Efektet e ‘Big Mac’

Pakti Rama-Basha pritet të kthejë përmbys realitetin politik ose do të rikonfirmojë fuqinë prej kingmakeri të LSI apo partive të tjera, por ndryshimi i mënyrës si partitë futen në zgjedhje është një shenjë për mënyrën si do qeveriset vendi. Fituesi i zgjedhjeve në shtator do të ketë mundësinë të fillojë negocimin me BE, ndërsa do të nisë  reforma kushtetuese, zgjedhore dhe ndryshimi thelbësor teknologjik në mënyrën e votimit

Nga Vladimir Karaj

Akuzat politike që PD dhe PS shkëmbejnë çdo ditë u rrëgjuan dje në një postim të ish-kryeministrit Sali Berisha për thërrmimin e disa shkëmbinjve në vendin e njohur si “Sofra e Skënderbeut” në Librazhd. Nga ana e tij, kryeministri vijoi humorin me çadër që gjasme jepej me qira. Zbutja e menjëhershme e toneve mes dy partive kryesore është shoqëruar me një LSI superaktive. Presidenti i zgjedhur Ilir Meta, kreu i LSI Petrit Vasili dhe Monika Kryemadhi, por edhe përfaqësues të tjerë të kësaj force ishin aktivë të ironizonin marrëveshjen dhe qëllimet e saj. Aktivë kanë qenë edhe aleatët e PD, të cilët ende nuk i kanë humbur shpresat për një përfaqësim në listat e kësaj të fundit, megjithëse nuk janë shfaqur të kënaqur me formulën që i minimizon përfitimet e tyre.  Ndërsa priten ende emrat e ministrave të rinj që PD do të propozojë dhe konkretizimi i marrëveshjes me votimin në kuvend të komisioneve të vettingut dhe ndryshimeve të tjera, ende është e paqartë plotësisht se cilat janë llogaritë e palëve dhe kush realisht do të përfitojë.

Derë e hapur negociatash

Të vetmit që e shohin situatën si një fitore të arritur janë përfaqësuesit ndërkombëtarë të angazhuar në negociata. Edhe pse ishin “të mërzitur” të paktën me opozitën nëse iu referohesh deklaratave të fundit nga Brukseli dhe Uashingtoni apo Berlini, figurat kyçe të BE dhe përfaqësi të tyre në Tiranë, përshëndetën si një fitore të madhe arritjen e marrëveshjes mes palëve.  Ata presin tani avancim të shpejtë në procesin e krijimit të komisioneve që do të kryejnë vettingun dhe më pas edhe vetë procesin e verifikimit të gjykatave. Me anë të një letre të përbashkët, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini dhe Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn kanë nënvizuar se liderët politikë iu përgjigjën pritshmërive të qytetarëve duke treguar pjekuri politike.

Për ta, ky ishte një hap i parë shumë i rëndësishëm, por Mogherini dhe Hahn presin që kjo marrëveshje të implementohet për të përgatitur zgjedhjet në linjë me standardet ndërkombëtare. Për dy përfaqësuesit e Komisionit Europian, veç zgjedhjeve, rëndësi të madhe ka dhe arritja e marrëveshjes për vettingun. “Duke qenë se votimi në Parlament i komisioneve të vettingut është pjesë e marrëveshjes, ne përsërisim rëndësinë e një implementimi solid dhe të besueshëm të procesit të vettingut, i cili është kyç për progresin në rrugën e anëtarësimit në BE”, lexohet në letër.

Fjalë mjaft të mira kishte edhe SHBA që përmes ambasadës në Tiranë i lavdëroi si liderë të përgjegjshëm Edi Ramën dhe Lulzim Bashën, të cilëve u dha edhe një “bravo”. Qasja e ndërkombëtareve ndaj marrëveshjes me gjithë lodhjen dhe ecejaket që palët u sollën atyre është me gjasë një sinjal se dera për negociatat është tani e hapur. Me gjasë, nëse reformat nuk pengohen në vijim, qeveria që del në shtator do të ketë mundësinë të fillojë negocimin me BE, ndërsa vendi avancon në një proces që shumica e shqiptarëve e mirëpresin prej vitesh.

