Edicioni i katërt i Çmimit Kadare: Kim Mehmeti do jetë kryetar jurie, ja anëtarët

Gjatë promovimit të romanit më të ri të Kim Mehmetit është shpallur edhe juria e edicionit të katërt të çmimit letrar Kadare, që këtë vit do të kryesohet nga shkrimtari Kim Mehmeti, ndërsa anëtarë janë Genciana Abazi, Ledia Dushi, Agim Baçi dhe Eni Vasili.

Vitin e kaluar çmimi i parë i këtij konkursi i shkoi autorit nga Kosova Musa Ramadani.

Ky çmim është pjesë e nismave jofitimprurëse të Institutit Europian Pashko për nxitjen dhe mbështetjen e letërsisë së re shqipe dhe autorëve shqiptarë.

Ky është një projekt jetëgjatë që krahas të tjerave  gjithashtu synon edhe nxitjen e kritikës letrare shqipe.

Çmimi Kadare është krijuar posaçërisht për inkurajimin e autorëve të rinj, ku çdo vit vijnë rreth 40 dorëshkrime nga autorë të ndryshëm, ndërsa fituesi botohet dhe mbështetet me një fushatë komunikuese e marketingu, duke nisur prej muajit maj kur edhe shpallet çmimi.

Çmimi letrar Kadare nxit edhe shkrimin e veprave të tjera për konkursin e radhës. Ka edhe nga ata shkrimtarë pjesëmarrës të cilëve u është botuar vepra në kolanën e Mapo Editions. Në katër vite traditë të këtij çmimi është nxitur shkrimi i më shume se 100 vëllimeve në prozë të gjatë, që vjen si kontribut për letërsinë shqipe.

Fundjava e fundit e muajit maj është shndërruar kështu në një Festë të Letërsisë, kur krijohet një mjedis letrar me të rinj, dashamirës të letërsisë, shkrimtarë e kritikë.

Në nismat për mbështetje  të letrave shqipe ku Universiteti Europian i Tiranës është i angazhuar është edhe suplementi i përjavshëm “Mapo Letrare”, ku prej  5 vitesh është krijuar një rrjet me kritikët  dhe shkrimtarët më të mirë vendas si Preç Zogaj, Diana Çuli, Luljeta Lleshanaku, Rudolf Marku, Gentian Çoçoli, Agim Baçi, etj.

Gjithashtu po përgatitet çelja e degës së studimeve në Letërsi në UET me theks në shkrimin krijues.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Njoftimi: Autostrada Tiranë-Durrës do jetë e hapur në fundjavë

Për të gjithë kryeqytetasit që kanë vendosur që vapën e fundjavës ta...
Read More