Efektet e Reformës në Drejtësi filluan, tani është radha e reformës politike

Nga Ervis Iljazaj

Arrestimi i Habilajt nga autoritetet ligjzbatuese të shtetit tonë fqinj Italisë, ka tronditur opinionin publik dhe politikën shqiptare për faktin se në dosjen e arrestimit dhe nga përgjimet e zhvilluara nga policia italiane, lakohet dhe emri i ish-ministrit të rendit si i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.

Ky nuk është një thashethem i çfarëdoshëm që jemi mësuar shpesh të dëgjojmë në seancat parlamentare, thjesht për konsum politik të ditës. Por, bëhet fjalë për investigime të autoriteteve të shtetit fqinj, të cilat kanë kohë që kanë vënë nën vëzhgim këtë grupim kriminal.

Prandaj, të gjitha këto indicie duhet të merren seriozisht nga organet përkatëse shqiptare për të zbardhur të vërtetën deri në fund.

Me këtë qëllim, duhet të jetë vetë ish-ministri që duhet të zhvishet nga imuniteti parlamentar për t’u vënë në dispozicion të organeve të drejtësisë. Vetëm në këtë mënyrë do të ketë një rezultat të gjithë kësaj historie që ka tronditur dhe shqetësuar opinion publik.

Të gjitha ngjarjet e fundit, për sa i përket kriminalitetit, janë padyshim pasojë e presionit ndërkombëtar, në veçanti SHBA-së, por sidomos këto janë efektet e para të Reformës në Drejtësi që sapo kanë filluar. Tashmë e vetmja gjë që ka mbetur është reforma politike. Në kuptimin që, e keqja më e madhe në këtë drejtim është pikërisht burimi, dhe burimi është vetëm politika. Pa këtë reformë drejtësia e ka të pamundur të luftojë këdo. Me reformë në politikë, duhet të kuptojmë financimin e partive, rolin e deputetit apo sistemin dhe reformën zgjedhore.

Prandaj, nëse nuk fillohet me këtë reformë, të gjitha këto raste do të ngelen në tentativë.

Është e rëndësishme që rasti në fjalë, dhe lufta ndaj kriminalitetit mos të ngelet siç ndodh shpeshherë në këto raste, si një propagandë politike.

Çështja në fjalë është alarmuese, nëse përgjimet apo akuzat ndaj ish-ministrit vërtetohen.

Mirëpo, që e vërteta të zbardhet duhet të funksionojnë një sërë mekanizmash shtetërorë. Duke filluar që nga prokuroria e deri te polici më i thjeshtë. Sepse krimi nuk luftohet me batuta politike, për faktin se nuk është as fenomen vetëm shqiptar dhe nuk ka as ideologji politike.

Marrëdhëniet e krimit me politikën janë të hershme në politikën shqiptare. Lufta ndaj tij, nuk është zhvilluar deri në fund, pikërisht për faktin se asnjëherë nuk ka patur një vullnet politik dhe angazhim të të gjitha institucioneve përkatëse që e kanë për detyrë atë.

Sepse ekziston rreziku, që pas disa ditësh, siç ka ndodhur përherë, çështja e krimit dhe lidhjet e tij me politikën të rreshtin së qeni në vëmendje të opinionit publik, pasi të ketë konsumuar debatin politik të ditës.

Kështu ndodh kur kriminaliteti përdoret si kartë elektorale dhe jo si një shqetësim serioz dhe problematik që duhet të përballohet me të gjitha mjetet e nevojshme, duke shkuar te shkaku i tij.

Lidhja e politikës me krimin në Shqipëri është një çështje sociologjike që kalon përtej emrave konkretë politikanësh apo episodeve sporadike që dalin media.

Është një fenomen tipik i shoqërive ku marrëdhënia e politikës dhe shoqërisë është personale dhe jo institucionale. Duke qenë e tillë, votat kërkohen nëpërmjet këtyre marrëdhënieve dhe jo sipas bindjeve apo parimeve që duhet të lidhin normalisht një shoqëri me klasën politike të saj. Prandaj, politika ka gjithmonë nevojë për të fortin e lagjes, të qytetit apo të zonës për të siguruar këtë lidhje në mënyrë të dhunshme apo me mjete të tjera.

Në këtë kuptim, lufta ndaj këtij fenomeni është më së pari, një betejë kulturore dhe ndërgjegjësimi për të reformuar më së pari mendësinë e qasjes ndaj tij.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ja 25 deputetët me më shumë të ardhura, kryeson Tom Doshi

Tom Doshi ka vijuar të jetë deputeti me më shumë të ardhura...
Read More