Big Mac, PS vs PD

Në faqen zyrtare të Mc Donalds “Big Mac” që Rama i përmendi opozitës menjëherë pas arritjes së marrëveshjes është një hamburger me dopjo qofte. “E përsosura fillon me dy pjesë pak të djegura bifteku njëqind përqindësh për të të lëshuar goja lëng, i futur mes bukës me susam, djathit amerikan, sallatës jeshile dhe kastravecëve turshi”, shkruhet aty. Rama e përdori këtë batutë për të shpjeguar ndryshimin mes asaj që ai i kishte ofruar PD-së krahasimisht me atë që u quajt “Paketa Mcallister+” për nder të eurodeputetit gjerman David McAllister që e propozoi së pari, një zgjidhje të tillë. Rama supozohet që i ka ofruar PD shumë më shumë se sa kishte në paktën e parë, me gjasë në këmbim të një date zgjedhore më të afërt dhe ajo që duket edhe më e rëndësishme, daljen e forcave politike jashtë koalicioneve për të garuar secila më vete.

Dy gjëra besohet të ketë arritur kryeministri përmes kësaj marrëveshjeje. E para, ai pritet të maksimalizojë numrin e deputetëve që PS merr me rezultatet e saj zgjedhore. Në koalicion PS-së do t’i duhej të lëshonte shumë për aleatët, ndërsa jashtë tyre si forca më e madhe politike në vend, nëse këtë e ruan edhe në zgjedhje, PS pritet të dalë me disa deputetë më shumë. Llogaritë sipas votave të mara në 2013 i japin asaj diçka mes 70-73 deputetëve, duke e bërë formal çështjen e koalicionit paszgjedhor duke e shpëtuar teorikisht nga presioni i LSI dhe PDIU për ndarje të pushtetit. Kjo sidoqoftë mbetet një llogari që Rama e ka bërë vetëm me veten. E dyta arritje për Ramën është heqja e mundësisë që opozita të mos njohë zgjedhjet. Përfshirja e PD-së në të tilla nivele të administrimit zgjedhor e bën të pamundur kontestimin e rezultatit nëse zgjedhjet bëhen normale. Duke e parashikuar veten fitues Rama duket se nuk do donte të kishte një fitore të kontestuar. Në këtë lexim “Big Mac” duket si një llokmë për të mbyllur gojën që i jepet PD-së. Një ndër kritikët e marrëveshjes, i cili favorizonte linjën radikale, analisti Armand Shkullaku e cilësoi pak a shumë atë si diçka të tillë, duke thënë se PD nuk do kishte mundësi të kontestonte zgjedhjet.

“Republika e re”, PD vs PS

Sidoqoftë ai do të ketë një sfidë të vështirë për të konfirmuar këto “fitore”. Në krahun tjetër ata që qeshën me sloganin e PD-së për “Republikë të Re” do duhet të konstatojnë se ajo ka filluar. Thjesht edhe vetëm ndryshimi i mënyrës si partitë futen në zgjedhje është një shenjë e një ndryshimi jo të vogël për mënyrën si qeveriset vendi. Ndërkohë marrëveshja ka parashikuar që në shtator vendi të angazhohet në Reformë Zgjedhore, kushtetuese dhe një ndryshim thelbësor teknologjik në mënyrën e votimit. Se çfarë mund të përfshijnë këto ndryshime mbetet ende e paqartë, por PD do e luajë këtë si kartën e një “Republike të re”.

Përndryshe PD mburret se edhe pse një opozitë e vogël në Kuvend ia doli të imponohet edhe pse jo me forma fort tradicionale dhe shumë të kritikuara. E sulmuar deri në momentin e fundit nga i gjithë faktori i interesuar ndërkombëtar PD ishte në prag të stigmatizimit si forcë antiperëndimore, por ia doli jo vetëm të shpëtojë nga ky etiketim, por edhe të marrë një pjesë të rëndësishme të qeverisë. PD i shpëtoi edhe sulmit të Ramës se ishte e frikësuar nga vettingu dhe se po bllokonte enkas këtë, duke i hequr kryeministrit një kartë të fortë në fushatë. Ajo shkon me shpresë në zgjedhje, që përndryshe dukeshin të fituara në tavolinë prej Ramës, Metës dhe Idrizit. Prishja e koalicionit të këtyre forcave i jep mundësi PD të rithithë anëtarësi e votues të humbur në 2013. Nga ana tjetër, ajo ka një sy në qeverisje, që supozohet si i jep më shumë garanci për votën. Zërat në favor të saj e panë marrëveshjen nga ana tjetër, si një kartë elektorale mjaft të vlefshme. Përtej konfirmimit të Lulzim Bashës si lider, PD do përdorë fort kanabizimin apo dekriminalizimin, që me marrëveshjen sipas saj u pranuan edhe prej shumicës.

