Efekti “Anxhelina Zholi”: Pse na trazon kaq shumë vdekja e Adelajdës

Vdekja e gazetares Adelajda Xhamani nxjerr në pah një problem që nuk diskutohet shumë në vendin tonë, por që është kthyer në diskutimin e ditës në median e huaj

Nga Enton Palushi

Vdekja e gazetares dhe konkurrentes së Big Brother, Adelajda Xhamani, ka nxitur një valë shkrimesh, komentesh dhe statutesh në mediat sociale. Mes tyre gjen hartime e patetizma, por në përgjithësi duhet thënë se vala që ka ngritur vdekja e 31-vjeçares ka prekur disa tema të rëndësishme për një shoqëri. Nëse do i kategorizoje reagimet pas vdekjes së saj, pak a shumë mund të thuhet se ato ndahen në katër të tilla:

Të parët janë ata që ankohen se ky lajm e ka shtuar dëshpërimin e tyre për jetën, se në këtë vend dëgjon vetëm lajme të këqija, se Adelën e vrau shoqëria, se ky vend nuk bëhet, se duhet t’ia mbathësh nga këtu etj.

Të dytët janë ata që vdekjen e një vajze të re e shohin si një ‘justifikim’ për të shijuar akoma më shumë jetën, se nuk i dihet se çfarë ndodh pasi jeta është e shkurtër.

Të tretët janë ata që thonë se Adela ishte një vajzë që luftoi shumë për të arritur deri këtu, por se u përball me vështirësi të shumta, sidomos për shkak të mentalitetit. U largua nga provinca, por gjeti një ‘provincë’ në Tiranë.

Të katërt janë ata që theksojnë sidomos faktin se ajo besonte në Zot, duke shtuar se pavarësisht se njeriu mund të vrapojë pas famës dhe kënaqësive të momentit, sërish lumturinë e vërtetë e gjen pranë njerëzve të saj të dashur.

Jeta e bukur është aty pranë familjes tënde, pranë frymës tënde, me dashurinë tënde, me bashkëshortin, të fejuarin, me dashurinë e jetës sate. Lumturia është aty në fshatin tënd, në lagjen tënde, në katundin tënd, në cepin tënd ku frymon. Jeta e bukur është aty ku frymon prindi yt, aty te pemët e lagjes apo të bahçes tënde ku kalojnë zogjtë, qentë, macet, të njohurit dhe të afërmit që të njohin dhe të duan të gjithë, shkruante Kreshnik Osmani në një opinion në Mapo. Shkrimi u kthye në viral shumë shpejt, dhe siç thotë neuroshkencëtarja Molly Crockett, postimet për çështjet e moralit janë ato që nxisin më shumë debat, por edhe revoltim në rrjetet sociale. Këtë e provoi edhe vetë Osmani, që thotë se mbeti i habitur nga fyerjet dhe llumi që u hodh ndaj tij.

Megjithatë, pavarësisht këtyre debateve, sërish më pak i analizuari mbetet ai që nxit kuriozitetin e të gjithëve: Shkaku i vdekjes së Adelajdes.

***

Për mua ajo vajzë kishte shumë për të thënë, por nuk e lanë ta thoshte. Kështu e komenton mjekja Teuta Kamberi Alizoti valën e spekulimeve online për vdekjen e gazetares dhe ish-konkurrentes së Big Brother, Adelajda Xhamani. Një njoftim i shkurtër policie, ku theksohej se ajo vuante nga epilepsia, ka nxitur mediat që të shkruajnë se ky është shkaku i vdekjes. A bëri gabim policia? Mjekja thotë se ato që shkruajnë mediat, janë pallavra.

Shikoni se mos dikush tjetër ka qenë shkaktar i vdekjes. Ajo jetonte vetëm dhe policia tha se nuk kishte shenja vrasjeje, shton ajo.

Të spekulosh për vdekjen nuk është aspak etike, por ky nuk është qëllimi i këtij shkrimi. Shkaku i vdekjes së saj duhet të zbardhet plotësisht për shkak të tronditjes që ka shkaktuar tek opinioni publik. Mjekja në fjalë mund të mos e ketë thënë, por të gjithë ata që vuajnë nga epilepsia, ose do kenë vërshuar te mjekët, ose do jenë terrorizuar nga ideja se një ditë mund të përfundojnë papritur të vdekur.

Një mjeke neurologe para disa kohësh thoshte se kur publicisti Ardian Klosi vrau veten, pati një dyndje të pazakontë nëpër klinika dhe spitale. Me qindra persona të prekur nga sëmundje të lehta e të rënda mendore, kishin vetëm një pyetje që u ‘lundronte’ në mendje: A mund të shkojmë edhe ne drejt një akti kaq ekstrem?

