Edona Bala; Në magjinë e teatrit të kukullave

 

Kukullat janë pjesë e historisë dhe jetës sonë të përditshme. Në forma të ndryshme ato arrijnë të joshin mosha të ndryshme, ndërkohë që përfaqësojnë zakone dhe tradita të vlefshme e edukative. Janë zbavitëse dhe magjepsëse…

Kështu mendon Edona Bala, studentja e Universitetit Europian të Tiranës, e cila e mbrojti diplomën e saj në  degën e Komunikimit dhe Dizajnit, pikërisht me  historinë shqiptare të teatrit të kukullave. Një punim që tregon sesi ato copa druri, stolisur me veshje e bojëra marrin jetë e komunikojnë mesazhe të rëndësishme  e na marrin me vete në botën e tyre magjike, fëmijë e të rritur…

Ti je studente e Komunikim Dizajnit në UET, si të lindi ideja e këtij punimi diplome që lidhet pikërisht me Teatrin e Kukullave?

Fillimisht ishte sugjerim i pedagogut udhëheqës. Isha e vetmja studente që e mora përsipër pavarësisht se ishte një temë për të cilën nuk kishte pasur studime të shumta dhe informacionet ishin të pakta. Duke filluar kërkimet u binda që ishte zgjedhja e duhur.

Gjatë hulumtimit tënd, si e vërejte dhe krijove bindjen për formën e komunikimit të teatrit të kukullave?

Arti në përgjithësi ka ekzistuar që përpara se njerëzimi të mund të komunikonte me fjalë. Pra, përpara se njeriu të mund të fliste ai kishte aftësinë të shprehej nëpërmjet formave të ndryshme të artit. Një nga këto është edhe teatri me kukulla.

Thuhet se ka lindur që ne prehistori kur njerëzit e shpellave arritën të vërenin një fenomen që i mahniti dhe i bëri kureshtarë; atë të shfaqjes së hijeve në mure. Kështu filluan të krijonin forma të ndryshme me anë të duarve dhe lindën në këtë mënyrë shfaqjet e para me kukulla. Kukullat janë pjesë e historisë dhe jetës sonë të përditshme.

Në forma të ndryshme ato arrijnë të joshin mosha të ndryshme, ndërkohë që përfaqësojnë zakone dhe tradita të vlefshme e edukative. Janë zbavitëse dhe magjepsëse. Fëmijët arrijnë të besojnë dhe po ashtu të gjejnë veten te kukullat. Ata arrijnë të futen dhe të eksplorojnë një botë kreative që kukullat i krijojnë.

Si komunikon arti me publikun, çfarë mesazhi social përcjell ai dhe pikërisht teatri i kukullave?

Në teatrin e kukullave mund të shohësh në skenë çdo gjë të krijuar nga fantazia e njeriut. Çfarëdo që kukulla të bëjë në dorë të mjeshtrit ajo gjithmonë mbetet njerëzore. Teatri bashkëkohor e mëson fëmijën të jetë human. Në shfaqjet e tij i paraqet heronj dhe ngjarje që e ndihmojnë atë të mësojë se ç’është e mira dhe e keqja. Në shfaqje satirike i paraqet të rriturit anën qesharake të të metave të tij dhe e bën atë të mendojë dhe të kuptojë, të qeshë dhe gjykojë.

Duke qenë se ka edhe një target grup, moshat e reja, çfarë vure re , sa të kujdesshëm janë në përcjelljen e mesazheve pa ekuivoke, apo edhe nëse është përdorur si formë propagande për brezat e rinj në të kaluarën?

Në vende të ndryshme të botës teatri me kukulla ka target grup të rriturit. Mund t’ju përmend teatrin e marionetave në Salzburg, i cili jep shfaqje operistike për të rritur. Po ashtu në periudha të ndryshme kohore është përdorur për qëllime përtej zbavitjes. Për shembull, kishat katolike i kanë përdorur kukullat për të përçuar mesazhe fetare.

Megjithatë, në vendin tonë është synuar kryesisht publik i moshave të reja. Shfaqjet kanë pasur gjithmonë qëllim edukimin e fëmijëve me norma që kane ekzistuar në shoqëri në periudhën e caktuar kohore, pavarësisht se sa të gabuara mund të kenë qenë këto norma. Duke qenë se ka pasur historikisht publik të moshave të reja dhe nuk i është dhënë rëndësia e duhur, teatri i kukullave ka qenë ndër format e artit më pak të censuruara gjatë viteve të komunizmit.

Gjate këtyre viteve viheshin në skenë shfaqje të huaja dhe kishte elementë artistike të njëjtë me vendet e tjerë të botës. Në teatrin e kukullave punonin piktorë të shkolluar në perëndim dhe me ose pa qëllim kishin sjellë elementë modernë në këtë art. Pra, mund të them se është ndër artet që janë përdorur më pak për propagandë.

