesë fakultete në këtë vit të...
Read More