Pikërisht ky është edhe problemi pak i diskutuar. Personazhet e njohur të politikës, medias, skenës dhe ekranit, kanë një ndikim shumë të rëndësishëm në jetën tonë. Edhe kur ndërrojnë jetë…

***

Ata ndikojnë te mënyra se si mendojmë, si vishemi, çfarë blemë, çfarë konsumojmë etj. Por personazhet publike kanë një rëndësi të jashtëzakonshme sidomos kur bie fjala te ndërgjegjësimi. Ironia është se nëse u hedh një si mediave rozë perëndimore, do të shohësh se jeta e protagonistëve është e mbushur me sëmundje, varësi, seks, drogë, dhunë etj. Kurse nëse i hedh një sy mediave rozë në Shqipëri e Kosovë, do të shohësh të kundërtën. Yjet kanë të bukur talentin, shtëpitë e makinat, por jeta e tyre është po kaq sfiduese.

Për këtë arsye, studiuesit kanë folur për të ashtuquajturin “Efekti Anxhelina Zholi”. Pasi aktorja e njohur foli hapur për problemet e saj me kancerin e gjirit, ndërgjegjësimi për këtë sëmundje u rrit ndjeshëm. Kështu ndodhi edhe kur Ben Stiller foli për problemet e tij me kancerin e prostatës, kur Adele foli për traumën post-lindje, kur Ben Affleck foli për varësinë e tij ndaj alkoolit etj.

Sepse siç thotë psikologu i shquar Albert Bandura, njerëzit janë më të prirur që të luftojnë problemet e tyre kur shohin një shembull të prekshëm nga dikush tjetër, sesa kur u thua me fjalë se mund të fitojnë betejën. Dhe kur ai dikushi tjetër është një personazh i famshëm, gjërat bëhen më të lehta.

***

Adela nuk foli kurrë për problemet e saj me shëndetin dhe për këtë askush nuk ka të drejtë ta paragjykojë. Por personazhet e famshëm duhet ta përdorin këtë jo si një moment për hartime e lot, por edhe për ndërgjegjësim. Në vend që të ‘pikturojnë’ në media një jetë kaq ideale, le të flasin ndonjëherë për problemet e tyre, le të tregojnë se nuk janë ndryshe nga të tjerët, nga ata të zakonshmit. Nuk bëjnë keq që vizatojnë një jetë pa sfida, por është ironike që të shohësh se si një këngëtar humb jetën nga droga, ndërsa të tjerëve iu drejtohej me fjalët ‘mos pi mall, bëj palestër’. Kur në fakt betejën e kishte me veten… Të gjithë kemi demonët tanë.

Iniesta: Isha viktimë e diçkaje që më terrorizonte

Diçka nuk shkonte me të. Nuk ishin muskujt, por ishte mendja. Ai kishte fituar Europianin dhe Botërorin, ndaj kjo duhej të ishte periudha më e bukur e jetës së tij. Por në fakt ishte më e vështira. Kështu shprehet futbollisti i njohur spanjoll, Andres Iniesta në librin e tij “Artisti”.

Dukej sikur asgjë nuk ishte në rregull, thotë futbollisti.

Edhe pse nuk e quan depresion, futbollisti thotë se ishte diçka që e terrorizonte. Isha si në rënie të lirë.

Meqë nuk vazhdonte dot më, ai iu drejtua mjekëve për trajtim psikologjik. Kur ke nevojë për ndihmë, duhet ta kërkosh atë. Njerëzit janë specialistë, për këtë janë ata. Duhet t’i përdoresh.

E kështu, kur ishte në buzë të humnerës, ai kërkoi ndihmë.

“I kuptoj njerëzit që janë gati që të bëjnë çmenduri. Ajo që më terrorizonte ishte diçka më e madhe se unë, që nuk e kisha nën kontroll. Ka momente kur mendja jote është shumë vulnerabël. Ajo që përpiqem që të them është se mund të kalosh me shpejtësi nga një gjendje shumë e mirë, në një gjendje shumë të keqe”.

“Njerëzit i shohin futbollistët sikur jemi qenie ndryshe, sikur jemi të paprekshëm, sikur nuk na ndodh asgjë, por jemi njerëz. Sigurisht që jemi të privilegjuar, por në fund të fundit jemi njësoj”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Vetëm e djathta mund të kujdeset për të varfrit, e majta thjesht i përdor

Nga Fitim Zekthi Gjuha që përdor qeveria Rama në debatet mbi buxhetin...
Read More