Edi Rama nuk është aq i fortë sa duket

Nga Ervis Iljazaj

Ndërkohë që priten me kuriozitet emrat e ministrave të rinj të qeverisë Rama dy, duke krijuar herë pas herë dhe spekulime pa asnjë rëndësi, është krijuar ideja se Rama është politikisht më i fortë se asnjëherë më parë. Dhe publikimi i emrave të ministrave të rinj në momentin e fundit, shihet si një shenjë e një njeriu të gjithëpushtetshëm që mund të sillet dhe të veprojë sipas tekave të tij.

Por, e vërteta është se, në këtë mandat, Edi Rama do të jetë në një vështirësi politike shumë herë më të madhe se në mandatin e tij të parë. Të gjitha argumentet që, vendi është në rrezik nga mbipushteti i Edi Ramës, janë të pabazuara dhe pa asnjë logjikë politike. Kjo është mazhoranca më e dobët politikisht që ka patur ndonjëherë Parlamenti shqiptar. Ka tri arsye thelbësore për të cilat Rama duhet të ndihet i shqetësuar edhe pse i vetëm në krye të qeverisjes së vendit.

Pikë së pari, qeverisja e vetme nuk lë vend për asnjë alibi për keqqeverisjen e vendit. Në këtë mënyrë llogaridhënia përballë popullit shqiptar dhe përgjegjësia është shumë herë më e madhe se më parë. Rama e kërkoi këtë dhe shqiptarët i besuan. Tashmë raporti i tij më qytetarë është më delikat dhe me i ndjeshëm se më parë. Bashkëbisedimet me qytetarët që Rama zhvilloi pas fitimit të zgjedhjeve është shenjë e qartë e këtij raporti të ri. Kjo është një nga anët pozitive të qeverisjes së vendit nga një forcë politike e vetme, pasi ndërton një raport demokratik midis vendimmarrjes, përfaqësimit dhe llogaridhënies.

Pikë së dyti, në këtë mandat parlamentar, opozita do të jetë e fortë në numra dhe në cilësi politike si asnjëherë më parë. Mazhoranca e Ramës është më e brishtë seç është krijuar përshtypja. Duke marrë parasysh që me konfirmimin e tij në krye të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili është një lider politik gjithmonë e më shumë në ngjitje drejt pushtetit, beteja e tij politike, që kësaj herë do të zhvillohet për herë të parë brenda Parlamentit, me shumë mundësi do të jetë më e bindur dhe më efikase. Beteja opozitare do të jetë më e ashpër se ajo e mandatit të kaluar, duke krijuar një tension politik që nuk është lehtësisht i menaxhueshëm nga mazhoranca.

Pikë së treti, në krye të institucionit më të rëndësishëm të vendit, tashmë gjendet Ilir Meta. Një rival historik brenda të majtës me Edi Ramën. Përtej kompetencave që ka Presidenti i Republikës, të cilat i janë reduktuar ndjeshëm, personaliteti politik i Metës kalon përtej rolit institucional të tij. Pesha dhe karizma e tij politike do të vazhdojë ende të ndihet brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim. Me siguri, Ilir Meta nuk do të jetë një kafshatë e cila do të kapërdihet lehtë nga mazhoranca parlamentare. Shpeshherë roli i Presidentit brenda sistemit politik dhe rendit kushtetues, varet nga personi dhe personaliteti politik që ndodhet në krye të tij dhe, jo nga kompetencat që i ngarkon Kushtetuta.

Për të gjitha këto arsye, gara politike që pritet të zhvillohet nga Shtatori e më tej, nuk do të jetë aspak një shëtitje për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste. Megjithatë kjo situatë është më se pozitive për demokracinë dhe sistemin politik shqiptar në përgjithësi.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Hani më shumë e mos kopjoni miqtë

Keni ulur numrin e kalorive, po stërviteni aq sa shoqja më e...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.