Nëse mundesh të na rrëfesh shkurtimisht rrugëtimin tënd në këtë punë, sa të është dashur të kërkosh, ku je drejtuar, cilat teatro ke marrë në shqyrtim, sa të hapur dhe bashkëpunues janë treguar me ty institucionet? Je fokusuar vetëm në të shkuarën apo edhe në punën e tashme të teatrit të kukullave?

Pavarësisht se kam pasur ndihmë nga punonjësit e teatrove dhe bibliotekave, informacionet kanë qenë të pakta dhe kam hasur në vështirësi të shumta. I jam drejtuar fillimisht teatrit të kukullave në Tiranë ku kam marrë informacion, por jo mjaftueshëm sa për të lehtësuar punën time. Po ashtu, kam marre në shqyrtim teatrin e Shkodrës, nga ku kam marrë materiale nga arkivat.

Më pas, kam kërkuar libra në biblioteke. Te gjithë punonjësit e institucioneve janë treguar bashkëpunues dhe të gatshëm të ndihmojnë pavarësisht se materialet janë të pakta. Në punimin tim jam fokusuar më tepër në të shkuarën e teatrit të kukullave, por gjithashtu më ka interesuar edhe e tashmja dhe e ardhmja e tij.

Ndërsa kërkoje në arkiva a ishte edhe një rikthim për ty në fëmijëri? Çfarë të ka lënë më shumë mbresa? A t’u duk vetja pak si Edona në botën e kukullave?

Sigurisht më kujtonte shumë elementë të fëmijërisë sime, pavarësisht se nuk ka qenë shume i pranishëm në të. Megjithatë teatri i kukullave i ka paraprirë filmave të animuar që kanë po ashtu të njëjtin qëllim dhe funksion si ai. Më ka lënë mbresa i gjithë historiku i tij dhe mënyra sesi kukullat krijoheshin nga artistët dhe se si viheshin në skenë në mënyra të ndryshme nga aktoret.

Punoheshin me shumë dashuri nga piktorë që nuk ishin aq të njohur për njerëzit dhe viheshin në skenë nga aktorë, të cilët nuk e shfaqnin fytyrën e tyre te fëmijët. Bukuria e këtij arti qëndron edhe te misteri që përmban në vetvete për fëmijën edhe te fakti që arrin të përçojë mesazhe të rëndësishme sociale dhe të edukoje përmes zbavitjes.

Përpos temës së diplomës, ke digjitalizuar arkivat e Teatrit të Kukullave në Tiranë dhe në Shkodër, është një punë që e ke bërë e shtyrë vetëm nga pasioni besoj, apo jo? Si ndjehesh që ke vënë në pah punën e artistëve që shpesh edhe nuk janë reklamuar shumë të fshehur nga ana tjetër e perdes duke u dhënë jetë personazheve?

Është një punë që e kam bërë me shumë dëshirë pavarësisht se ka qenë edhe e lodhshme në momente të caktuara. Megjithatë, më bën të lumtur fakti që në një farë mënyre kam arritur të kontribuoj sadopak në njohjen e rëndësisë së teatrit të kukullave dhe të vlerave të artistëve që kanëpunuar ndër vite në të.

A ke në plan ta botosh këtë punim diplome? Për t’u shërbyer brezave të tjerë ose atyre që duan të bëjnë studime edhe më të thelluara mbi këtë?

Për momentin nuk e kam menduar ta bëj, por edhe mund ta konsideroj.

Po në studimet Master ke në plan të bësh punime të ngjashme me këtë ?

Është një teme për të cilën kam pasur rastin të marr shumë njohuri, prandaj mendoj se edhe mund t’i thelloj këto njohuri më tepër në studimet Master.

Si mendon se lidhet profesioni yt, ku sapo je diplomuar me fusha të tjera, siç është edhe kjo e artit skenik përshembull?

Duke pasur parasysh formimin tim akademik në dizajn grafik dhe multimedia si: teori ngjyre, kompozicion, aplikime digjitale, videoart , etj. Besoj te aftësitë e mia artistike dhe profesionale për të përkthyer një vepër letrare ose një skenar (pjese teatrale) në koncepte skenike. Metodat bashkëkohore të skenografisë si videoprojeksioni, videomaping, si dhe aplikimet e ndryshme digjitale lidhen më së miri me artin skenik.

Shkruar Nga
More from Redaksia

13 gjërat që Nicole Kidman dhe Tom Cruise kanë thënë për martesën e tyre të mëparshme

Para se Nicole Kidman të gjente dashurinë me bashkëshortin Keith Urban, aktorja...
Read More
CLOSE
CLOSE