Ekipi i ri, fitojnë të besuarit e Metës, jashtë Naço dhe Haxhinasto

ekipi-i-ri-i-lsiPetrit Vasili është zgjedhur në pozicionin e zëvendëskryetarit, Endrit Brahimllari si Sekretar i Përgjithshëm, Luan Rama dhe Kejdi Mehmetaj janë zgjedhur nënkryetarë. Nuk zgjidhen ish-ministrat Naço dhe Haxhinasto

Katër emrat fitues të kupolës së LSI-së tregojnë se Konventa iu përmbajt plotësisht sloganit të saj, “Një shans për të gjithë”. Një zgjedhje e menduar kjo e kryetarit Meta, i cili propozoi në radhë të parë një ndërthurje brezash, por duke ruajtur edhe balancat mes atyre që kanë pozicione ekzekutive dhe atyre që bëjnë vetëm jetë partiake.

Nga Fejzi Braushi

Një muaj pasi rikonfirmoi Ilir Metën si kryetar, LSI ka zgjedhur dje edhe ekipin e bashkëpunëtorëve, me të cilët do të përballë sfidën e ardhshme elektorale të qershorit 2017. Për dy ditë Konventa Kombëtare e LSI, nëpërmjet një procesi elektronik votimi (i cili ishte edhe një mesazh për reformën zgjedhore), votoi për drejtuesit më të lartë pas pozicionit të kryetarit. Në rezultatet e votimit bie në sy se lista prej katër emrash të propozuar nga kryetari Meta në kryesinë e të së premtes së shkuar mori votëbesimin e Konventës, duke mos pasur asnjë surprizë.

Ndërkohë që gara e dy kandidatëve të vetofruar në këtë konkurrim rezultoi e dështuar. Më konkretisht anëtarët e Konventës konfirmuan Petrit Vasilin si numrin dy të partisë.

Ai është rizgjedhur në pozicionin e zëvendëskryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, pozicion ky që nuk ekziston në forcat e tjera politike në vend.

Për herë të parë këtë post në LSI e ka mbajtur Pëllumb Xhufi dhe më pas për disa kohë ka qenë vakant për t’u marrë nga Petrit Vasili. Ai në këtë votim nuk pati konkurrentë.

Asnjë kandidat tjetër nuk preferoi që ta sfidonte propozimin e ardhur nga kryetari i partisë. Vasili bëhet kështu njeriu i dytë më i fuqishëm në LSI pasi njëkohësisht mban edhe pozicionin e kryetarit të grupit parlamentar.

Ai konsiderohet edhe si një nga njerëzit më të besuar të kryetarit. Qysh nga krijimi i LSI-së ai ka pasur gjithmonë qëndrime të njëjta me Metën.

Ndërkohë në pozicionin e tretë më të rëndësishëm të LSI-së ka ardhur një prurje e re, jo vetëm për moshën por edhe për karrierën politike që ka. Endrit Brahimllari është shpallur fitues për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, duke mundur konkurrencën e Dritan Yllit.

Në fakt zgjedhja e Brahimllarit në këtë pozicion të lartë u paralajmërua pak kohë më parë nga Meta, ku ai i propozoi kryesisë komandimin e Brahimllarit në pozicionin e nënkryetarit të partisë, një hap i parë ky drejt postit të tretë më të rëndësishëm.

Brahimllari më parë ka qenë kryetar i LRI-së dhe tashmë është edhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Dy emrat e tjerë të zgjedhur në kupolën drejtuese të LSI-së janë ata të Luan Ramës dhe Kejdi Mehmetajt, të cilët janë zgjedhur në pozicionet e nënkryetarëve të partisë. Sa i përket Luan Ramës, zgjedhja në postin e nënkryetarit vjen me ulje, pasi deri më tani Rama ka mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm.

Ndërsa Mehmetaj është rikonfirmuar tashmë, edhe duke u votuar nga Konventa si nënkryetare e LSI-së, pozicion që e mban prej pak muajsh edhe si e komanduar. Ajo vjen nga brezi i të rinjve të LRI-së.

Të dy nënkryetarët e zgjedhur të LSI-së mbajnë njëkohësisht edhe mandatin e deputetit në Kuvendin e Shqipërisë.

“Dua të uroj Petrit Vasilin për zgjedhjen e tij si Zëvendëskryetar. Dua të uroj Luan Ramën gjithashtu, Endritin dhe Kejdin për zgjedhjen e tyre. Por më shumë se këta dua të uroj Silva Cakën dhe Dritan Yllin që kandiduan. Pavarësisht se nuk ishin propozimet e kryetarit dhe kanë marrë një mbështetje mjaft të mirë”, -tha Meta pas shpalljes së rezultatit.

Në fund të këtij votimi mund të thuhet se lista e katër emrave fitues që përbëjnë kupolën më të lartë të LSI-së iu përmbajt plotësisht edhe sloganit të kësaj Konvente, “Një shans për të gjithë”.

Një zgjedhje e menduar kjo nga kryetari i LSI-së, i cili propozoi në radhë të parë një ndërthurje brezash, por edhe duke ruajtur balancat mes atyre që kanë pozicione ekzekutive dhe atyre që bëjnë vetëm jetë partiake.

Më konkretisht për t’iu dhënë një mesazh të qartë të gjithë atyre votuesve të rinj, se LSI është një forcë që mbështet politikat rinore, por edhe për të motivuar LRI-në në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kryetari Meta propozoi dy emra që vijnë nga radhët e kësaj organizate.

Nga ana tjetër me këto zgjedhje LSI rikonfirmoi qëndrimin e saj për ndarjen e posteve në parti, ku pozicionet ekzekutive nuk përputhen me pozicionet e larta drejtuese.

Ndaj dhe asnjë nga ministrat nuk është pjesë e drejtuesve të lartë të LSI-së.

Por ndërsa mungesa e ministrave në këto poste të larta drejtuese është zyrtarisht e justifikuar, kjo nuk mund të thuhet për dy emra të tjerë deri dje shumë të rëndësishëm në LSI dhe në qeveri, si ish-ministri i Drejtësisë, Nasip Naço dhe ish-ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto.

Pavarësisht se të paangazhuar në asnjë funksion ekzekutiv, ata nuk u propozuan dhe nuk u zgjidhën në asnjë nga postet e larta, çka duket se përligj dyshimet se Meta ka humbur besimin tek ta, megjithëse Haxhinastos iu dha në konventë një shans duke prezantuar një platformë integrimi.

Nga ana tjetër Konventa e LSI-së nuk solli përgjigjen që prisnin socialistët nëse kjo forcë politike do të vazhdojë të qëndrojë pjesë e koalicionit edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare ose jo.

Gjithsesi, kryetari i saj Ilir Meta do të jepte një gjysmë shprese në këtë drejtim, ku gjatë fjalës së tij do të theksonte se koalicioni ka ende potencial.

Rezultatet e votimeve të djeshme

Zëvendëskryetar

Petrit Vasili 2189 vota

Sekretar i Përgjithshëm i LSI-së

Endrit Brahimllari me 1513 vota

Dritan Ylli 773 vota

Nënkryetarë

Luan Rama 2029 vota

Kejdi Mehmetaj me 1499 vota

Silva Caka 787 vota

(Mehmetaj garoi përballë Cakës)

Shkruar Nga
More from revista mapo

“Zoti s’të jep barrë më të rëndë nga sa mund të mbash”

Besnik Sinani është doktorant në Shkollën e Berlinit për Studimin e Shoqërive...
Read More