Hakmarrja e ftohtë PS plus PD, kundër të vegjëlve

I zgjedhur president, detyrën e merr në korrik, Ilir Meta ishte i paqetë dy ditët e fundit edhe pse ndryshe nga forcat e tjera ta vogla që e kanë shprehur dukshëm dëshpërimin për marrëveshjen dhe faktin që kjo e fundit i dëmton deri në shkatërrim, ai foli me besim se LSI të cilën ai ia ka besuar Petrit Vasilit dhe bashkëshortes Monika Kryemadhi, do ishte forcë e parë. “Së pari dua t’u siguroj se LSI është sjellë në mënyrën më të përgjegjshme për të parandaluar përshkallëzimin e kësaj krize dhe ka qenë forca e parë që ka insistuar për dialog dhe ka qenë e gatshme për të kontribuar për zgjidhje politike. Tani e kemi qeverinë e besimit, kështu që LSI ka qenë e gatshme për t’i dhënë të gjitha ministrisë, sepse e dini që LSI e ka fuqinë te rinia nuk e ka te ministritë”, -tha Meta dje. Në vazhdën e disa deklaratave që anëtarë të kësaj force bënë publike. Rikthimi i skemës së 2009, në një situatë tjetër mund të rezultojë njësoj për PS dhe PD, por ndërkohë të vegjlit janë realisht të shqetësuar. Tashmë ata nuk kanë as mundësinë për të bashkuar votat e tyre në përpjekje për të nxjerrë deputetë. Shumë parti as do kenë mundësinë të garojnë, ndërsa mjaft të tjera mund të dalin me rezultate shumë më të këqija. Se çfarë e shtyu Ramën dhe Bashën drejt kësaj skeme veç llogarive të pastra elektorale për të mos ndarë pushtet, duket se është edhe qasja që aleatët patën ndaj krizës. Baton Haxhiu tha në “Opinion” se Rama ishte ndjerë i rrethuar dhe tradhtuar prej aleatëve që e shtrëngonin të pranonte kushtet e PD-së dhe në këtë situatë vendos të kundërveprojë duke risjellë në mendje skemën që synon të neutralizojë peshën elektorale të të vegjëlve. PD do ta ketë më të sikletshme këtë pjesë. Ata që e mbështetën në çadër kërkojnë prej saj një shpagim dhe me gjasë PD po shkon drejt dy mundësish që i bëjnë zgjedhjet edhe më interesante. Ajo mund të përfshijë në listat e saj të paktën pesë aleatë ose mund të arrijë të paktën që gjashtë forca satelite t’i bashkohen asaj për të garuar në një sigël. Kjo duket si një zgjidhje taktike që i jep më shumë deputetë opozitës, duke e bërë atë një kërcënim real për Ramën dhe PS, e cila nuk i ka mundësitë e këtyre zgjedhjeve taktike, ndërsa ka të paktën dy forca të majta që mund ta dëmtojnë me votat që mbledhin në qarqe të ndryshme. Nga ana tjetër, kjo zgjedhje e PD mund të lexohej prej PS si agresion ndaj marrëveshjes edhe pse nuk duket e mundur që ta kontestojë atë. Nga ana tjetër, aleatët e PD që do pranonin këtë zgjidhje do të dilnin gati krejtësisht prej lojës duke mos garuar si forca më vete dhe duke u shkrirë në PD.

LSI dhe PDIU duken më të idhnuarat prej procesit. Ato nuk do jenë në koalicion, por mbeten forca që do të sfidojnë për deputetë jashtë tyre. LSI mund të përsërisë atë që bëri në 2009, duke u kthyer sërish e domosdoshme për qeverisjen, ndërsa PDIU mund të shpresojë të njëjtën gjë edhe pse mund të minimizohet në numra deputetësh. Meta tha se do të kishte surpriza dhe ka zëra që aludojnë deri për dorëheqjen e tij nga presidenca edhe pse kjo duket absurde, por se si do të shpërfaqen këto duhet të presim javën që vjen, deri atëherë shqiptarët mbeten gojëhapur prej marrëveshjes që ka shkundur politikën dhe që mund të ndryshojë krejtësisht skenën.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Rama, shqiptarëve: Shijojeni ekspozitën e silluni mirë!

Nga dita e sotme deri më 2 prill, Galeria Kombëtare e Arteve,...
Read More